Filmi Shqiptar

Bardhyl Bejo: Filmat e kohës së komunizmit do t’i ruajmë si vlera, si dëshmi të rralla një niveli të lartë e të papërsëritshëm kulturor

Nuk mund të bësh film thjeshtë se di të tregosh një barcaletë ta zemë me ndonjë pijanec. Biles edhe barcaletën duhet të dish ta tregosh. Ndryshe nuk ka efekt. A e shihni një film serial shqiptar  në mbrëmjet e të djelave? Unë i kam parë dy-tre çfaqjet e parat dhe …

Na dalin ca “agronër” apo disa tipa (nuk po më kujtohet emri i një ish ambasadori, një lloj antikomunisti me flokët “e dame më dysh”, një si ata qeflinjtë italian të viteve 30-të me një trëndafil në dorë e me shënimin “ti amo”) e na  “urdhërojnë” se duhen zhdukur filmat e prodhuar në kohën e komunistëve.

Me përjashtim të disa filmave, të cilat edhe pa kritikën e “antikomunistëve” tanë të hekurt me përmbajtje karboni, (“gjizë” dmth), braktiseshin nga vetë spektatorët si filma … të mërzitshëm, unë nuk kam aritur të kuptoj se si në filmat “komunistë” shqiptar lidhet ky “lloj” komunizmi me tematikën në përgjithësi të këtyre filmave. Psh ç’faj kishte Dedë telefonisti pse “Kino Studjo” i bëri film për shkak se stuhia e dëborës preu telat në mes të pyllit dhe ai i lidhi ato duke ngrirë e duke lënë jetën e vet? Po Ndrec mësuesi, po Kajo partizani, po…? A thua se në atë kohë, Deda vetëm se do të piqej e do të thekte bukën me vaj e krypë në sobën që bubëlonte, sepse linjat do të riparoheshin vetë me “inteligjencën artificiale”? Aman mor jahu ç’na ka gjetur me këta injorantë, me këta inkuizitorë egërsira, të cilët kemi 30 vite që i dëgjojmë dhe sa më tepër e aq më shumë bëhen përveçëse të mërzitshëm, tani edhe budallenj: “nuk i qasin në fshat e kërkojnë vajza prifti për nuse”.

Shkurt, le të “bëjnë” çfarë të duan këta “kineastë”, por të mos ju shkojë ndonjëherë në mëndje se tani ne mund të bëjmë filma të vërtetë, përveçëse mashtrime naive, duke maskuara një lloj biznesi të mjerë e krejt të dyshimtë në merita e në vlerë. E jo vetëm kaq! Sa më tepër do të shikojmë nëpër ekrane filmat e sotëm të “frymëzuar” nga injoranca e të mbështetur nga mjerimi i përgjithshëm kulturor, aq më lartë do të ngrihen performancat e filmave “komunistë”, të cilat efektivisht po kthehen në simbole të përpjekjeve për qytetërim, në oaze patriotike e atdhetare.

Film kryevepër është “Kumbari” i madhështorit Coppola. Por mjaftojnë mbase dy herë për ta parë, sepse më tutje mund të kthehet në një film ku nuk shijon më lojën apo skenarin por numuron vrasjet. Ndërkohë nuk besoj se bëj gafë e them se edhe pse ky film është kryefilm, edhe dy apo tre herë ta shikosh psh “Gjeneral gramafonin” e Viktor Gjikës të madh e prap’ nuk ke të ngopur. A nuk ja vlen t’a shohësh qoftë edhe vetëm për lojën, legjendën Bujar Lako duke interpretuar me klarinetën e “usta” Laverit muzikën e “adaptuar” aq mrekullisht nga po kaq i madhi  Aleksandër Peçi?

Pa përmendur dhjetra e dhjetra filma të tjerë po kaq dinjitozë, mendoj se faktorët e të  keqes ku ka rënë filmi sot, nuk janë autorët e tyre, por një sërë faktorësh të tjerë madhorë, për të cilën nuk është vendi dhe vetë unë nuk jam ai që e jap këtë përgjigje. Mua më mjafton fakti që brezi i ri, di të gjykojë vetë mbi vlerat e historisë të popullit shumë më mirë se kllounët e pështirë të mohimit të pjesës pozitive të së kaluarës, e cila edhe pse e ndërleksura me negativitete politike, në kinematografi, ky lloj negativiteti nuk e pati forcën të ndërhynte brutalisht, në saj të madhështisë, kulturës dhe objektivitetit të kineastëve tanë legjendarë.

Do t’a lidh kokën me peshqir të lagur e do ta shoh edhe një seri tjetër. Në se ai, filmi  shënon kthesë cilësore, kërkoj falje për gjithë këto rreshta që shkruaj. Por në se niveli i tij vazhdon e nuk më lëviz asnjë qime floku nga “tufëza” që më ka mbetur, jam krejt i bindur se kurrë nuk do të mund të prodhojmë nivele të tilla si ato filmat “komuniste”! Por do të na duhet që t’i ruajmë ato si një vlerë e dëshmi e rrallë e një niveli të lartë e të papërsëritshëm kulturor. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Qeverisja ekonomike në shifra

Një përshkrim i asaj çfarë ka  në ekonomi brenda këtyre katër viteve : Po fillojmë …