Isuf Ismaili: Radio Kosova e Lirë, radio e nderit dhe lavdisë shqiptare

Isuf Ismaili: Nga faqet e librit: “Nëpër shtigjet e luftës” flet veprimtaria atdhetare

Isuf Ismaili: Nga faqet e librit: “Nëpër shtigjet e luftës” flet veprimtaria atdhetare

Libër që i kushtohet veprimtarit e atdhedashësit të shquar: Jashar Alija

Të nderuar bashkatdhetarë, të nderuar vëllezër e motra ju përshëndes dhe ju uroj së pari Vitin e Ri 2024, duke dëshiruar të jetë një vit i mbarë, i begatë plot shëndet e suksese!

Sot, ne po e përurojmë një vepër të rëndësishme, një vepër për një veprimtar të shquar, për bashkatdhetarin tonë, për vëllain e mikun tonë të dashur – Jashar Alija. Veprën e shkroi dhe përgatiti me shumë përkushtim veprimtari, shoku ynë – Agim Sylejmani, që tanimë pena e tij e mprehtë dhe e kujdesshme është jo vetëm e njohur, por edhe shquar për figurat e veprimtarët e shquar që kanë dhënë shumë për lirinë, për shqiptarësinë tonë, për atdheun tonë, për tërësinë e tij, për bashkimin e tij, të trevave stërgjyshore që armiqtë e tërbuar: serbë, maqedonas, malazezë e grekë jo vetëm i kanë lakmuar, por i kanë pushtuar shumë pjesë, i kanë kafshuar e masakruar shumë territore shqiptare, prandaj këta veprimtarë, këta shokë e miq të çmuar, të shtrenjtë të dashur si Jashar Alija, vepruan e punuan, sakrifikuan dhe dhanë gjithçka për lirinë e bashkimin e Shqipërisë së tërësishme e të natyrshme. Prandaj edhe shkrimtari e Agim Sylejmani, nuk hesht, por vepron si ajo bleta që e mbledh nektarin më të mirë. Agimi po e pasqyron, po e shtjellon dhe po e përgatit një material sa historik, aq edhe përshkrues, duke e luftuar harresën, duke i sqaruar gjeneratat reja se për lirinë, për tokën, për traditat, për të njerëzishmen, për shqiptarësinë tonë luftuan shumë trima e trimëresha, shumë heronj, shumë dëshmorë e veprimtarë që kanë shkruar faqe lavdie e madhështie në historinë më të re të Shqipërisë.

Jashar Alija i takon atyre veprimtarëve e shokëve të hershëm, militantëve të orëve të para të zgjimit tonë, kundër pushtuesve jugosllavë që pushtuan e dhe masakruan trevat shqiptare e popullin shqiptar në ato treva.

Duke qenë se robëria dhe dhuna e mizoria e armikut nuk durohen, djemtë e vajzat e shquara shqiptare i vunë shpatullat e tyre të njoma themeleve të atdheut që ato të mos rrënohen, që të frymojë e të bashkohen  këto treva me Republikën e Shqipërisë apo thënë më qartë me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Ky libër që po e përurojmë është një bashkëbisedim, shokësh e veprimtarësh, një trajtim, një shtjellim i punës dhe veprimtarisë së Jashar Alisë, vepër kjo që Agimi diti dhe e përgatiti, diti dhe e punoi me shumë përkushtim e dashuri për të lënë jo vetëm si një intervistë televizive, por e shtjelloi dhe shkroi sipas asaj thënies së bukur latine: “E shkruara mbetet, ndërsa të thënat i merr era.”

Ne kemi arsye e kemi nevojë të madhe, të shfaqim të gjithë atë veprimtari, të gjitha ato përpjekje, të gjitha sakrifica që janë në vazhdën e gjakut të dëshmorëve e heronjve, të të gjithë atyre atdhedashësve e njerëzve të përkushtuar  që vepruan për tokën për gjuhën, për traditat, për mëvetësinë, për shqiptarësinë tonë. Kjo tokë shqiptare që mbanë gjakun e heronjve e dëshmorëve na kujton disa vargje të famshme të një kënge nga jugu, ku shquhen figura letrare që ngërthejnë historinë e dëshmorëve, heronjve dhe veprimtarëve shqiptarë,  tekstin e së cilës e ka shkruar Lëfter Çipa.

Nga kjo baltë e kësaj toke,

Merr një grusht e shtrydhe fortë,

Pika gjaku do të kullojë

Luftën e madhe tregon.

 

Vargje të tilla janë një përkushtim i të gjithë asaj historie të dhembshme, por edhe krenare të popullit shqiptar në shekuj. Pjesë e kësaj historie padyshim janë edhe grupet atdhetare, revolucionare shqiptare, në Kosovë e treva të tjera shqiptare, siç janë tokat tona  nën Maqedoninë, nën Serbinë e nën Malin e Zi.

Pjesë e krenarisë  dhe historisë është edhe veprimtaria e Jashar Alisë me shokë, ndaj Agimi ka meritën e madhe që po na jep të qartë portretin, në librin e tij, ku del në dritë mirë gjithë ajo veprimtari dhe jeta e Jashar Alisë.

Në këtë vepër, pra, përshkruhen momentet e rëndësishme të jetës e veprës së Jasharit, i cili ka lindur në Syriganën e tij, për të cilën e ka shkruar edhe një vepër me shumë përkushtim.

Janë shumë domethënëse dhe shumë të rëndësishme pjesët e shtjellimit dhe paraqitjes të kësaj vepre.

Duke folur vetë Jashari për disa anë që pati formimi i tij, ndër të tjera, thotë se pati ndikim të madh përgatitja në odat e hapësirat liridashëse e atdhetare. Dhe ja se ç’ na thotë më konkretisht: “…po ashtu dëgjoja për rezistencën heroike të shqiptarëve ndër dekada kundër pushtuesit serb; kur dëgjoja këngën për Fazli Greiçevcin, i cili kishte dhënë jetën për flamur; dëgjoja për Adem Demaçin me shokë që po dergjeshin nëpër burgjet jugosllave, por gjithashtu edhe në gjimnaz mësonim për krijimtarinë letrare dhe veprimtarinë atdhetare të rilindësve, e cila më frymëzonte shumë, por ndikim të madh patën demonstratat studentore të vitit 1968. Kishte edhe shumë faktorë të tjerë…”

Momente të tjera janë interesante kur Jashari takohet me shokë e veprimtarë dhe organizohet.

Më vonë do të shohim se Jashari do të veprojë edhe me shokë e veprimtarë jo vetëm të asaj pjese, ku u lind dhe u rrit, por edhe si student në Prishtinë e në burgjet jugosllave me Kadri Osmanin, Binak Ulajn, me Agim Sylejmanin etj.

Ja se si do ta përshkruajë veprimtarin e shquar Kadri Osmani: “ Kadriu edhe në burg nuk pushonte së vepruari. Edhe aty e përcillte ai shpirti revolucionar i tij dhe përkushtimi për çështjen kombëtare”

Këtu nuk ka si mos të kujtohen, veprimtarët e shquar Mehmet Hajrizi e shumë e shumë të tjerë që vepruan në përbërje të organizatave atdhetare e revolucionare shqiptare në Kosovë. Edhe në këtë intervistë, në këtë vepër, na del  qartë figura e shquar e udhëheqësit të ndritur shqiptar Enver Hoxha dhe ndikimi asaj pjese të atdheut që ushtroi te ne, që jo vetëm qenë frymëzimi ynë, po ato ishin mbrojtja e sigurt dhe madhe qenies sonë e shqiptarësisë sonë dhe trevave shqiptare përgjithësisht.

Këtu do të veçoja se Jasharin dhe shumë veprimtarë shqiptarë  i burgosi Jugosllavia pushtuese e barbare, i torturoi e masakroi policia e punonjësit barbarë të atij shteti.

Por Jashari nuk u thye, nuk u ligështua asnjëherë, ndaj ai doli nga burgu ballëlartë e krenar, së bashku me shokë.

Ai veproi dhe punoi edhe pastaj, u radhitë në formacionet luftarake e heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sot e kësaj dite vepron e punonin për të jetësuar bashkimin e tërësisë së Atdheut, për  përparimin e tij e  lirinë e plotë.

Nderime, ngaherë, shokëve e veprimtarëve të shquar: Jashar Alia e Agim Sylejmani!

( Vështrim, i paraqitur në përurimin e veprës: “Nëpër shtigjet e luftës”, më 14. 1. 2024 në qytezën Jona të Zvicrës.)

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …