Mjeku i njohur edhe shkrimtar, Aziz Mustafa, në radhë të parë më sjellë në vëmendje, (pa shkuar larg te Aristoteli, Avicena e të tjerë) dramaturgun, shkrimtarin dhe mjekun e mirënjohur, Anton Çehov, njërin ndër prozatorët më të mëdhenj të letërsisë botërore. Ka edhe shkrimtarë mjekë, që kanë bërë emër në të dyja lëmenjtë si Mihail Bulgakov, Zhyl Vern, Ivan Turgeniev, Arkibald Kronin, Boris Pasternak e shumë të tjerë.
Edhe në letërsinë shqipe shquhen disa mjekë që janë marrë intensivisht me letërsi si: Dhimitër Xhuvani, Mirash Markaj, Zisa Cikuli, Gani Karamanga Arben Dedja, Lili Gogu, Ilir Topi, Luljeta Abdullahu, Ismet Hebibi e të tjerë. Në këtë mes qëndron shumë lirshëm si shkrimtar, edhe otorinolaringologu i njohur, Aziz Mustafa i cili ka botuar disa përmbledhje poetike pastaj rrëfime dhe romanin ndër më të suksesshmit të letërsisë së sotme, “Mos e harro Japoninë Suzanë”, botuar në vitin 2020.
Romani me temë bashkëkohore: “Mos e harro Japoninë, Syzanë”, lirisht mund të them se është ndër më të arrirët në pozën tonë bashkëkohore.
Me talent dhe intuitë të pasur krijuese, duke qenë hulumtues i përkushtuar në studimet e mjekësisë, njohës dhe vrojtues i vëmendshëm i jetës dhe ligjeve të saj, Aziz Mustafa, shkruan jo sa për të shkruar e për t’u afirmuar sikur bëjnë shumë krijues, por në radhë të parë sepse ka frymëzim vetë jetën, dhuntinë e të mirat e saj, por edhe fatkeqësitë. të priturat e të papriturat e saj, vetë fenomenin si të tillë. Deri te ky nivel i perceptimit të fenomeneve nuk ka arritur vetëm në saje të talentit, por edhe të arsimimit dhe vetë-arsimimit, duke mos u kufizuar vetëm në profesion, sepse jeta është qindfish më shumë sesa çdo profesion, cilido qoftë ai. Këtë e ka kuptuar me kohë dhe kjo është motoja së cilës i përmbahet me vëmendje, maturi e dashuri.
Nuk e ndiej veten ekspert për të dhënë gjykimin tim për Aziz Mustafën si mjek, këtë e dinë, e thonë dhe e vlerësojnë në radhë të parë pacientët, pastaj kolegët, punëdhënësit, ndërsa sa i përket afinitetit të tij për prozën dhe fjalën artistike, e them, e shkruaj dhe e faktoj me bindje të plotë, se veças me romanin e tij, për të cilin po shkruaj, ka arritur të një nivel të jashtëzakonshëm të shprehjes së meditimit, me perceptim dhe realizim artistik të një niveli shumë të dëshiruar edhe nga shkrimtarët më të njohur të kohës sonë.
Duket se Aziz Mustafa me kohë e ka kaptuar se “jeta është si teli i instrumentit, po ta lësh lirshëm, nuk nxjerrë tingull, po ta shtrëngosh fort, këputet”, sikur thoshte Buda i madh, apo në formën e modifikuar e kishte thënë edhe Aristoteli, për “mesin e artë”.
Do të rezervohem t i shpjegoj fabulën lexuesit të këtij shkrimi, sikur zakonisht bëjnë disa kritikë letrarë, për të mbaruar shpejt shkrimin vlerësues apo ndonjë recension rasti, duke ritreguar ngjarjet, duke përcjellë fatet e personazheve, dhe në këtë mënyrë leximit veprës i bëjnë më shumë dëm se dobi. Shumë nga lexuesit tanë të sotëm janë shfletues të librave, lexojnë një recension dosido, nëse ndodhet në fillim apo në fund të librit, dhe konstatojnë se e tashmë e dinë përmbajtjen, andaj edhe mjaftohen me aq. Kjo mënyrë shkollore a analizës së veprës letrare, nuk është esenca, tërësia, përmbajtja në tëra rrëfimet, dialogu, përshkrimet e ambienteve, në këtë rast të shteteve të ndryshme të botës, si Kosova Kroacia, Turqia, Japonia etj, ku gjithçka duket tjetër, por në esencë është vetë jeta njerëzore, janë njerëzit me fat e pa fat, që një ditë zbulojnë se janë sëmurë dhe gjithçka merr një kahe tjetër.
Të shkruash për një vepër sikur është romani: “Mos e harro Japoninë, Suzanë”, kuptohet për efektet afirmative që i përmban, duhet në radhë të parë të jesh lexues i vëmendshëm apo studiues realist dhe i përgjegjshëm për ta nxjerrë përfundime, mesazhe, për të spikatur të veçantat e të përgjithshmet, për të hapur dimensionin e njohurive me ngjarje e ndodhi njerëzore.
Sëmurën njerëzit, madje edhe mjekët, në raste të caktuar sëmurën nga sëmundjet që u kanë shëruar të tjerëve, kjo është tema të cilën me mjeshtëri dhe sukses e ka trajtuar Aziz Mustafa në romanin e tij, me një titull përmbajtësor, në dukje të emërtuar nga rastësia e emrit të poezisë, Suzanne, të poetit, Leonard Kohen, për të ndërtuar binomin artistik Leo-Suzanë (Leonard Malaj dhe holandezja Suzanë ).
Kjo lidhje artistike, domethënëse vihet në jetë, në veprim të mjekut Leonard, për të përshkruar pastaj jetën e tij, prejardhjen shkollimin, arsimimin, punën, angazhimet profesionale, më vonë zbulimin e sëmundjes së pashërueshme dhe epilogun fatal, por duke lënë prapa kujtime, vepra të mira, dashuri të realizuar dhe aq sa mund të lë njeriu i caktuar, në jetën e tij të shkurtë, sepse “Jeta kalon si treni i shpejtë, që nuk ndalet në asnjë stacion dhe nuk kthehet kurrë prapa”, sikur shkruan shkrimtari i madh hungarez, Moric Zhigmund.
Romani është i përmbushur me përshkrime ambientesh dhe udhë-përshkrime të disa vendeve, si në Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Turqi, në Japoni, me përjetime e rrëfime ndër më të ndryshmet, nga të rëndomtat, të përditshmet, deri te ato me përmbajtje të rëndësishme shoqërore, profesionale, pastaj personazhe nga shumë shtresa shoqërore e kombëtare, dialogë, monologë, tregime nga jeta në familjen e Leos, Suzanës, rëniet e ngritjet, sukseset e dështimet por më shumë arritjet dhe tërë një botë mendimesh, meditimesh, perceptimesh, të lidhura me mjeshtëri, në kuadër të një romani, të një tërësie organike shkrimore, e cila i shfaqet lexuesit me tërë begatinë e saj, duke ia nxitur kureshtjen për ta lexuar sa më shpejt…
Prishtinë
2.2. 2024