Frank Shkreli: Në kujtim të 100-vjetorit të vrasjes së Dedë Gjon Lulit

Historia e kombit shqiptar gjatë shekujsh është përballur vazhdimisht me pengesa të llojllojshme të cilat kanë bërë të pamundur bashkimin shpirtëror dhe kombëtar të Shqiptarëve. Ishin këto pengesa të vjetëra e të reja, sipas orekseve të rastit  të armiqëve të shqiptarëve, por të cilat ishin ndoshta më të rënda se pengesat me të cilat janë përballuar kombe të ndryshme të Ballkanit dhe të Europës në rrugën e tyre drejtë bashkimit kombëtar.   Megjithëse këto pengesa, për shqiptarët ishin tepër të mëdha gjatë gjithë historisë së tyre, dëshira dhe ndërgjegjëja e tyre për bashkim kombëtar nuk u shua kurrë.  Por pa marrë parasyshë pengesat historike për bashkimin e shqiptarëve, historia e shqiptarëve ka plot  raste bashkimesh krahinore dhe fisnore shpirtërore të shqiptarëve, madje janë shënuar edhe përpjekje për organizime panshqiptare, që ndër më të famshmet,  ishin Lidhja Shqiptare e Skënderbeut në Lezhë dhe Lidhja e Prizrenit —  përpjekje këto të udhëhequra  nga figura më të shquara të kombit shqiptar, dhe  të cilët me veprat e tyre patriotike  u dalluan për veprimtarinë  dhe luftën e tyre drejtë bashkimit shpirtëror dhe  kombëtar të shqiptarëve.  Njëri prej këtyre figurave është edhe Ded Gjon Luli nga Malësia e Madhe.   Me 24 shtator 2015  u mbushën 100-vjetë nga vrasja tradhëtisht e tij, kur mbaroi njëri prej kreshnikëve më të shquar të kombit shqiptar.

 Deda ishte prijsi i kryengritjes së Malësorëve kundër Perandorisë Osmane, kryengritje e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar për herë të parë  në trojet shqiptare, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit — Skënderbeut.  Sipas historianëve, kryengritja e Malësorëve kundër otomanëve dallohej nga kryengritjet e tjera të shqiptarëve — mbi të gjitha — për nga karakteri mbarëkombëtar i saj, gjë që si e tillë më në fund tërhoqi edhe interesimin dhe mbështetjen e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit.  Pasi angazhimi dhe lufta serioze e Malësorëve me në krye Ded Gjon Lulin tërhoqi vëmendjen e tyre, ata shkojnë për tu takuar me Malësorët e Ded Gjo Lulit dhe si përfundim përpilojnë Memorandumin i cili përmbënte kërkesat mbarëkombëtare të Shqiptarëve për një Shqipëri me administratë, gjuhë dhe buxhet të vetin.

Memorandumi në fjalë ishte, në të vërtetë,   një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve për vetadministrim në mbarë trojet e veta.  Kërkesa kryesore e Ded Gjo Lulit, siç sugjeron edhe kënga popullore, ishte se Shqipëria donte vedin me sundue.

Ded Gjo Luli, shkrue ka letër,

Parisë, Shkodrës o ia ka çue,

Se Shqipnia nuk don tjetër,

veç don vedin m’e sundue…

Si rrjedhim, kërkesat e Malësorëve të shfaqura në Memorandum, i bënë kryengritësit e maleve t’i paraqiteshin botës së atëhërshme si përfaqsues të aspiratave të mbarë kombit shqiptar.   Lufta për liri e Malësorëve,  ishte simbol i vëllazërimit të kombit  shqiptar dhe tregoi se Shqiptarët kishin një atdhe që dëshironte liri dhe dritë dhe bashkim kombëtar.  Prijsi i Malësisë së Madhe dhe malësorët e tij nuk kishin filluar kryengritjen dhe luftën kundër pushtuesve për përfitime personale, ideologjike ose krahinore, por ishte një nismë e tyre për liri, jo vetëm për krahinën e Malësisë së Madhe, por ishte një luftë për mbijetesën e kombit shqiptar në të gjitha trojet e veta. Si e tillë, pra lufta e tyre kishte qëllime mbarëkombëtare.  Si frymëzuesi i këtyre përpjekjeve mbarë kombëtare, Ded Gjon Luli mbetet edhe në këtë 100-vjetor të vdekjes së tij, një mbështetës i përjetshëm i idealeve dhe i fateve afat shkurta dhe afat gjata të trojeve etnike shqiptare dhe bashkimit të tyre.

 Frymëzimi dhe e kryengritjet e Ded Gjo Luli dhe të luftës së Malësorëve ndez[n flake gjithë trojet etnike shqiptare për liri dhe vetqeverisje. Si rrjedhojë, gazetat europiane të kohës shkruanin për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo më si një frazë e zbrazët gjeografike, por për një popull që ishte në prak të lirisë dhe të çlirimit nga zgjedha shekullore  e pushtimit turk. Për një popull i cili dëshironte bashkim kombëtar të trojeve të tija etnike, ndër më homogjenet në Europë, pasi si sanxhak ottoman, Shqipëria ishte e ndarë në vilajete dhe administrohej nga një sistem i egër administrativ i imponuar nga otomanët.   Kryengritja e Malësorëve, në krye me Ded Gjo’ Lulin, frymëzoi pastaj edhe kryengritjet e tjera mbarë shqiptare  në Kosovë  dhe anë e mbanë trojeve të tjera shqiptare, duke  çuar më në fund në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me 28 Nëntor, 1912.   Dedë Gjo’ Luli, si rradhë ndonjë tjetër patriot shqiptar, pati guximin dhe trimërinë të sfidonte perandorinë osmane dhe kolonializmin e institucioneve të saj.  Si i tillë, ndryshoi përgjithmonë historinë e kombit shqiptar, duke e çuar atë drejtë fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe të pavarësisë politike në një shtet të pavarur, të quajtur Shqipëri.  Vepra e tij dhe e malësorëve të tij, mbetet sot e kësaj dite një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale dhe të vlerave atdhedashëse të malësorëve dhe të kombit shqiptar në përgjithësi për të jetuar në liri duke sunduar veten, larg influencave të huaja, kundër pushtuesve të huaj dhe të gjithë atyre që historikisht nuk ia kanë dashur kurrë të mirën shqiptarëve.

Gjithashtu, në këtë 100-vjetor të vrasjes së Ded Gjon Lulit, ne e ndjejmë veten kryelartë si malësorë, mbasi herojtë dhe dëshmorët e Kryengritjes së Malësisë së Madhe – kësaj kalaje të patundur arbërore ndër shekuj, ku nderi e burrënia përkundën në të njëjtin djep — si vëllëzër e motërat tona, të një gjaku, të një kombi, ata dhanë kontributin e madh duke ndezur flake kryengritje mbarë kombëtare, që më në fund çuan në shpalljen e Pavarësisë së shtetit shqiptar me 28 Nëntor, 1912, duke u bërë kështu dallëndyshet që paralajmëruan pavarsinë e shqiptarëve.  Ata, me heroizmin dhe sakrificën e tyre — si gjyshët dhe stërgjyshët e shqiptarëve ndër shekuj — i ndëjtën besnikë vlerave shekullore të fisit të shqiptarëve: mbi të gjitha drejtësisë dhe lirisë si dhe vet-sundimit të Kombit Shqiptar – besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë robërisë shekullore të perandorisë turke, si dhe armiqëve të afërt dhe të largët të kombit shqiptar ndër shekuj.  Ded Gjon Luli ishte personfikimi i këtyre vlerave shekullore të shqiptarit.

 Në këtë 100-vjetor të vrasjes në tradhëti të Ded Gjon Lulit, duhet të kujtojmë, se ai dhe kryengritsit e tij malësorë i erdhën në ndihmë tokës arbërore, ndoshta në periudhën më kritike të historisë së saj.  Në një kohë kur dukej sikur shpresave shekullore të shqiptarëve për liri por edhe identitetit arbëror të shqiptarëve po u vinte fundi dhe kur tokat shqiptare ishin venë në ankandë – dhe kur armiqtë e shqiptarëve me influencë nepër kancelaritë e Europës, përpiqeshin të bindin botën se nuk kishte komb shqiptar.  Kryengritjet e malësorëve të udhëhequr nga Ded Gjon Luli, i treguan Europës se, po këtu ka një komb shqiptar, se kjo tokë e vjetër nuk mund të nxirret në ankand për tu shitur. Duke ngritur flamurin e Gjergj Kastriotit Skënderbe për here të pare ndër shekuj, ata e ringjallën atë, duke ndërruar përgjithmonë fatin dhe epokën e Shqiptarëve.

Si i tillë, Ded Gjon Luli është i të gjithë Shqiptarëve, anë e mbanë trojeve etnike  në Shkodër, Tiranë, Gjirokastër, në Shkup e Manastir, në Prishtinë e Prizren, në Ulqin e në Tivar. Trimëria dhe vendosmëria e herojve të kombit si Ded Gjo Luli,  ndaj avancimit të kauzës për liri e pavarësi mbarëkombëtare mbrenda kufijve etnikë të shqiptarëve, janë arritje të cilat në mënyrën e tyre unike, kanë kontribuar dhe duhet të vazhdojnë të frymëzojnë dhe të kontribojnë në formimin e ndërgjegjës dhe të zhvillimit kombëtar edhe sot.

Në këtë 100-vjetor të vdekjes së Ded Gjon Luli meriton të njëjtin respekt që i akorduan atij rilindasit e kombit dhe baballarët e pavarësisë së Shqipërisë, si Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi.   Mungesa e respektit për Ded Gjo Lulin si person dhe e veprës së tij atdhetare do të konsiderohej si një mungesë vlerash kombëtare e brezit të sotëm të klasës politike shqiptare për të cilat luftoi dhe vdiq 100-vjetë më parë Ded Gjo Luli.  Vlerat e tyre ishin të qenët besnik Atdheut, drejtësisë dhe lirisë së Kombit Shqiptar — besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit njerëzor, përballë sfidave me të cilat përballen sot shqiptarët anë e mbanë trojeve të veta. Ded Gjon Lulit nuk i është njohur gjithmonë kontributi i tij i vërtetë në historinë mbarë kombëtare të shqiptarëve.  Fan Noli, pasi ka shkruar  me një rast se ndonëse Ded Gjon Luli e kishte tërhequr atë shumë,  “për trimëritë, mençurinë, guximin dhe vetëdijen e lartë që kishte dhe për sakrificat që bënte për Atdheun e tij”, Noli shprehet se, “Jam ndjerë i pezmatuar, kur vonë u rehabilitua nga sistemi komunist dhe shumë pak u përmend”, Ded Gjon Luli.  “Rregjimi komunist me heshtjen e tij e dënoji për së vdekuri heroin e luftrave për Flamur dhe Pavarësi,  Dedë Gjo Lulin. Fatkeqsisht është kjo një heshtje që vazhdon edhe në periudhën post-komuniste. Megjithëkëte, “Historia vonon, por nuk harron”, ka shkruar Fan Noli në kujtim të heroit mbarëkombëtar, Ded Gjon Lulit. Çdo komb tjetër po mos të kishte një hero si Ded Gjo Luli, do ta çpikte një të tillë.

Dedë Gjo Luli ( 1840- 24. 9. 1915)

Kur i patën thënë Plakut të Flamurit, Ismail Vlorës, i cili e kishte përcjellë Dedë Gjo Lulin vetë deri tek dera,- pse i batë aq nderime këtij katundari malësor ? ai i qe përgjigjur :

– Dedë Gjo’ Luli është pushkë e ngrehur për Shqipërinë

Dedë Gjon Luli (1840 – 24 shtator 1915) ishe udhëheqës i shquar i Malësisë së Mbishkodrës në luftën për çlirimin kombëtar dhe për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut. Është i shpallur Hero i Popullit. Në vjeshtën e vitit 1840, në Traboin, Gjon Lulit i kishte lindur djali i parë dhe i vetëm në shtëpinë e tij i cili kishte trashëguar emrin e gjyshit, Dedë Broçit. Ai edhe pse trupvogël në kuvendet e malësorëve njihej për dije të gjerë dhe trimëri të mëdha në ato anë. Deda qysh në moshë të re ishte martua me Prende Gjeloshin nga Selishta e Grudës, me të cilën kishte pasur katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza të cilët i pati krah gjatë gjithë luftërave kombëtare për mbrojtjen e Atdheut.

Nuk ishte më shumë se 21 vjeç, kur trimi Oso Kuka në Vraninë, shkroi historinë e qëçndresës, i cili pasi luftoi deri në fymën e fundit kundër malazezve, nuk u dorëzua i gjallë, por i vuri zjarrin kullës. U shkrumbëzua dhe la pas këngën – epope të trimave, këngë që mbajti gjallë jo vetëm emrin e trimit, por dhe vetë historinë e shkruar përmes vargjesh që rapsodët thurën për trimat. Epopeja që shkroi Oso Kuka, i mëkoi trimat e Dedë Gjo Lulit me më shumë atdhedashuri,- u përcolli në ashtën trimërore malësorëve më shumë ndjesi vetmohimi për komb e atdhe. Ndër luftëtarët që i kishin ardhë në ndihmë Vraninës, binin në sy shumë hotianë dhe malësorë të Grudës, ndër ta dhe djaloshi 21 vjeçar Dedë Gjo’ Luli. Ajo ditë është quajtur nga bibliografi i tij si dita e pagëzimit në zjarrin e luftës. Ishte një sprovë që i dha emër prijësit të ardhshëm të maleve. Dhe që nga ajo ditë, kur dëgjoheshin lajme lufte, malësorët thërrisnin: hej të lumtë pushka, Dedë Gjo’ Luli! Ku kërciste pushka për “komb” e “Shqipni” në krye ishte ai, trimi i Gjo’ Lulëve. Në të gjithë malësinë e Shqipërisë së Veriut, Hoti ishte bajrak me emër, bajrak i parë, prandaj ai përfaqësohej në të gjithë kuvendet. Edhe në Lidhjen e Prizrenit, Hoti pati përfaqësuesit e vet, mes tyre ishte dhe prijësi i ardhshëm Dedë Gjo’ Luli, i cili ende nuk ishte bërë aq i njohur, por pushka i ishte ndjerë. Pjesëmarrja e tij ne Kuvendin e Lidhjes, ballafaqimi me patriotet e mëdhenj te Rilindjes, te penës dhe pushkës, ishte më shumë se një shkollë për rrugën e vështirë nëpër të cilën do të ecte trimi i maleve, nën hijen e pandashme të pushkës. Pas Kuvendit ai do të ishte i kudogjendur në mbrojtje të trojeve kombëtare.

Mori pjesë në qëndresën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit e të Grudës që qarqet shoviniste malazeze kërkonin t’i aneksonin në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit. Lidhjes shqiptare të Prizrenit i duheshin organizim i njëmendët dhe veprime të shpejta ngase Pas vendimeve të Kongresit të Berlinit për dorëzimin e tokave shqiptare, vendeve fqinje, forcat turke largoheshin nga pozicionet të cilat duhej ti zinin forcat e lidhjes shqiptare të degës së Shkodrës, para se t’i pushtonte ushtria malazeze duke u konfrontuar shpesh me ushtritë e tyre pushtuese. Dedë Gjon Luli kundër malazezëve, kishte luftuar edhe në vitet 1880-1881 dhe Ai tashmë i kishte bindur të gjithë se ishte mjeshtër i rrallë i luftës dhe shfrytëzimit të terrenit të cilin e njihte me pëllëmbë në ato anë, duke mos u koritur asnjëherë përballë armikut, e as atëherë kur u priu forcave shqiptare, me pushkë në dorë kundër ushtrisë së Malit të Zi, të cilën e udhëhiqte, ish-shqiptari i dikurshëm i Fisit të Kuqit i kthyer në malazez-Mark Milani, me të cilin Dedë Gjon Luli, në krye të 18 trimave të zgjedhur të Hotit dhe Grudës, do të matej tek ura e Rrzhanicës. Aty mbeten të vramë vetëm nji malazez e nji malcor shqiptar, sepse as Mark Milani s’e donte at konflikt ngaqi kishte martue të bijen në Hot.

Ushtria malazeze kishte organizuar edhe disa sulme me 23 dhe 24 prill, që të pushtonte pozicionet e ushtrisë shqiptare, por pa sukses ngase Forcat e Hotit dhe të Grudës të udhëhequra nga Ismail Marku dhe Baca Kurti thyen sulmet e armikut malazez dhe me qëndresën në frontin e Hotit dhe të Grudës i cili zgjati për disa muaj, tendencat malazeze për pushtimin e Hotit dhe Grudës kishin dështuar. Siç dihet nga historia, në pranverën e vitit 1881, Hoti dhe Gruda ishin djegur nga turqit dhe Dedë Gjon Luli për afro tri vite, ishte detyruar ta linte malësinë dhe të strehohej në shtëpinë atdhetare të Qerim Binak Alisë së Krasniqes dhe të Mehmet Shpendit në Shalë të Dukagjinit, në shtëpinë njohur atdhetare të Binak Alisë, te Mehmet Shpendi i Shalës e gjetiu. Pas kthimit në Malësi, disa kohë jetoi ilegalisht nepër shpella të Hotit e në vende të tjera të Malësisë.

Luftëtarët shqiptar me Dedë Gjon Lulin në krye, nuk ishin dorëzuar, ata po prisnin rastin e përshtatshëm për tu kthyer në Malësinë e tyre dhe me 26 prill të vitit 1883 në Kuvendin e mbajtur në Kastrat, kishin vendosur të formonin “Lidhjen e Vogël” e cila jo vetëm se do ta kundërshtonte dhurimin e tokave tona vendeve fqinje nga Turqia por edhe do të mbronte trojet shqiptare me armë në dorë nga sulmet e pareshtura pushtuese të Malit të Zi. Kështu që Hafiz Pasha në qershor të vitit 1883 do të organizonte një ekspeditë ushtarake ndëshkimore për çarmatosjen dhe nënshtrimin e Malësisë së Madhe, për ti detyruar me forcë shqiptarët që të pranonin dorëzimin e tokave të tyre, duke djegur Kastratin, Hotin e Grudën, me ç`rast luftime të ashpra ishin përhapë edhe në Spi, Qafë Kishë dhe Traboin, ku forcat mbrojtëse të udhëhequra me shumë sukses nga Dedë Gjon Luli të cilëve me ardhjen në ndihmë të Hotit, Grudës dhe Trieshit, e kishin detyruar Hafiz Pashën që të kërkonte armëpushim. Pas luftërave të Serbisë me ushtrinë e Perandorisë Osmane, gjatë viteve 1876-1881, ajo e ndihmuar edhe nga Rusia, kishte arritur që në vitin 1878 ti pushtonte; Pirotin, Prokuplen, Toplicën, Sanxhakun e Nishit dhe pjesë të Kosovës verilindore nga të cilat kishte përzënë të gjithë shqiptarët që jetonin atje,duke bërë spastrimin e plotë etnik dhe aneksimin e tyre. Mirpo, familja e tij ishte shumë e lodhur ekonomikishtë, pasi Deda nuk gjindej në shtepi, ishte i arratisur si lexuam më lartë, e për ketë shkak frati i Brigjes Át Agostini shkruante, me 29 janar 1886, Argjipeshkevise së Shkodrës: “se shume i nderuami Dede Gjo’ Luli i pari i arratisun gjendet ne kushte shume te veshtira jetese, i mungon deri buka. Familja e tij asht e madhe saqi ni kal miser nuk i mjafton as dy jave. Shtepine e djegun sapo e kane mbulue nji cope. Te ndimohet se asht ma i ndershmi dhe ma i dashtuni ne keto male”. Kurse Malit të zi iu kishin dhënë për fillim, trojet e shkëputura shqiptare si Fudnat, Koja dhe Trieshi. Luftëtarët shqiptar, përveç luftës fizike në frontet e mbrojtjes së trojeve të tyre, ata kishin bërë përpjekje edhe në mënyrë diplomatike për ruajtjen e integritetit territorial,duke iu drejtuar konsujve evropian me kërkesa të formuluara në formë të shkruar, përmes letrave që ua kishin dërguar atyre, duke ua bërë të qartë se nuk i pranonin vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit dhe se ishin betuar që tokat e tyre, të mos i lëshonin pa luftë. Këto letra i ishin dërguar ambasadorit të Austrisë, me 1 mars të vitit 1880 dhe me 4 Prill të po atij viti edhe konsujve tjerë evropian në Shkodër. Në letrat që malësorët i drejtonin konsujve, e bënin të qartë betimin se asnjë copë tokë nuk do të lëshonin pa luftë. Në letrën që iu çua i ambasadorit të Austrisë, me 1 mars 1880, malësorët shkruanin : “…Të jeni të sigurtë se po të ndodhë kjo padrejtësi që nuk e besojmë, do të ndodhin medoemos gjana të papëlqyeshme…”. “Valiu i Shkodrës Bedri Pasha, u gjet ngushtë se s’kishte forca të mjaftueshme për t’iu bërë ballë kryengritësve. Prandaj u vu të shfrytëzonte fanatizmin fetar të myslimanëve duke iu thënë se “Dini” ishte në rrezik dhe duke i gënjyer se gjoja të krishterët donin të sillnin në Shkodër Malin e Zi. Me këto intriga mujti të mblidhte një turmë shqiptarësh myslimanë prej Shkodre dhe t’i dergonte për të luftuar kundër vëllezërve të tyre katolikë. Por këta “mbrojtës” të “Dinit” u shpartalluan shpejt; disa u bashkuan me kryengritësit. Për fat të mirë, ky dram i shemtuar vëllavrasjeje nuk u përsërit më në Shqipërinë e Veriut.”[2] Në letër malësorët përcjellin mendimin e tyre se ata ishin të vendosur që të jetonin të patundur në viset e të parëve. Por fuqitë e Mëdha e kishin shitur Shqipërinë. Trojet kishin dalë në ankand. Me 4 prill një tjetër letër u është drejtuar konsujve në Shkodër. “Na dëshirojmë me jetue e me gëzue lirinë për të cilën jemi kryenaltë; na nuk kishim ndejë pa kundërshtue, cilindo qoftë për ndërrimin e fatit tonë. Prandaj kemi vendose me derdhë pikën e fundit të gjakut tonë para se me hy në zgjedhën e huej. Ideja kombëtare na bashkon për mbrojtjen e Atdheut tonë…” Por dukej se Evropën nuk e linin këmborët e fqinjëve tanë, që të dëgjonte zilet e shqiptarëve. Pazarllëqet ishin bërë me kohë.

Ded Gjo Luli, shkrue ka letër,

t’parit Shkodres o ia ka çue,

Se Shqipnia nuk don tjetër,

veç don vedin m’e sundue…

Për të kuptuar përmasat e figurës së Dedë Gjo’ Lulit, për të prekur simbolin e mburojës kombëtare, mjafton të sjellim për lexuesit vargjet e shkruara më 1913 nga poeti dhe studiuesi Risto Siliqi:

Ah, Qe prap don’ t’na dajnë copa!

Prap mendimi i parë asht ngjallë!

Por ta marrë vesh gjithë Evropa:

Dedë Gjo’ Luli prap asht gjallë!

Falë trimërisë së malësorëve, fqinjët ishin zmbrapsur nga trojet tona përmes pushkëve që mbaheshin në krah. Dedë Gjo’ Luli me djemtë e Hotit e kishin ngritë Flamurin e Skënderbeut, shumë më herët se sa në Vlorë. Madje në fund të marsit – fillim të prillit, ai gatit për ta shpalos për të dytën herë mbi Deçiç. Palok Traboini, që më 1911 kishte sjellë tre flamujë prej Vjene; njërin ia kishte dorëzuar Dedë Gjo Lulit, të dytin Ujkës së Grudës e të tretin Prel Lucës së Trieshit. Në librin “Lufta për çlirim kombëtar” të P. Pepos, kjo ngjarje është përcjellë me emocion: “Ditën e dielë, më 6 prill 1912 u mblodh popull i madh të kisha e Traboinit, Kol Ded Gjoni me urdhën t’tet, Dedë Gjo’ Lulit, e hapi flamurin kuq e zi. U ba nji rreth i madh njerzish e Kola tha: “Shiqo popull! Nji ky asht flamuri i Shqipnisë, i kuq me shqipe të zezë me dy krena”. Të gjithë ndenjën pa za. Mandej u ba një batare pushkësh e ushtuen malet për rreth. Hare ma të madhe s’ishte pa ndonjëherë ndër hoten. Të gjithë ndënjën pa za. Mandej u ba nji batare pushkësh e ushtuene malet përreth. Hare ma të madhe s’ ishte pa ndonjiherë ndër hoten. At ditë edhe Dok Ujka te Kisha e Grudës e Prel Luca në Triesh ngritën flamurin e Shqipnisë.

Ndërsa mësuesi, poeti dhe luftëtari i lirisë, Palok Traboini, çastin e sjelljes së flamurit e ka perjetësuar në vargje:

Tue krisë pushka shpat e n’shpat

Një djalë Hoti vjen prej larg

Pa pikë frymë prej Dalmacisë

Ded Gjo Luli ku e ka nisë

Me prue flamurin e Shqipnisë.

 Valiu i Shkodrës nuk i ndërpreu përpjekjet e tij për të futur nën sundim me ligjet e Turqisë malësorët. Përveç dëshmive dhe kronikave të përcjella, nga shtypi i kohës, përsëri na vjen në ndihmë Palokë Traboini me poemën “Lufta e maleve”, i cili jep përmasat e figurës shumë popullore, Dedë Gjo Luli :

Kjo malsia kur ndigjoji

Dedë Gjo Lulit fjalë i çoi,

Çoi me e thirrë e me e pvetë

Dedë Gjo Luli trim dai,

qi s’i lè shoqi n’Malsi

bashkë me fise ban davi:

Unë i herë, thom sa për veti,

armët e brezit nuk i hjeki…

Dhe kështu ndodhi. Ai mbeti tërë jetën me pushkën krahut. Ashtu siç luftoi pa e njohur kompromisin me pushtuesin turq me 1911, ku ai spikat si një ndër figurat kyç të kryengritjes, po ashtu kishte luftuar dhe kundër malazezëve me 1880-1881. Ai ishte mjeshtër i rrallë i shfrytëzimit të terrenit që e njihte me pëllëmbë dhe asnjëherë nuk u korit përballë armikut.

Në këngët e popullit është gdhëndur si një hero legjendar, që mundi dhe gjeneralin me akademi Shefqet Turgut Pashën, i cili në krye të katër divizioneve, 16 batalione, msyni malet. Gjenerali që qe shprehur se Ballkani ishte i vogël për me provue aftësitë ushtarake, do të ndjehej i poshtëruar nga sfida që i bënë 3500 shqiptarë të armatosur me ca pushkë të vjetra, të cilët vërtetë e humbën në fillim orientimin, se viheshin për herë të parë përballë mitralozëve që përdornin turqit, por shpejt do ta bënin gjeneralin që të kthehej me turp. Të njëjtën sfidë do t’i rezervonin trimat edhe Abdulla Pashës.

Në vitet e fundit të shekullit XIX Dedë Gjo Luli u aktivizua përsëri në lëvizjen për autonominë e Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjen e përfaqësuesve të popullsisë së Shkodrës që vendosi bashkimin me Lidhjen e Pejës. Aftësitë e tij si organizator, si prijës luftarak dhe si udhëheqës popullor, u shfaqën sidomos gjatë Kryengritjes antiosmane të 1911. Nën udhëheqjen e tij malësorët e Hotit, të Grudës e të Kelmendit korrën suksese të rëndësishme kundër forcave osmane dhe e detyruan qeverinë xhonturke të hynte në bisedime me ta.

Në ashkëpunim me qarqet patriotike, ata parashtruan në Memorandumin e Greçës kërkesën për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë. Dedë Gjo Luli i qëndroi besnik deri në fund luftës për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar. Natën e 11 korrikut 1912 rrethueme Samoborrin dhe e mormë pa lind dielli. Më 12 korrik u ramë 50 nizamëve që po ktheheshin prej Bukoviçit, ku kishin çue ushqim. I qitme fare, gadi krejt, veç disave që ranë në dorë. Mbeten dekun prej nesh Lek Ded Vuji dhe u varrue Zef Met Haxhia. Në at gjak të nxehtë, mbas një çerek sahati, rrethueme Nokonjelin, nji kodër me istikam përballë Bukoviqit. Mark Ded Gjo Staka, Palok Traboini dhe unë ja mbrrime buzë istikamit. Nji nizam qiti mauzerren për frangi për t’na çartë. Mark Ded Gjo Staka i ndëj gati e i kapi pushkën. Nizami s’ e lëshoi, Por Marku, burrë i lidhun i dha vedit e ra ledhi megjithë nizam. Paloka pa lanë kohë ndermjet vrau oficerin turk. Atëherë Hoti u turr nëpër ledh e afër 80 nizamë ranë në dorë se s’kish kush t’i udhëhiqte.[4]

Edhe pas Shpalljes së Pavarësisë, për shkak të gjendjes së krijuar nga luftërat ballkanike e vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Dedë Gjo Luli iu desh, megjithëse në moshë të thyer, të vazhdonte luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar. E tërë jeta e Dedës dhe familjes së tij është një shembull i papërsëritur atdhetarie. Një familje gati e shuar, por një familje, që kujtohet e nderohet për bëmat në emër të Atdheut. Kur do të binte i pari i dëshmor i fisit, Nik Gjelosh Luli, ai që më 6 prill 1911 kishte hedhe për tokë flamurin me gjysëm hënë, Deda do ta ndjente shtypjen e zermës prej dhimbjes. Por ai nuk do ta jepte veten as kur i dhanë gjëmën e rënies së të birit, Gjergjit, 22 vjeçar. Në betejën e 29 gushtit 1912, kishin rënë shumë luftëtarë. Kur do t’ia jepnin lajmin Dedës, për të mos e lënduar, i thanë :

– Dedë, kanë mbetë 20 hotianë në fushë të luftës.

– Po burrat në luftë do të mbesin, qe përgjegjur ai.

– Po mbeti dhe djali yt, Gjergji.

– Po dhe ai djal nane ishte, qe përgjigjur Deda, duke e gëlltitë dhembjen.

Pas tre vjetësh do të vritej vetë Deda, shtator 1915 në Sheshëz afër Oroshit, nga një pritë e bërë nga malazezët e serbët. Djali tjetër, krahu i djathtë i tij ndër beteja, Kola, do të jepte shpirt tre vjet pas të atit, me 1918, i helmuar. Më 1920, në verilindje të Shkodrës, do të binte me armë në dorë Luc Nishi, i biri i Nish Gjelosh Lulit i djathtë i tij ndër beteja. Jo vetëm këta, por dhe nipi i Dedës, Zef Lan Ula, vëllai prej nëne, Baca Xheka, miqtë e shtëpisë, Kolë Marash Vata, Kolë Kurti, e të tjerë e zgjasin shumë listën e dëshmorëve për Atdheun të këtij fisi.

Nga ana e saj Shkodra e nderoi vetëmohimin e familjes Gjo’ Luli. Në maj të vitit 1923, me përpjekjet që banë e bija Nareja dhe e reja Nora, (Bashkëshortja e Kolës), u bartën prej Oroshit eshtrat e Dedës dhe prej Vlore ato të Kolës dhe u sollën në Shkodër.

Mitingu i përmortshëm i përcjellë nga i shtypi i kohës ishte i jashtëzakonshëm. Shkodra nderonte ata që gjakun nuk e kishin sakrifikuar për Atdhe. Në gazetën “Ora e Maleve”, (Viti 1923, nr. 8) përcillen fjalët e Gjok’ Lulit: ”Të falem nderës, moj Shkodër… Por ma tepër të falen nderës edhe gurt e Hotit. Nuk e kam besue se i dini këto punë e pasha këto eshtna që kena përpara edhe sa mashkuj, që të kenë pesëqind shtëpi në Hot kanë me dekë për Shqipni!” Ndërsa deputetët shkodranë nga Tirana nisen telegramin: “Bashkohemi me evari në nderimet që Shkodra po i kushton kujtimit të Dedë Gjo’ Lulit, tue krye detyrën e mirënjohtësisë ndaj Fatosit të Pavdekshëm që nga ma të parët ngrehi flamurin e lirisë se Atdheut mbi krepat e përgjakun të Malcisë së Madhe. Si përfaqësues të Shkodrës lutemi na zevëndësoni në ceremoni.” Ceremoninë e përshëndetën edhe shumë shkodranë që jetonin në Tiranë.

Në një telegram të tyre shkruhej: “Ditën kur Shkodra kryen detyrën ndaj Dedë Gjo’ Lulit, që gjithë jetën ja kushtoi atdheut dhe ushqeu në gjak lirinë, zemrat tona rrahin përnjëherë me ato të bashkëqytetaseve tanë të bashkuem në vorrin e nderimit për Fatosin e Malëcisë së Madhe.” Edhe ky telegram është i botuar në gazetën “Ora e Maleve”.

Ndërkohë në Shkodër qe formuar dhe “Komiteti Dedë Gjo’ Luli”, që do t’i ngrinte një monument këtij patrioti të shquar. Luigj Gurakuqi, i zgjedhur bashkë me Avni Rustemin e Risto Siliqin, anëtar nderi të komitetit, shkruante: “…due të shtoj dy fjalë edhe mbi dy inisiativa të tjera që janë marrë; me i ngritun një monument edhe kreshnikut tonë me famë botërore Skënderbeut e malcorit të madh Dedë Gjo’ Luli…” Patrioti tjetër i shquar, Avni Rustemi, do të shkruante që nga Roma: “Gëzohem që u muar inisiativa për t’i ngrehur një monument Burrit pa frikë e pa njollë të malësive tona, që kështu të jehojë emri i të ndjerit në brezat e ardhshëm. Ju faleminderit që më keni emëruar si pjesëtar nderi.”

Poeti Risto Siliqi do të shkruante fjalë zëmre për luftëtarin e madh: “Sot pa farë dyshimi mund të thuhet se gjeneracioni i jonë i sotshmi e ka kuptue rëndësine e veprave patriotike… që trupat e fatosave martirë të shporuem pa mëshirë me bajonetat e armikut mos të kalben nën dhè bashkë me veprat e tyre. Emni i Dedë Gjo’ Lulit, i cili nuk triumfoi me kombinacione, por me vepra të gjalla, që e dëshmojne edhe krepat e thepishme të maleve tona, vuloset i gdhëndun në historinë tonë kombëtare”[7].

… Dhe emri i tij u gdhënd në histori përjetësisht. Fundi i tij ka mbetur sfidë atyre që i morën jetën. Një rapsod mirditor e ka fiksuar në vargje fundin e kreshnikut të maleve :

Në Bjeshkë t’Oroshit na u derdh zani

Se ç’ban m’ne serbjani.

Si ata trimat i kanë rrethue

Me vargoj na i kanë shtrëngue.

Zana e malit t’jam ankue

Curril gjaku a’ tue shkue.

Mu në Shëshëz burrit t’botës

Pa iu trëmb qerpiku i lotës

Serbi thikën i ngul në krahnuer

Dedë Gjo’ Luli’ burrë malëcuer

S’u përkul as nuk u tut

Por po i thotë këto fjalë açik:

Gjaku em të të shkojë fli

Për me pshtue të ngraten Shqypni…

Ai edhe pse e parandjeu grackën, edhe pse e paralajmëroi vetë Nora, reja e tij, që ai e thirrte me përkëdheli “Djali ma i mirë i babës”, që të mos udhëtonte në kohë të turbullta, për besë burrash shkoi në takim. Vetëm, kur në vend të prijësve, i doli përpara kapiteni serb Gjura, ai gjakftohtë, u tha mirditorëve, që e shoqëronin : – … paskemi mbarue! Nuk e dha veten. As kur e prenë me bajonetë bashkë me shtatë mirditorët (1. Mark Llesh Doda, 2. Ndue Kol Pjetri, 3. Zef Ndue Gjoka, 4. Preng Qup Deda, 5.Preng Gjok Skana, 6.Bib Marlula dhe 7.Llesh Deda), nuk e lëshoi veten dhe dha jeten në Sheshëz t’Oroshit në Mal të Shejt, e atje në grykë të shpellës së Akullit, që është 15 metra e thellë në tokë. “Bash njiashtu si vepruen turqit me eshtnat e Gjergj Kastriotit e me prelatin e lavdishëm Imzot Pjetër Bogdanin, apo si vepruen ma vonë komunistat, tuej nxjerrë prej vorrit eshtnat e Mons. Jak Serreqit, Mons. Lazër Mjedjes, Mons. Gasper Thaçit, Mons. Ernest Cocit, Mons. Bernardin Shllakut e At Gjergj Fishtës e së bashku me atë, pa dijtë gja, të Dedë Gjo’ Lulit, eshtnat e të cilit françeskanët i kishin ruejtë në vorret e tyne për t’i ba nji monument”[8]. Dhe me 18 mars të vitit 1964 do të vdiste edhe Nora, pjesëmarrësja e të gjitha luftërave të lavdishme për çlirimin e vendit dhe bashkimin gjithë shqiptar,dhe dëshmitarja e fundit e një tradhtie të madhe mbi vrasjen në prit të një luftëtari të dëshmuar kombëtar. (Vikipedia)

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …