OKB-ja ka bërë thirrje për vazhdimin e financimit të agjencisë së ndihmës në Gazë

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje për vazhdimin e financimit të agjencisë së ndihmës në Gazë. Radio Evropa e Lirë njofton se sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u ka bërë thirrje shteteve që të vazhdojnë financimin e agjencisë kryesore që ofron ndihmë në Gazë, pasi dhjetëra punëtorë të agjencisë u akuzuan se kanë marrë pjesë në sulmin në Izrael që nxiti luftën katër muaj më parë. Ai ka tërhequr vërejtjen se agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur me akronimin UNRWA, do të detyrohet të reduktojë ndihmën për më shumë se 2 milionë palestinezë në shkurt. Enklava bregdetare është mbërthyer nga një krizë e rëndë humanitare, me çerekun e popullsisë që po përballet me uri. “Dhjetëra mijëra burra dhe gra që punojnë për UNRWA-në, shumica nga të cilët punojnë në situatat më të rrezikshme për punëtorët humanitarë, nuk duhet të penalizohen. Nevojat e mëdha të popullatës së dëshpëruar për të cilët ata shërbejnë, duhet të përmbushen” ka theksuar sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi i Kosovës shënon virtualisht Ditën e Demokracisë

Kuvendi i Kosovës diskuton në Seancë Plenare për Buxhetin e Vitit 2025

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen në seancë plenare për shqyrtimin e dytë të …