Komuna e Shtimes mori vendim për shpalljen zonë me interes të dy shtabeve të UÇK-së

Kuvendi i Komunës së Shtimes ka mbajtur mbledhjen e gjashtë (VI) të rregullt për këtë vit, me ç’rast njëri prej vendimeve të rëndësishme në këtë mbledhje ishte shpallja me interes të përgjithshëm e dy pronave ku gjatë luftës ishin të vendosura shtabet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në fshatin Rancë për Zonën e Nerodimes dhe në fshatin Pjetërshticë për Zonën e Pashtrikut. Kjo pikë e rendit të ditës u votua unanimisht dhe me përkrahje të plotë nga të gjithë anëtarët e Kuvendit. Kuvendi vendimin në parim e ka marrë duke u bazuar në kompetencat e kryetarit të Komunës si dhe kërkesën e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së në Shtime. Kryesuesi i Kuvendit z. Rrahman Jakupi tha se është nder dhe privilegj që kjo legjislaturë ka fatin t’i shpall zona me interes këto dy pika me rëndësi të veçantë historike e kulturore, në të cilat ka vepruar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Në vazhdim të seancës, me kërkesën e të gjitha grupeve politike të Kuvendit është diskutuar mjaftë gjatë lidhur me ambientin në komunën e Shtimes, meqë si rezultat i këtij diskutimi, Kuvendi themeloi një Komision për caktimin e lokacionit për hedhjen e mbeturinave të ngurta, ndërsa Komisioni u themelua në përbërje prej dy anëtarëve të Kuvendit nga pozita, dy nga opozita dhe një përfaqësues i Drejtorisë për Shërbime Publike. Anëtarët e Kuvendit në veçanti konstatuan se ndotës më të mëdhenj të ambientit janë furrat e gëlqeres, prerja e pyjeve, guroret, hedhja e mbeturinave vend e pa vend etj.

Zyrtari Kryesor Financiar, z. Jetush Rrafshi, para Kuvendit shpalosi Kornizën Afatmesme Buxhetore, propozimet dhe ndryshimet e bëra nga diskutimet publike me OJQ-në Polis me qytetarë, debatet publike me kryetarët e fshatrave të Shtimes, takimet me të gjitha grupet politike në Kuvendin e Komunës së Shtimes dhe më pas me shumicë votash u miratua Korniza Afatmesme Buxhetore 2017-2019. Për këtë pikë anëtarët e Kuvendit diskutuan mjaft gjatë dhe dhanë propozimet dhe vërejtjet e tyre lidhur me projektet në vendbanime të ndryshme të komunës së Shtimes.

Në bazë të rekomandimit të Komisionit Vlerësues për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, Kuvendi mori vendimin për vendosjen e biznesit në Parkun Teknologjik, i cili sipas konkursit publik kishte marrë më së shumti pikë e që do të merret me veprimtarinë e prodhimit të elementeve të betonit. Para Kuvendit me një informatë për Zhvillimin Ekonomik në komunën e Shtimes u paraqit drejtori për Zhvillim Ekonomik z. Sabri Çerkini, i cili paraqiti të arriturat, sfidat dhe gjendjen ekonomike në Komunën e Shtimes.

Kuvendi ka shqyrtuar një kërkesë dhe ka marrë qëndrimin që kërkesat, të cilat nuk kanë të bëjnë me natyrën e punës së ekzekutivit, administrata komunale t’i transferojë në mënyrë automatike për në drejtoritë përkatëse.

Për njoftimin e opinionin, kryesuesi i Kuvendit pas përfundimit të mbledhjes njoftoi të pranishmit se duke u bazuar në Planin e Punës së Kuvendit dhe për shkak të pushimeve verore, Kuvendi i Komunës së Shtimes do te mbaj mbledhjen e radhës në fillim të muajit korrik, përkatësisht më 8 korrik 2016.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …