Shkolla Shqipe Zvicër/ Hapet pika shkollore në Dulliken të kantonit të Soloturnit

Shkolla Shqipe Zvicër: Hapet pika shkollore në Dulliken të kantonit të Soloturnit

… nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse aty ku bëhen përpjekje, sukseset nuk mungojnë. Pas një pune të përkushtuar në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare të prindërve të Dullikenit, mësueses Besarta Halili dhe koordinatorit të “Shkollës shqipe” në Zvicër, Vaxhid Sejdiut u bë e realizueshme që fëmijët të fillojnë me mësimin në gjuhën amtare. Dhe këto fotografi të bëra ditën ndërkombëtare të arsimit, më 24 janar 2024 përcjellin një mesazh shpresëdhënës për gjuhën shqipe.

Përpjekjet e vazhdueshme për ta shtuar numrin e nxënësve të pikave shkollore në Zvicër vazhdojnë edhe gjatë këtyre ditëve edhe pse viti shkollor ka filluar qysh në muajin gusht 2023. Koordinatori i “Shkollës shqipe” në Zvicër z. Dr. Vaxhid Sejdiu së bashku me prindërit vazhdon me një përkushtim të veçantë siç është dokumentuar gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit me të vetmin qëllim që në orët mësimore në gjuhën shqipe të kemi sa më shumë nxënës.

Nxënësit, në orën e gjuhës shqipe, në pikën shkollore në Dulliken të Kantonit të Soloturnit

Pra, thënë shkurt edhe pika shkollore e porsahapur në Dulliken të Kantonit të Soloturnit i bashkëngjitet pikave tjera shkollore në gjuhën shqipe në mbarë Zvicrën. Ju bëhet thirrje të gjithë prindërve të kësaj komune, që fëmijët e tyre t`i regjistrojnë në mësimin në gjuhën shqipe. Mësimi zhvillohet çdo të mërkure në shkollën fillore Dulliken nga ora 13:30 – 15:15. Mjafton një telefonatë në tel. kujdestar 076 321 26 94 dhe regjistrimi është punë e kryer.

Mësuese Besarta Halili, së bashku me nxënësit e saj në shkollën shqipe

Ashtu siç ka thënë dekada më parë dijetari i madh shqiptar Sami Frashëri se “Shenja e kombit është gjuha. Kur një komb e humb gjuhën, ai e humb edhe veten, në të njëjtën linjë janë edhe ekspertët zviceranë të edukimit, të cilët sa herë flasin për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve rëndësi të veçantë i kushtojnë edhe mësimit të gjuhës amtare.

Dhe më këtë rast nxënësit të cilët sa po filluan me mësimin e gjuhës shqipe: Erisi, Era, Joriku, Liana, Eniku, Ledijoni, Dritjona si dhe të tjerët të cilët do t`iu bashkëngjiten në javët në vijim ju bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre që të regjistrohen në shkollën shqipe sepse nuk ka kënaqësi më të madhe kur mësojmë, ruajmë dhe zhvillojmë gjuhën e të parëve tanë, gjuhën e nënës – gjuhën shqipe.

Mesazhi ynë: “Ejani fëmijë – shqip të mësojmë”  është mesazh i përjetshëm sepse pa këtë gjuhë, thënia: “jam shqiptar”, lenë shumë për të dëshiruar.

“Shkolla shqipe” – Zvicër

Sektori për informim

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …