Ndërsa udhëheqësit e Bashkimit Evropian po mblidhen në Bruksel për të biseduar mbi krizën “Brexit”, të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, kryetari i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama në një intervistë për mediet paralajmëroi kundër shfaqjeve histerike, anë e mbanë botës dhe sidomos në fushën financiare, si përfundim i votës së britanikëve për t’u larguar nga BE-ja.
Në një intervistë me Radion Publike Kombëtare (Amerikane), (NPR) udhëheqësi i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama u shpreh se, “Pas votës së britanikëve për tu larguar nga BE-ja, është venë re një valë histerie, sikur, si rrjedhim i kësaj vote po ndodhë fundi i gjithshkafes, se lidhjet transatlantike dhe NATO po marrin fund dhe se çdo vend po tërhiqet në kështjellën e vet. Kjo nuk është duke ndodhur”, tha Z. Obama. Ajo që mund të ndodhë si rrjedhim i kësaj vote, shtoi Presidenti amerikan, është se integrimi evropian mund të ngadalësohet, duke shënuar një “pauzë” në përpjekjet integruese, por siguroi se marrëdhënjet bazë në fushën e sigurisë dhe të marrëdhënjeve ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës nuk do të ndërpriten.
Siç dihet, Britania e Madhe ka ekonominë e pestë më të madhe në botë dhe historikisht, politimisht dhe ushtarakisht është aleati më i ngushtë i Shteteve të Bashkuara në kontinentin evropian. Gjatë ditëve të kaluara, Presidenti u përpoq që me deklaratat e tija të qetësonte shqetësimet e shprehura këtu në Amerikë, në Evropë dhe anë e mbanë botës, përfshirë edhe reagimin negativ në tregjet botërore ndaj votës për largimin e Londrës nga organizata politike dhe ekonomike e Bashkimit Evropian, ku sot për sot, bëjnë pjesë 28 vende anëtare.
Menjëherë pas votës javën e kaluar në Britaninë e Madhe, për tu shkëputur nga BE-ja, udhëheqsi amerikan reagoi duke thënë se megjithëse e ka kundërshtuar largimin e Londrës nga Bashkimi Evropian, ai tha se e respekton votën e britanikëve në favor të largimit të vendit të tyre nga BE-ja, dhe siguroi njëkohësisht amerikanët dhe botën se, “marrëdhënjet e veçanta” që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe nuk do të pësojnë ndonjë ndryshim, si përfundim i kësaj vote.
Gjatë intervistës dhënë Radios Publike Kombëtare këtu në Amerikë, Presidenti Obama shprehu mendimin e tij se arsyeja e votës së britanikëve për tu larguar nga BE-ja ishte sigurisht në përgjigje të ndryshimeve dhe sfidave që paraqet globalizmi, por edhe si një reagim ndaj “Një projekti evropian që ndoshta po zhvillohej më shpejt se ç’duhej dhe pa konsensusin e nevojshëm”, që një projekt i tillë duhej të ketë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Presidenti Barak Obama, në intervistën me radion NPR në Shtëpinë e Bardhë të martën, shprehu njëkohsisht optimizmin dhe shpresën e tij se e gjithë Evropa do ta “përdorë votën e britanikëve për tu larguar nga BE-ja, si një moment për një pauzë, për të parë dhe për të reflektuar se si, gjatë procesit të integrimit, të mund të ruhen disa prej identiteteve kombëtare dhe njëherazi, se si të ruhen edhe përfitimet që vijnë nga integrimi dhe njëherazi si të zgjidhim disa prej problemeve, zhgënjimeve dhe sfidave me të cilat përballen madje edhe votuesit tanë”, këtu në Shtetet e Bashkuara, nënvijoi Presidenti Obama.
Në lidhje me rezultatin përfundimtar të negociatave midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian — për largimin e Londrës nga BE-ja e të cilat pritet të zgjasin deri në dy vjetë — udhëheqsi amerikan u shpreh se shpreson që më në fund, Britania e Madhe të ketë të njëjtin status si statusi që tani gëzon Norvegjia në marrëdhënjet e saja me BE-ën. Norvegjia ka marrëdhënje të ngushta tregtare me Bashkimin Evropian dhe njëkohsisht pranon një lëvizje të lirë, por të kufizuar, të punëtorve imigrantë.
Sidoqofrë, Presidenti Obama në fund të intervistës u shpreh se megjith pa mundësinë për të parashikuar se si do të zhvillohen gjërat në muajt dhe vitet e ardhëshme, ai nuk pret që dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian të përfundojë në një këthesë historike ose në ndryshime të papritura “kataklizmike”, siç i quajti ai.
Por, ndërkohë që gjatë intervistës me radion amerikane NPR të marten, Presidenti Obama në deklaratat e tija u tregua i matur dhe deri diku shpresëdhënës dhe optimist se vota e britanikëve në favor të largimit të vendit të tyre nga BE-ja nuk është mbarimi i botës, në reagimin e tij ndaj votës në Britaninë e Madhe, Zëvëndës presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden qe më pak diplomatik dhe foli troç. Të premtën e kaluar gjatë një vizite në Irlandë, duke komentuar votën e britanikëve për të dalur nga BE-ja, Zëvëndës presidenti amerikan përdori një gjuhë më të ashpër se bosi i tij duke kritikuar dhe duke paralajmëruar kundër veprimtarisë së atyre që ai i quajti, “politikanë reakcionarë dhe demagogë të cilët promovojnë ksenofobinë, nacionalizmin dhe izolacionizmin.”
Ndërkaq, Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerry u shpreh gjithashtu të premtën që kaloi mbi votën e britanikëve duke thënë në një njoftim për median se ndonëse Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Evropian, populli britanik, në asnjë mënyrë nuk po tërhiqet nga parimet dhe vlerat që dallojnë partneritetin trans-atlantik dhe as nuk po heq dorë nga roli i tij që luan në promovimin e paqës dhe të stabilitetit në botë. Me këtë rast, Kryediplomati amerikan ritheksoi gjithashtu edhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Bashkimit Evropian dhe agjendës së përbashkët mbi çështje siç janë Ukraina, mos-përhapja e armëve bërthamore, ndryshimet klimateriake, tregëtia dhe të drejtat e njeriut.
Më në fund, Sekretari Amerikan i Shtetit Kerry siguroi të gjithë aleatët amerikanë në Evropë se, “Një gjë që absolutisht nuk do të ndryshojë në vitet e ardhëshme, është mbështetja e fortë e Amerikës për të gjithë aleatët dhe miqtë tanë si dhe për marrëdhënjet Euro-Atlantike, bazuar në mbështetjen e përbashkët për demokracinë, si dhe për angazhimin tonë ndaj paqës dhe sundimit të ligjit”, përfundoi kryediplomati amerikan, Xhon Kerry reagimin e tij ndaj votës së qytetarëve britanikë për tu larguar nga Bashkimi Evropian.
Ka gjasë se vota për largimin e Londrës nga antarësimi i saj në BE, do të jetë temë kryesore edhe në mbledhjen e nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet në Varshavë të Polonisë më 8 dhe 9 korrik. John Kerry u shpreh të hënën gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Z. Stoltenberg se ky do të jetë një takim jashtzakonisht me rëndësi dhe se vota në Britaninë e Madhe nuk do të ndryshojë asgjë përsa i përket angazhimit britanik ndaj NATO-s. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Z. Stoltenberg tha se sidomos pas vendimit të Britanisë së Madhe për tu larguar nga BE-ja, aleanca NATO shtoi ai, është edhe më e rëndësishme për rolin që luan në bashkpunimin jo vetëm midis Evropës dhe Amerikës Veriore por gjithashtu edhe për rolin e saj në fushën e mbrojtjes dhe të bashkpunimit në çështjet e sigurisë së përbashkët dhe midis vetë aleatëve të NATO-s në Evropë. Roli i NATO-s përfundoi udhëheqsi i aleancës perëndimore, ka qenë gjithmonë me rëndësi, por tani merr një rëndësi edhe më të madhe pas vendimit britanik për tu larguar nga BE-ja.