Ahmet Qeriqi: Selinë e Radios dhe të Agjencisë e vizitojnë Komandant Çeliku dhe Inspektori i Përgjithshëm i Shtabit, Rexhep Selimi, 21 janar, 1999

Ahmet Qeriqi: Selinë e Radios dhe të Agjencisë e vizitojnë Komandant Çeliku dhe Inspektori i Përgjithshëm i Shtabit, Rexhep Selimi, 21 janar, 1999

Me Martin Çunin dhe me bijën time Arbanën jemi nisur prej Krojmirit në drejtim të Berishës, në relacionin tonë të zakonshëm gati edhe të përditshëm. Arbana ka ardhur për të na ndihmuar në leximin  e lajmeve, meqë na mungon një zë femre, ndërsa nga Shtabi na ka ardhur një ndalesë për vazhdimin e mëtejmë të punëve në Radio të Ajete Zogajt.

Gjatë rrugës për në Berishë kemi dëgjuar shkrehje armësh në drejtim të Blinajës dhe të Zborcit. Më vonë kam mësuar se forcat serbe në Zborc kanë rënë një fushë të minuar nga forcat tona dhe kanë pësuar humbje të mëdha.

Emisionin e lajmeve e kanë realizuar me sukses Nusret Pllana dhe Arbana. Nusreti ka bërë një përzgjedhje të lajmeve  më të gjata,  të cilat i ka lexuar vetë ndërsa informatat më të shkurta i ka lexuar, bija ime Arbana, e kyçur në UÇK-së  nga fillimi i luftës.

Pas transmetimit të emisionit ditor, në mbrëmje kanë ardhur në selinë tonë në Berishë, Fatmir Limaj, komandant Çeliku dhe Rexhep Selimi, inspektor i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Ata kanë treguar se duan të bisedojmë shkurtimisht për një çështje me mua dhe me Berat Luzhën.

Kemi dalë në dhomën e dytë dhe pa vonuar Fatmiri dhe Rexhepi kanë treguar qëllimin e vizitës, në radhë të parë për të na uruar punë të mbarë, por edhe për të na qortuar për disa gabime të cilat i kemi bërë, sipas tyre.

Ata, të vetmen vërejtje e kanë për shkak të pranimit në punë të profesoreshës, Ajete Zogaj, e cila sipas tyre është motër e një punëtori të Shërbimit Sekret serb, në Prizren. Ne nuk kemi ditur për këtë të dhënë, edhe pse unë kam shfaqur mendimin tim, se ky fakt nuk do të duhej të ishte mëkat për Ajeten, sepse lufta edhe ne të tjerëve na ka ndarë nga të afërmit.

Ata nuk janë treguar kategorikë në qëndrimet e tyre, por kanë saktësuar se zëri i saj në Radio nuk i shërben çështjes, meqë krijon konfuzion te njerëzia që e njohin vëllanë e Ajetes. Ata po ashtu kanë bërë të ditur  se për Ajeten nuk kanë dëgjuar as kanë kurrë farë fakti për ndonjë veprimtari të saj antikombëtare.

Ka mbetur në fund që këtë çështje ta diskutojmë me tërë stafin, ku do të prezantohet edhe vërejtja e tyre. Në fund, Rexhep Selimi ka shtuar se qëllimi kryesor i ardhjes ishte njohja me punën, urimi dhe mbështetja por edhe syçeltësia  me rastin e pranimit të kuadrove në radhët e stafit, një fakt që qëndron dhe të cilin duhet ta përfillim.

Pasi kanë shkuar të dy komandantët e kemi vënë në shqyrtim çështjen e Ajete Zogajt dhe në parim, me mendimin e shumicës, jemi pajtuar që ajo të mos largohet nga puna, por duke qenë se ngutet shumë  gjatë leximit tani për tani të rezervohet nga paraqitja para mikrofonit, por të bëjë punë të tjera në terren.

Berat Luzha mendon se Ajeten duhet larguar për shkak të vëllait. Martin Çuni thotë se është kundër diferencimeve të tilla, sepse çdokush duhet të përgjigjet për fajet e veta, dhe jo për fajet e vëllait apo të ndonjë të afërmi tjetër. Edhe unë e mbështes mendimin e Martinit. Neziri është më i rezervuar dhe nuk jep ndonjë gjykim të prerë.

Të tjerët nuk i japin shumë rëndësi kësaj pune.

Më vjen shumë keq për Ajeten, e cila është e përkushtuar dhe e do tejmase punën.

Ç` të bësh? Kështu nganjëherë punët marrin rrjedha të papritura dhe të padëshirueshme. Meqë unë dhe Martini kemi qëndrim të rezervuar mbeti që Berati të bisedojë me Ajeten dhe t`ia bëjë me dije mospëlqimin për të vazhduar më tej punën. Jemi marrë vesh që të mos i tregojmë se kjo vërejtje vjen nga Shtabi, por nga qëndrimi i stafit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …