Ndalimi i përdorimit të dinarit serb në Kosovë ka marrë vëmendjen edhe të mediumeve të njohura ndërkombëtare. Gazeta angleze “Financial Times”, ka shkruar një artikull, të cilin e ka titulluar “Kosova sfidon presionin perëndimor që të vonojë ndalimin e monedhës serbe”. Në këtë artikull është thënë se “Kosova po sfidon lutjet e perëndimit që shtyn nga e enjtja ndalimin e monedhës së Serbisë për transaksionet me para të gatshme në territorin e saj, një propozim që ka shkaktuar tensione të reja midis dy vendeve pas dekadash paqëndrueshmërie në Ballkan”. Në artikullin e gjatë, ky medium ka treguar për vendimin e BQK-së që të ndalohet dinari serb. Natyrisht, në artikull është raportuar edhe për presionin e ndërkombëtarëve që zbatimi i këtij vendimi të shtyhet më tutje. “Financial Times” ka raportuar edhe për deklarimet e Serbisë dhe ankesat e saj në lidhje me ndalimin e dinarit serb.
