Së bashku me Elezin jemi nisur në drejtim të Berishës. Ai duhet të shkojë në Kleçkë, mirëpo rrugën deri në Berishë e kemi bërë bashkë.
Pas largimit të Ramiz Qeriqit, tensionet paksa janë zbutur, mirëpo ende ka keqkuptime dhe keqinterpretime nga disa individë të caktuar. Elezi është gjakftohtë dhe shumë i komunikueshëm. Ai nga ana e tij do të bëjë çmos që të përmirësohet gjendja, mirëpo kjo nuk varet vetëm prej tij.
Në orët e paditës na bëjnë me dije se pas të ashtuquajturit obdukcion që policia shëndetësore e Spitalit të Prishtinës iu ka bërë kufomave të masakruara në Reçak, zyrtarët e të ashtuquajturës mjekësi ligjore kanë konstatuar se në Reçak nuk ka pasur të masakruar, por vetëm të vrarë gjatë luftimeve. Policët serbë iu kanë bërë thirrje familjeve që të shkojnë në spital dhe t`i tërheqin kufomat.
Komanda e Zonës Operative të Neredimës ka vendosur që të gjithë të masakruarit të varrosen në një vend, në kodrën afër Xhamisë, dhe jo veç e veç. Policia ka urdhëruar familjarët që kufomat e masakruara t`i varrosin në varrezat e fshatit dhe pa pjesëmarrjen e luftëtarëve të UÇK-së. Një ndikim në këtë drejtim e ka ushtruar edhe Dega e LDK-së në Shtime në krye me Ali Sadriun, i cili thuhet se e ka pranuar propozimin. Krejt kjo ka ngjallur revoltë të ligjshme te familjarët, të cilët nuk i kanë pranuar kushtet e regjimit okupator, duke mos pranuar që t`i marrin kufomat një nga një.
Masakra e shëmtuar dhe barbare e forcave policore e ushtarake serbe në Reçak më 15 janar e ka çmeritur botën e qytetëruar. Mendoj se pikërisht kjo vepër e shëmtuar lëvizi nga vendi atë që quhet diplomaci e rëndë botërore. Nëse kreu ynë politik arrin që para ndërkombëtarëve t`i unifikojë qëndrimet, mendoj se kësaj radhe në Konferencën e Rambujesë ka shanse që të fitojmë diçka, por jo aq sa kemi merituar.
Në mbrëmje si zakonisht kemi biseduar për probleme të caktuara.