Acari na ka mbërthyer nga të gjitha anët. Temperatura gjithnjë 20 minus. Edhe pse deri në orët e natës ndezin zjarr, nuk mjafton.
Në mëngjes Martini është nisur për në Divjakë me qëllim për të bërë ndonjë intervistë lidhur me pjesëmarrjen e anëtarëve të SHP të UÇK-së në radhët e delegacionit shqiptar.
Sot, edhe pse kemi punuar si gjithnjë nuk kemi informacione të mjaftueshme. Dëbora e madhe e ka vështirësuar komunikimin dhe lëvizjet drejt Rrafshnaltës. Programi vazhdon të jetë i skematizuar, por tani për tani nuk ka gjasa që të ndërrojmë diçka në këtë drejtim. Duhet pranuar faktin se nuk kemi përvojë të mjaftueshme në gazetarinë e Radios e cila kërkon një qasje të veçantë dhe më ekspeditive. Megjithatë të gjithë mundohen ta japin maksimumin. Duhet veçuar në këtë mes komentet që i shkruan Nezir Myrtaj, të cilat janë të një niveli të shquar prosefionist. Neziri më mirë se të gjithë ne iu qaset problemeve të caktuara politike.
Me përkushtim punon edhe Qemal Aliu, mirëpo ai ende nuk është ambientuar dhe duket paksa i rezervuar.
Insistimi i Nusret Pllanës, Martin Çunit dhe Berat Luzhës që me çdo kusht të emetojmë një orë program në ditë, pavarërisht nga mungesa e emisioneve të mirëfillta informative dokumentare, më duket i pavend. Nëse emetojmë më shumë këngë patriotike se sa emisione informative më duket se i bëjmë shërbim të keq Radios. Mund ta kem gabim me seriozitetin tim të tepruar.
Sot pasdite nga Prishtina ka ardhur Blerim Peja. Së bashku me të kanë ardhur edhe djali i tij Vijoni dhe një burrë tjetër.
Në mbrëmje jam nisur në drejtim të Kizharekës.
Pas darke në vendqëndrimin tim në Krojmir, kanë ardhur Reshat Gashi dhe eprori i UÇK-së Naim Ismajli. Ata më kanë njoftuar se ushtari nga Caraleva i quajtur, Milaim Beha, ka kërkuar të fejohet me bijën time, Rrezartën. Edhe më herët e kam kuptuar shoqërimin e tyre. Meqë të dy janë marrë vesh dhe janë pëlqyer, atëherë ka mbetur vetëm ai rendi tradicional i publikimit të fejesës. Reshat Gashi duhet ta njoftojë Mehdiun, babain e Milaimit, meqë ai ka kërkuar që të respektohet tradita, qoftë edhe formalisht.
Milaim Beha është në mesin e ushtarëve më të përkushtuar të kësaj ane. Aktualisht është në komandën e Njësive Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, me Tahir Sinanin dhe Ajvaz Berishën.
Më vonë Epiri më ka lajmëruar se Imer Tafili një kushëri imi, babai i Ganimetes, ka pasur një sulm në kokë dhe për pasojë ka pësuar paralizë të pjesërishme.