Duke pasur parasysh se në këto tri dekadat e fundit nga Shqipëria janë larguar rreth 1 milion shqiptarë, kurse nga Kosova në këto dy dekadat e fundit janë larguar rreth 500 mijë shqiptarë, nga Maqedonia Perëndimore janë larguar rreth 200 shqiptarë dhe së fundi edhe Lugina e Preshevës dhe nga viset shqiptare në Mal të Zi janë larguar mijëra shqiptarë, kjo flet se marrë së bashku janë larguar nga viset e tyre rreth 1 milion e 800 mijë shqiptarë, që do të thotë rreth 1/3 e 6-të milion shqiptarëve në Ballkan.
Edhe popujt tjerë të Ballkanit në këto dy-tri dekadat e fundit i kanë lëshuar viset e tyre në shifra të mëdha, por këta popuj përveçse janë më të mëdhenj se populli shqiptar, ata edhe nuk i kanë lëshuar vendet e tyre në masë kaq të madhe sa populli shqiptarë. Kështu, nga Rumania me 20-të milion banorë janë larguar rreth 2 milion rumunë, kurse nga Bullgaria me rreth 10-të milion banorë janë larguar rreth 1 milion bullgarë.
Duke pasuar parasysh se pjesa e madhe e këtyre 1 milion e 800 mijë shqiptarëve janë larguar nga viset e tyre me rrugë ilegale dhe shpeshherë edhe me rrezikshmëri të madhe, kjo të krijon përshtypjen sikur shqiptarët në këto 30-të vitet e fundit kanë qenë vazhdimisht në arrati edhe pse askush nuk i ka përndjekur. Ata janë vendosur në Itali, në Greqi dhe në vendet e zhvilluara të Evropës, thjesht për një kafshatë e për një banim më të mirë.
Por aq sa ka qenë alarmues dhe i tmerrshëm largimi masiv i shqiptarëve nga viset e tyre,
po aq alarmuese dhe e tmerrshme ka qenë dhe indiferenca e klasave politike shqiptare, ndaj ikjes masovike të shqiptarëve nga viset e tyre.
Politikanët shqiptarë (shumica e tyre) as që e kanë zënë në gojë ikjen masovike të shqiptarëve, duke të krijuar kësisoj përshtypjen sikur ata i janë gëzuar ikjes së shqiptarëve nga viset e tyre.
Shqiptarët në arrati e politikanët shqiptarë duke bërë sehirë!