Ahmet Qeriqi: Grupi i Kontaktit megjithatë lëvizi nga vendi diplomacinë e rëndë. Propozohet një konferencë e paqes e cila do të mbahet në qytetin Rambuje të Francës, 1 shkurt 1999

Ahmet Qeriqi: Grupi i Kontaktit megjithatë lëvizi nga vendi diplomacinë e rëndë. Propozohet një konferencë e paqes e cila do të mbahet në qytetin Rambuje të Francës, 1 shkurt 1999

Disa sqarime për vazhdimin e fejtonit, “Kronikë lufte”

Vepra dokumentare, “Kronikë lufte” paraqet ndodhitë ditore të kohës së luftës të cilat i ka shkruar në fletore, autori, Ahmet Qeriqi, natë për natë, prej 9 prillit të vitit 1998 deri më 28 qershor të vitit 1999. Tërë lënda në origjinal ruhet në bibliotekën e autorit, por ende nuk mund të publikohet në faksimil, për shkak të rrethanave objektive, të cilat mund të përfliten në kohën kur hetuesit e Gjykatës Speciale, ditë e natë gjurmojnë periudhën e  luftës së UÇK-së…

Fjalitë e koduara përmbajnë të dhëna, që tani për tani nuk mund të publikohen, por ato do të mbesin fakte  e dokumente për gjithë atë që ka ndodhur në kushte dhe rrethana të caktuara gjatë 4oo ditëve të luftës  në kohë dhe hapësirë të caktuar  dhe të perceptuara e të formuluara nga këndi i autorit, edhe me elemente të ditarit.

Ilustrimet janë kryesisht të Redaksisë së Radios dhe të Agjencisë Kosovapress,  gjatë kohës së luftës, të fotografuara nga Martin Çuni, Nusret Pllana, Besnik Berisha, Ismet Sopi, Valdet Hoti   e të tjerë. Nuk e kemi praktikuar që në çdo foto ta vëmë emrin e autorit të fotos. pasi  shumë nga to  gjenden në tri vëllimet e Arkivit të Radio-Kosova e Lirë, botuar në vitin 2009 në Prishtinë. (A.Q.)

Edhe sot po bën shumë ftohtë. Acar i padurueshëm. Temperatura deri në  minus 20 gradë.

Si zakonisht rreth orës 8.00 me Aliun jemi nisur në relacionin tonë të përditshëm. Nëpër Grykë të Kizharekës e në drejtim të Mrizeve të Berishës, tanimë më duket se më njohin edhe gurët e gjerdhet. Si gjithnjë një rrugëtim i mundimshëm ngul përpjetë. Nuk ka pushim. Nuk mund të mësohem për të ecur ngadalë. Ngadalësoj hapin për disa dhjetëra metra dhe pastaj këmbët e marrin ritmin dhe vetëm kur lodhem e mbushëm frymë e marr me mend se nuk e bëj dot zap vetveten. Është kohë lufte. Ka ndërruar ndër të tjera edhe ritmi i lëvizjes.

Më në fund arrij në seli, i qullur në djersë.

Programin e kemi përgatitur dhe e kemi transmetuar me kohë.

Në mbrëmje kemi mbajtur një mbledhje të përbashkët të dy redaksive dhe kemi shqyrtuar disa probleme aktuale. Meqë nuk kemi bërë ndonjë ndarje rigoroze të punëve na lajmërohen edhe vështirësi të natyrës së punës. Duke qenë se jam më i moshuari i kam vënë detyrë vetvetes të jem më i përmbajtur, edhe pse këtu jam qysh prej fillimit të luftës dhe të gjitha rrjedhat i njoh më mirë se të tjerët. Mirëpo kjo nuk bën punë.

Kam fituar përshtypje se njeriut tonë si t’ ia japësh lapsin, ai thotë jam shkrimtar, po t ia japësh pushkën ai thotë jam komandant, po t’ i japësh një post qoftë edhe të thatë dhe të pavlerë, ai të shkel. E di këtë filozofi të mbrapshtë të veprimit të njerëzve tanë dhe duroj. Duroj për hir të luftës dhe gjakut të derdhur për liri.

E di se durimi im komentohet ndryshe por as kjo nuk më bën përshtypje.

Pas disa orë diskutimesh me rend e pa rend, sikur jemi marrë vesh për njëlloj ndarjeje të detyrave.

Sot kemi marrë një lajm i cili ka zgjuar interesim në opinion. Burimet e huaja bëjnë të ditur për iniciativën konkrete të Grupit të Kontaktit për organizimin e një Konference, në Rambuje të Francës, ku do marrin pjesë përfaqësues shqiptarë dhe serbë, me qëllim të fillimit të të ashtuquajturit dialog në mes të përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë. Fillimisht ishte menduar se në përbërjen e delegacionit shqiptar merr pjesë vetëm klasa pacifiste e Rugovës, por sot është bërë me dije se në kuadër të delegacionit shqiptar do të ketë përfaqësues edhe nga kreu politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …