Qasjet e intelektualëve të shumtë serb ndaj shkrimeve dhe personalitetit të Akademik Ali Hadrit janë sa naive, po aq fëmijnore, po aq djallëzore dhe po aq jo njerëzore. Sulmet ndaj personalitetit të Ali Hadrit, mjerisht nuk bëheshin vetëm nga ana e serbëve, por në këto sulme filluan të pëziheshin edhe shqiptarë. Pra Ali Hadri duhej të ballafaqohej me sulme në dy fronte. Ali Hadri mbronte me ngulm të vërtetën historike, mbronte çështjen shqiptare, sepse këto sulme nuk bëheshin vetëm kundër Ali Hadrit si individ, nga se përsonaliteti i tij ishte përsonifikuar me historinë shqiptare, prandaj sulmet bëheshin edhe kundër historisë shqiptare, që kjo do të thotë sulme ndaj çdo gjëje shqiptare.
Edhe atëherë, por edhe tani, shihet se sa larg të tjerëve ishte Akademik Ali Hadri. Prandaj ndërgjegjja e vrarë ka bërë që ta heshtin veprimtarinë e tij si në periudhën e viteve 90-ta, ashtu edhe në periudhën e pasluftës në Kosovë. E ‘keqja’ e Ali Hadrit ishte se ai qëndronte i shkëputur me dije nga të tjerët. Dhe ky egoizëm, kjo zili e ndërgjegjes së vrarë, disa i ka bërë të heshtin për Ali Hadrin. Por Ali Hadri edhe kur heshtin rreth tij e për të, përsëri mbetet i madh. Çdo vonesë e zbardhjes dhe e botimit të kompletit të shkrimeve të tij është tregues se as si individ dhe as si institucione nuk jemi duke e kryer rolin praktik në histori.
Lufta e Ali Hadrit kundër të gjithë intelektualve antishqiptarë, të bën jo vetëm ta respektosh, por të bën edhe ta adhurosh. Stili i të shkruarit qartë, polemist i mprehtë, ku në çdo këndvështrim që bën, i lë pa tekst kundërshtarët, dhe e lë pa frymë lexuesin, si me guximin e tij, me dijen, që të bën për vete dhe të detyron ta lexosh deri në fund secilin nga shkrimet që provon t’i lexosh.
Vetëm polemikat e Ali Hadrit të bëra me historianë, intelektualë, politikanë serbë të porositur, janë temë doktorature më vete për secilin nga studiuesit e ardhshëm.
Vetëm inskenimet gjyqësore, linqimet politike dhe diferencimi i ashtuquajtur ideo-politik i Ali Hadrit, do të duhej të ishte temë tjetër e doktoraturës, i shoqëruar me të dhëna të hollësishme, sado të dhembshme, groteske e tragji-komike qofshin, nga se komikja ekziston për shkak të tragjikes.
Instituti i Historisë pa botimin e librave me punimet, studimet e polemikat e Ali Hadrit nuk e ka kryer detyrën e vet. Për ASHAK-un nuk po flasim, sepse ata sikur në heshtje janë besatuar që përpos një libri me punime të përzgjedhura që ia kanë botuar, më nuk duan të merren me këtë punë. Ali Hadri dhe qëndrimet e tij për LNÇ ishte halë në sy të historiografisë serbe gjatë monizmit. Tani ato qëndrime të tij, përsëri, si duket janë blasfemike akoma, për disa nga ish shokët, e kuazishkenctarët e ASHAK-ut, sepse i pengon sërish e vërteta historike e LNÇ-së. Prandaj duan të shkruajnë në mënyrë fragmentare për individë e personalitete, veprimtaria e të cilëve nuk është në një linjë me qendrimin e studimeve të Ali Hadrit për LNÇ-në. Prandaj në emër të lirisë së krijimtarisë shkencore dje luftohej Ali Hadri nga serbët (si politikanët ashtu edhe historianët). Në emër të po kësaj lirie të krijimtarisë, sot ndonjë historian i ashtuquajtur, vazhdon të shkruajë të kundërtën për personalitete, organizata e lëvizje që kanë koketuar me fashizmin e nazizmin. Kjo logjikë mendon se po ec me kohën, pavarësisht se kohën e ka zhvendosur edhe brenda hapësirës.
Kjo logjikë nuk merret me Ali Hadrin sepse trishtohet kur e sheh se ç’ka shkruar, ç’ka bërë, e ç’po bën për Ali Hadrin. Dhe kur i krahasojnë qendrimet e veta, Ali Hadri ju del pengesë, bile edhe armik personal i punës së tyre shkencore, që vetëm shkencore nuk mund të jetë. Si mund të merren seriozisht sot me Ali Hadrin kur të ashtuquajturit akademik si Syria Popovci, Hajredin Hoxha etj., e kanë luftuar Ali Hadrin në komisionet diferencuese?
Prandaj kush duhet të merret me botimin e kompletit të punimeve të Ali Hadrit në libra të veçantë? ASHAK dihet, Jo! E Instituti i Historisë të shpresojmë se me shembullin e botimit të disa punimeve për herë të parë të Ali Hadrit në librin “Studime dhe kritikë historiografike” do t’i hyjnë kësaj pune për të cilën gjithashtu, e kanë borgj jo vetëm ndaj Ali Hadrit si themelues i këtij institucioni, por edhe ndaj vetë shkencës së historisë.
Ali Hadri është diferencuar më 1982 për ngjarjet e vitit 1981. Janë marrë masa ndaj tij, duke e larguar edhe nga procesi mësimor, por ai, nuk është ndalur. As nuk ka heshtur. Ka shkruar dhe ua ka dërguar redaksive, gazetave e revistave serbe shumë shkrime polemizuese, në të cilat atakohej jo vetëm Ali Hadri, por historia shqiptare dhe çdo gjë shqiptare, me histeri, llahtari e delir…
Disa nga shkrimet kritike e polemizuese të akademik Ali Hadrit
Kështu në shkrimet historike të akademik Ali Hadrit, duke polemizuar me intelektual të ndryshëm, do të përmendnim si vijon:
Në shkrimin “Pseudoshkenca është e dëmshme”, Ali Hadri i kundërvihet një fejtoni të hartuar nga Millorad Jankoviqi me titull “Shqipëria e Madhe, lodrat e spiunazhit dhe legjendat e rrejshme”, botuar në disa vazhdime në shtator të vitit 1983. Prandaj, Ali Hadri me një shkrim shumë të gjatë, i kundërvihet në mënyrë të thuktë këtij fejtoni të botuar në gazetën “Duga”. Vet ky punim i Ali Hadrit është libër në vete.
Në punimin “Pasqyrë e shtrembëruar e historisë”, Ali Hadri bën një shkrim polemizues ndaj deklarimeve të Dimitrije Bogdanoviqit. Ky shkrim është dërguar për botin në gazetën “Borba” me 10 shkurt 1985 duke iu përgjigjur Bogdanoviqit në intervistën e 8 janarit 1985. Këtë shkrim kjo gazetë nuk e ka botuar;
Shkrimi “Antishqiptarizmi i Çubrilloviqit” është shkruar me datën 27.05.1985, dhe është një kundërvënje fuqishme ndaj rideklarimeve të Çubrilloviqit në Titograd;
Shkrimi “Interpretim dhe vlerësim pseudoshkencor i KNÇ-së në Kosovë e Dukagjin” është kundërvënje ndaj Dr. Ilija Vukoviqit, në gazetën “Duga”. Ky shkrim mban datën 3.7.1987, pra pak kohë para se Ali Hadri të largohej përgjithmonë nga kjo botë;
Shkrimi “Për përdorim të lirë dhe të barabartë të flamurit autentik kombëtar të popullit shqiptar”, është shkrim që mban datën 27 nëntor 1986;
Shkrimi “Paraqitja e shtrembëruar e historisë”, është kudërvënje ndaj Dr. Dimitrije Bogdanoviqit në intervistën e datës 8 janar 1985 në gazetën “Borba”. Edhe ky shkrim nuk është botuar, dhe mban datën 10.2.1985;
Shkrimi “Pseudoshkenca e Bogdanoviqit në shërbim të nacionalizmit”, që mban datën 10 qershor 1985;
Shkrimi “Shpërfytyrimi i historisë”, është kundërvënje ndaj Dimitrije Bogdanoviqit rreth deklarimeve të tij në “Knjizhevne Novine” të datën 1 janar 1985, që ka datën 27 prill 1985;
Në shkrimin “Dhuna mbi historinë”, i kundërvihet prof. Ilija Vukoviqit përkatësisht fejtonit të tij me titull “Dështimi i madh historik” botuar në “Politika expres” në disa vazhdime në qershor të vitit 1987. Ky shkrim mban datën 16 qershor 1987;
Në shkrimin “Pasqyrë e pasaktë e historisë” i kundërvihet Dimitrije Bogdanoviqit si profesor universitar dhe antar me korrespodencë në ASHAS.
Në shkrimin me titull “Kosova në dritën e marrdhënjeve shqiptaro-jugosllave”, ku jepet pasqyra e pasaktë e historisë, e botuar në gazetën “Savremenik” të datës 12 dhjetor 1982. Shkrimi i Ali Hadrit mban datën 10 prill 1985.
Në shkrimin “Diferencimi politik dhe përjashtimi nga procesi mësimor në Universitetin e Kosovës”, është letër dërguar organizatës themelore të LKK – Dega e Historisë dhe Pedagogjisë e Fakultetit Filozofik. Këtu në mënyrë të shkoqitur, me shumë argumente i kundërvihet thënjeve tendencioze të grupit punues që ishte caktuar për diferencimin e Ali Hadrit.
Më tej jepen të dhënat rreth raportit të “Vlerësimit të gjëndjes ideo politike të LK në universitet me propozimin e masave të mëtejshme”, në të cilin raport prej 7 pikash bëhet diferencimi i Ali Hadrit me akuzën se nuk është angazhuar në “luftën e hapur kundër nacionalizmit dhe irridentizmit shqiptar, për shkak të mosgjykimit të propagandës armiqësore të RSP e Shqipërisë, për shkak të jo gatishmërisë dhe qëndrimit oportunist në demaskimin e Platformës së veprimtarisë armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe irridentizmit shqiptar si dhe nga shkaku se në shkrimet e veta në masë të konsideruar ka kontribuar në indokrinimin nacionalist dhe irridentist të të rinjëve”. Ky vendim është marrur me 7.10.1982. Ndërkaq me 16.7.1986 nga sekretariati për punë të brendshme, me një aktvendim i merret leja e udhëtimit.
Më 3 mars 1987, Akademik Ali Hadri i drejtohet me një letër të gjitha kryesive të RSFJ-së, RSS-së dhe KSAK-së të titulluar “Letër e hapur opinionit jugosllav”.
Në shkrimin “Urrejtje atavistike” i kundërvihet tekstit të gazetarit Mirko Çupiq, të botuar në gazetën “Jedinstvo” me 30 mars 1987.
Në shkrimin “Kujt i nevojiten dyshimet, trillimet dhe shpifjet”, i kundërvihet Bilana Stajiqit, delegate e Dhomës Federative të Kuvendit të RSFJ-së si dhe gazetarit të gazetës “Politika” Zejnel Zejnelit të botuara me 27 janar 1987 në gazetën “Politika”, dhe me 12.02.1987 në gazetën “Rilindja”. Shkrimi i Ali Hadrit ka datën 3.3.1987 dhe nuk është botuar.
Në shkrimin “Internacionalizmi përcaktim imi jetësor”, i kundërvihet Sava Dautoviqit dhe Zejnel Zejnelit rreth shkrimeve të tyre në gazetën “Politika” të 17 janarit dhe 18 janarit 1987. Shkrimi i Ali Hadrit mban datën 27 janar 1987.
Pastaj një varg shkrimesh si: “Shpifja nuk bën nderë”, Ali Hadri me 20 janar 1984 i drejtohet javores “Danas” duke iu kundërvënë artikullit të Gojko Marinkoviqit “E vërteta nuk është gjithmonë në shtypin”.
Në shkrimin “Letër e hapur për diskriminimn arsimor”, Ali Hadri me 16.9.1985 i drejtohet kryesisë së KQ LKJ-së dhe kryesisë së KQ LKS-së.
Në shkrimin “Pamje e pavërtetë e historisë”, i kundërvihet shkrimit të gazetarit Sava Dautoviq “Pa vëmendje apo diçka tjeter!”, të botuar në gazetën “Politika” me 22.12.1986. Shkrimi i Ali Hadrit përmban datën 26.12.1986.
Në shkrimin “Para gjyqit, për shkak të fletakuzës së rrejshme”, Ali Hadri i kundërpërgjigjet gazetarit M.D, rreth shkrimit të tij në gazetën “Jedinstvo” të datës 22 shkurt 1987. Shkrimi i Ali Hadrit ka datën 10 mars 1987.
Me shkrimin “Pasqyrë e rrejshme për mua”, Ali Hadri i kundërpërgjigjet Nebojsha Vllahoviqit në shkrimin e tij “Falsifikati i ri i akademik Ali Hadrit, por jo historik”, i botuar në “Osmica”, në qershorin e vitit 1987.
Në shkrimin “I akuzuar pa bazë”, i kundërpërgjigjet shënimit të S.H me titull “Është akuzuar Ali Hadri”, botuar në gazetën “Borba” të 20 shkurtit 1987. Shkrimi i Ali Hadrit ka dëtën 10 mars 1987.
Pastaj janë letrat e Ali Hadrit drejtuar redaksisë së revistës “Dello – Lubjanë”; letër drejtuar redaksisë së gazetës “Politika” me 10 janar 1987.
Pastaj shkrimi “Edhe më tej do të punoj të shkruaj sipas ndërgjegjes”, me të cilin i drejtohet redaksisë së gazetës “Politika” për t’ia botuar si përgjigje në vështrimin e gazetarit S.D. me titull “Pa vëmendje apo diçka tjetër” të datës 22 dhjetor 1986.
Në të gjitha këto shkrime ka argumente të shumta, të formuluara e të hartuara me një gjuhë të pasur e të ngjeshur, të Akademik Ali Hadrit. Prandaj nuk e pamë të arsyeshme të bëjmë ndonjë citim të veçantë të ndonjë shrkimi, sepse secili shkrim i akademik Ali Hadrit, kërkon lexim, dhe çdo fjali e tij, në secilin shkrim, ka vlerën e një citati në vete.