Ali Mullini sot është vonuar. Ai ka pasur një shqetësim të papritur. Pasi ka ardhur dhe jemi nisur në drejtim të Kizharekës më njofton se një ushtar i Shalës, nga Lagja e karpuzëve e ka plagosur rëndë një djalë 12 vjeçar, një të afërm të tij të Pjetërshticës, që është po ashtu kushëri i Aliut.
Këtij ushtari të padisiplinuar, Ramiz Qeriqi- Luani ia ka pas marrë armën për shkak të sjelljeve të tij të pamira. Mirëpo dikush në ndërkohë ia ka kthyer armën dhe e kanë pranuar sërish në radhët e UÇK-së.
Plagosja ka qenë aksidentale, edhe pse shumë e ligë meqë ky farë ushtari mburravec duke luajtur me revole ia ka futur revolen në gojë për ta frikësuar dhe e ka shkrepur pa e ditur se revolja është e mbushur. Problemi është mbyllur meqë familjet janë marrë vesh dhe e kanë mbuluar. 12-vjeçari i plagosur në gojë ka shpëtuar por është në gjendje të rëndë shëndetësore. Edhe kësaj radhe nuk janë marrë masa kundër këtij ushtari, sepse familja e tij e paska njëfarë lidhje me ata atje lart, kështu e komenton Aliu këtë aksident të rëndë dhe të dënueshëm.
I lodhur nga rruga dhe dëbora e madhe në Berishë kam arritur rreth mesditës. Martini me të tjerët kanë filluar përgatitjen e emisionit.
Lajmet nga Dukagjini bëjnë të ditur se në mesin e luftëtarëve të rënë është edhe Agush Gjoci, Agim Zeneli dhe disa eprorë të tjerë. Martini na bën me dije se në mesin e të rënëve është edhe djali i hallës së tij, Gaspër Karaqi.
Burimet e lajmeve bëjnë të ditur se sot janë nisur për në Shkup një delegacion nga Kosova, i cili do të takohet me zyrtarin e lartë anglez, Robin Kuk.
Në këtë delegacion marrin pjesë, Adem Demaçi në cilësi të përfaqësuesit politik të UÇK-së, akademik Rexhep Qosja kryetar i LBD-së, Ibrahim Rugova kryetar i LDK-së dhe Veton Surroi botues i një gazete ditore në Kosovë. Për Surroin thuhet se ka shkuar si rezervë në rast të mungesës së Rugovës.
Në mbrëmje përmes linjës telefonike, Berat Luzha ka intervistuar Adem Demaçin i cili është treguar tejet skeptik në përbërjen e delegacionit. Ai po ashtu nuk ka vërejtur ndonjë element të veçantë të këtij takimi përveç rutinës së zakonshme dhe retorikës boshe.
Intervistën e plotë të Demaçit nesër do ta transmetojmë në radio, ndërsa sonte e kemi transmetuar në selinë e Agjencisë në Cyrih të Zvicrës.
Në mbrëmje kam hartuar një shënim përkujtimor me rastin e dyvjetorit të rënies së Zahir pajazitit, Edmond Hoxhës dhe Hakif Zejnullahut, të cilët më 31 janar të vitit 1997, ranë heroikisht në Pestovë të Vushtrrisë në përleshje me forcat e shumta serbe të cilat kishin zënë pritë nga të gjitha anët.
Zahir Pajaziti ka qenë një komandant i UÇK-së për LLap. Unë edhe Neziri e kemi njohur mirë meqë na vizitonte herë pas herë në selinë e PPK-së, në Prishtinë.
Lajmin për rënien e Agush Gjocit e kam pritur me dhembje të veçantë. Ka qenë një djalë me yll në ballë, një luftëtar trim dhe tejet i përkushtuar, në luftë për çlirimin e vendit. Për herë të fundit me Agushin jemi parë ditën e varrimit të dëshmorit, Ramadan Elshani, nipi i Ramiz Qeriqit, në Varrezat e Dëshmorëve në Kleçkë.