Ahmet Qeriqi : Në pritë të forcave serbe kanë rënë dëshmorë disa luftëtarë të lirisë në Rogovë të Hasit. Në Londër tubohen përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, 29 janar, 1999

Ahmet Qeriqi : Në pritë të forcave serbe kanë rënë dëshmorë disa luftëtarë të lirisë në Rogovë të Hasit. Në Londër tubohen përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, 29 janar, 1999

Në lajmet e mëngjesit bëhet e ditur se sot në Londër do të tubohet Grupi i Kontaktit. Përfaqësuesit e pesë vendeve më të mëdha të botës do të tubohen në Londër për të diskutuar zhvillimet më të reja në Kosovë pas masakrës që kriminelët serbë kanë kryer dy javë më parë, në Reçak.

Grupi i Kontaktit në platformën e vet politike ka përcaktuar zgjidhjen paqësore të problemit të Kosovës dhe nuk parasheh ndëshkimin e Serbisë, as e pranon luftën tonë çlirimtare.

Diplomatët e këtij organizmi politik, diplomatik, kërkojnë ndërprerjen e luftimeve, me kusht që të fillojë dialogu politik në mes të përfaqësuesve të Beogradit dhe klasës pacifiste të Rugovës.

Është me rëndësi fakti se regjimi i Milosheviqit i trimëruar pas dështimit të Marrëveshjes  së Tetorit të vitit të kaluar, nuk do të bindet as kësaj radhe, meqë e ka kuptuar se frikësimi i faktorit ndërkombëtar përmes NATO-s tanimë nuk është serioz.

Krejt kjo do t`i thellojë edhe më tej kontradiktat dhe do ta pamundësojë zgjidhjen politike të çështjes së Kosovës.

Sot janë nisur për në Prishtinë Sheqir Zeneli dhe Qemal Aliu. Sheqa konsideron se ende nuk janë krijuar kushte që edhe ai ketë punë të mjaftueshme në Radio apo në Agjenci.

Ai, megjithatë do të  mbajë kontakte dhe do të na vizitojë herë pas herë, ilegalisht. Qemali shkon për ta parë familjen dhe për të pushuar dy tri ditë.

Në kohën kur po bëheshim gati për ta përmbyllur emisionin ditor, nga Zona Operative e Dukagjinit na bëjnë me dije se  mbrëmë në orët e vona të natës, një grup prej dhjetëra luftëtarëve të lirisë, kanë rënë në pritë të forcave të armatosura serbe. Disa prej luftëtarëve kanë rënë te Ura e Bishtazhinit e disa të tjerë në Rogovë. Pas luftimeve të përgjakshme forcat serbe kanë hyrë nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe kanë vrarë e masakruar dhjetëra shqiptarë për të cilët është menduar se i kanë strehuar luftëtarët e UÇK-së.

Mendohet se kanë pësuar 24 veta, në mesin e tyre 16 luftëtarë, të cilët kanë qenë duke shkuar në Shqipëri për armatim.

Ende nuk kemi të dhëna për identitetin e të rënëve…

Në mbrëmje jam nisur në drejtim të Kizharekës. Rruga është përplot dëborë dhe shumë e vështirë për të lakuar këmbë. Meqë rruga deri në Kizharekë është krejtësisht teposhtë  kalohet lehtë, mirëpo si do të arrij të ngjitem nesër.

Në vendin e caktuar pret Ali Mullini. Ai më tregon se edhe dje më ka pritur deri në orën 18.00. Vetëm pasi është bindur se nuk mund të depërtohet nëpër dëborë prej Berishës në Kizharekë është kthyer.

Në mbrëmje ka ardhur për të biseduar Reshat Gashi, së bashku me mikun e tij, Besim Gashi nga Pjetërshtica.

Besimi e ka rishtruar çështjen për 65.000 DM, të cilat sipas tij duhet t`i kthehen, për armët që ai i ka blerë me vetë iniciativë, por që ndërkohë iu kanë ndarë ushtarëve. Asokohe, Besimit i kanë premtuar se do t ia kthejnë të hollat. Besimi dhe Reshati e bëjnë këtë bisedë me mua me qëllim që t ua përkujtojë atyre në Shtab, edhe pse e dinë se unë nuk kam kompetenca të tilla.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Naim Imeri sot herët është larguar në rrugëtimin e tij të përhershëm nëpër Blinajë. Elezi …