– Integrimi i dhunshëm, forma më e vrazhdë e plaçkitjes së ekonomisë – Gjatë tërë periudhës 87-vjeçare të pushtimit të Kosovës nga Serbia fashiste
(1912 – 1999), pasuritë natyrore, nëntokësore e mbitokësore të Kosovës, si dhe resurset njerëzore (fuqia e lirë punëtore) janë eksploatuar e
shfrytëzuar në mënyrën më të vrazhdë e të pamëshirshme.
Zgjërimi i territorit të shtetit dhe eksploatimi i pasurive ishin motivi kryesor i pushtimit dhe i mbajtjes nën pushtim. Dhe ai eksploatim është zhvilluar në
forma e mënyra të ndryshme, varësisht nga mundësitë e shtetit të Serbisë dhe nga klima politike në periudha të caktuara. Për t’ia dhënë formën
juridike kësaj plaçke, shteti i Serbisë miratonte ligje të caktuara: për reformën agrare dhe kolonizimin: për fondin e tokës bujqësore dhe ndarjen e tokave: për shtetëzimin e utrinave, kullosave dhe pyjeve të fshatrave: për eksproprijimin: për marrjen e pasurisë së paluejtshme të ‘’armiqve’’: për sekuestrimin e pasurisë së personave që mungonin nga pronat e veta, etj.
Dhe të gjitha këto ligje e dispozita tjera dhe masa të ndërmarra të shtetit të Serbisë ishin drejtuar kundër popullit shqiptar, me qëllim që t’ua bënte të
pamundshme jetesën e të detyroheshin të shpërnguleshin për në Tuqi, Shqipëri apo gjetkë. Dhe këto prodhuan efekte e pasoja katastrofale në dëm të popullit shqiptar.
Në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, Serbia ka shfaqur e zbatuar format më perfide të eksploatimit dhe shfrytëzimit të pasurive dhe të kapitalit të ekonomisë, të punëtorëve dhe të qytetarëve të Kosovës.
Pasi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, suprimoi organet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor të Kosovës ( 5 korrik 1990), Kuvendi dhe
Qeveria e Serbisë, aplikuan masa të dhunshme në të gjitha subjektet ekonomike, arsimore, shëndetësore, kulturore dhe në sferat e tjera të jetës shoqërore në Kosovë, dhe pastaj i integroi ato në sistemin e subjekteve të
Serbisë.
Krahas eksploatimit dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore të Kosovës, eksploatimit dhe shfrytëzimit të pasurisë së qytetarëve të Kosovës përmes
tatimeve, taksave, kontributeve, gjobave, një formë e posaçme e plaçkitjes së kapitalit shoqëror të ekonomisë së Kosovës është zbatuar përmes
transformimit të pronës shoqërore të subjekteve ekonomike të Kosovës
dhe integrimit të tyre me subjektet shtetërore ose ekonomike të Serbisë.
Masat e ‘’përkohëshme’’ (dhunshme)
Në mesin e programeve dhe ligjeve diskriminuese të Serbisë, të miratuara në vitin
1990, ishin edhe 1) Ligji mbi veprimin e organeve republikane në rrethana të
posaçme (‘Sl.glasnik RSS’, nr.30, dt.26 qershor 1990, dhe 2) Ligji mbi
marrëdhëniet e punës në rrethana të posaçme (‘Sl.glasnik RSS’,nr.40,dt.26 korrik
dhe nr.54, dt.27 shtator 1990).
Duke u mbështetur në ligjet e përmendura e të tjera dhe në dhunën e zbatuar,
Kuvendi i Serbisë deri në fund të vitit 1992, mori 367 vendime për zbatimin e
masave ‘’të përkohshme’’ (të dhunshme) në 460 kolektive punuese të Kosovës.
Prej 367 vendimeve, 237 kishin të bënin me ndërmarrjet ekonomike, 101 me
institucione arsimore, shëndetësore, kulturore; 20 me kombinatet dhe
kooperativat bujqësore: dhe 9 me shtëpitë informative (ju kujtohen skenat filmike
të nga uzurpimi i RTV të Prishtinës). Masa të dhunshme u ndërmorën edhe më
vonë, derisa nuk mbetën as qerdhet e fëmijëve as organizatat e Kryqit të Kuq pa i
futur nën masa të dhunshme! Me ato vendimet, u shkarkuan nga detyra dhe u
përjashtuan prej pune të gjithë drejtorët dhe kuadrot tjera udhëheqëse e
profesionale shqiptare e në vend të tyre u caktuan serbë e malazezë, edhe asi
kriminelë të ikur nga lufta që zhvillohej në Kroaci. Shumica e tyre nuk kishin
përgatitje profesionale, por mjaftonte vetëm të ishin serbë ose malazezë! Në
ndërmarrjet në të cilat drejtorë e udhëheqës tjerë ishin serbë ose malazezë, ata
nuk u ndërruan nga pozitat, por vetëm se u ‘’avancuan’’ në status të organeve të
dhunshme. Organet e dhunshme vazhduan me largimin e punëtorëve shqiptarë
nga puna, punësimin e serbëve nga Kosova, nga Serbia, refugjatë nga Kroacia,
madje edhe serbë nga Rumania! Nga 164.000 punëtorë shqiptarë sa ishin në
marrëdhënie pune në sektorin shoqëror në fund të vitit 1989, deri në fund të vitit
1992 u larguan prej pune më se 130.000, pa pasur asnjë të drejtë materiale apo
sociale nga marrëdhënia e punës. Për shkak të largimit prej pune të prindërve të
tyre, më se 278.000 fëmijëve shqiptarë iu ndërpre pagesa e shtesave fëminore.
Më se 700 punëtorëve të larguar prej pune, iu morën banesat shoqërore në të
cilat ata kishin jetuar me familjet e tyre.
Integrimet e dhunshme
Pasi që me masa të dhunshme u ndërrua e tërë struktura nacionale e
udhëheqësve dhe e punëtorëve, në dëm të shqiptarëve e në favor të serbo-
malazezëve, organet e dhunshme e bënë ndryshime organizative e pronësore dhe
integrimin e organeve, institucioneve dhe ndërmarrjeve të Kosovës me ato të
Serbisë. Qëllimet ishin të natyrës strategjike-politike, ndërsa veprimet ishin jashtë
çdo logjike juridike dhe ekonomike.
Ndonëse me asnjë ligj nuk parashihej si i detyrueshëm transformimi dhe
integrimi, Qeveria e Serbisë, përmes ministrive të linjave të caktuara dhe përmes
Fondit për Zhvillimin e Republikës së Serbisë (që ishte një institucion parashtetror
për kolonizimin e Kosovës), dhe Oda Ekonomike e Serbisë, me instruksione
politike e udhëzime administrative të obligueshme, i detyruan organet e
dhunshme nëpër ndërmarrjet e Kosovës, që sa më parë ta kryenin transformimin,
integrimin dhe bartjen e kapitalit të kolektiveve punuese të Kosovës – në pronësi
të subjekteve shtetërore ose ekonomike të Serbisë.
Fondi për Zhvillimin e Republikës së Serbisë, që koncepotualisht dhe me program
ishte i orientuar në funksion të rikolonizimit të Kosovës, me një direktivë të
obligueshme (23.X.1992), të cilën e quante: ‘’Udhëzimi për mënyrën dhe
procedurën e lidhshmërisë përmes kapitalit shoqëror të ekonomisë së Kosovës e
Metohisë me ekonominë e Republikës së Serbisë dhe me Fondin për Zhvillim,- i
obligonte të gjitha ndërmarrjet ekonomike të Kosovës, të cilat nuk ishin integruar
deri atëherë, që më së voni deri më 15 dhjetor 1992, të kryerin ristrukturimin dhe
integrimin me ekonominë e Serbisë!
Si bëhej bartja e kapitalit të Kosovës në pronësi të Serbisë?
Me ‘’Ligjin mbi kushtet dhe procedurën e transformimit të pronës shoqërore në
forma tjera të pronës’’ (‘Sl.glasnik RS’, nr.48/1991), parashihej që:
a) Së paku 51% e vlerës së kapitalit të bartej në ndërmarrjet e Serbisë, ose në
Fondin për Zhvillimin e Republikës së Serbisë, ndërsa
b) Për pjesën tjetër të kapitalit (49%) të emetohen aksione, një pjesë e të
cilave t’iu jepen (gratis ose u shiten) punëtorëve, dhe mjetet e fituara nga
shitja e tyre, n’afat të caktuar me ligj të paguhen në llogari të:
– Fondit për Zhvillimin e Republikës së Serbisë (60%),
– Fondit për Pensione të Republikës së Serbisë (30%), dhe
– Fondit të Tregut të Punës të Republikës së Serbisë (10%).
Me këto teknika manovrimi, i tërë kapitali i ndërmarrjeve të Kosovës realisht
shkonte në favor të subjekteve të Serbisë. Por, shumica e organeve të dhunshme,
edhe nominalisht e bartnin atë kapital në subjekte të Serbisë mbi minimumin
ligjor (51%), 70, 80 e diku edhe 100%. Ta marrim shembullin e Ndërmarrjes së
Rrugëve ‘’Magjistrala’’ të Prishtinës, e cila 51% të kapitalit ia kishte bartur Fondit
për Zhvillim të RS, ndërsa 39% ia kishte bartur në pronësi Drejtorisësë Rrugëve të
Serbisë, me seli në Beograd. Edhe më drastik ishte rasti i 17 ndërmarrjeve
(kombinateve) bujqësore të Kosovës, të cilat ia kishin bartur 100% kapitalin e tyre
në pronësi Korporatës PKB të Beogradit!
Se integrimi bëhej pa kurrfarë logjike ekonomike, por vetëm sipas tekave të
udhëheqësve të dhunshëm, tregon shembulli i Ndërmarrjes ‘’Metamb’’ e
Prishtinës, e cila 9% të kapitalit ia kishte bartur Fondit për Zhvillim të RS, ndërsa
nga 10% ua kishte bartur në pronësi: ‘’Zorkës’’ së Shbacit, ‘’Valaonicës Aluminit’’
të Sevojnos, ‘’Srpska fabrika stakla’’ të Paraçinit, ‘’Voda Vrnjci’’ të Vërnjaçka
Banjes, dhe ‘Fabrikës së Biçikletave ‘’Elan’’ të Suboticës!
Në procesin e transformimit organizativ e pronësor dhe të integrimit të
dhunshëm të ndërmarrjeve të Kosovës me ato të Serbisë, janë bërë keqpërdorime
e malverzime nga më absurdet e mundshme. Shembull i këtij absurdi është rasti i
‘’Mineksit’’ të Ferizat, i integruar me ‘’Bambin’’ e Pozharevcit. Drejtori i
‘’Bambit’’, njëfar Petar Tutavac, bashkë me gruan e tij (Gjurgja, pensioniste) dhe
djalin (Nenadin), që asnjë prej tyre nuk kishin punuar kurrë në Mineks, kishin
marrur (pa pagesë) aksione të Mineksit: drejtori Tutavac 531.919 aksione: gruaja
e tij dhe djali i tyre, secili nga 54.151 aksione, kurse të gjithë 126 punëtorët e
‘’Mineksit’’ (së bashkur) kishin marrë 42.250 aksione! Çdo koment për
absurditetin – është i tepërt.
Me rastin e integrimit të ndërmarrjeve të Kosovës me ato të Serbisë, u bartën
edhe teknologjia dhe mjetet e punës dhe stabilimentet më moderne që kishin
pasur ndërmarrjet e Kosovës. Ai proces iu mundësoi pasurimin ndërmarrjeve dhe
individëve në Serbi, por edhe disa serbëve në Kosovë. Nga ai proces, ndërmarrjet
e Kosovës e humbën subjektivitetin e tyre juridik dhe drejtoheshin me
‘teledirigjim’ nga Beogradi.
Nga vjedhjet, plaçkitjet dhe shkatërrimi dhjetëvjeçar, ndërmarrjet kosovare u
sollën në gjendje kolapsi të vërtetë. Këtë fakt e pohonin punëtorët, po edhe
udhëheqësit e organeve serbe asokohe. Drejtori i Fondit për Zhvillim të RS
(Branko Hiniq), në një mbledhje me drejtorët e ndërmarrjeve dhe me ministrat e
qeverisë së Serbisë, mbajtur në Prishtinë më 28 shkurt 1997, kishte pohuar se:
– Gjendja në ekonominë e Kosovës ishte sikur ajo e viteve të gjashtëdhjeta,
– Prodhimi shoqëror ishte përgjysmë më i vogël se i viteve të shtatëdhjeta,
– investimet në ekonomi ishin zvogëluar për 13 herë,
– Shfrytëzimi i kapaciteteve prodhuese ishte vetëm 10%,
– Prodhimi ishte joracional,
– Mungonin kuadrot me përgatitje universitare,
– Konsolidimi financiar dhe investimet nuk mund të japin më rezultate!.
***
Një pasqyrë më të gjërë e të gjatë të asaj forme e mënyre të plaçkitjes së kapitalit
shoqëror të ekonomisë së Kosovës, me shifra e fakte nga dokumentet zyrtare të
Serbisë, e kam bërë në një studim timin më të gjatë, të cilin e kam prezantuar në
Këshillimin Shkencor të Lidhjes së Ekonomistëve të Kosovës: ‘’Proceset
integruese në botë dhe tranzicioni në vendet socialiste’’, mbajtur në Prishtinë më
12-13 korrik 1997. Në atë studim, pjesën tekstuale e kam ilustruar me tabela të
38 ndërmarrjeve, të rasteve më karakteristike, të integrimit dhe bartjes së
kapitalit, me të dhëna të sakta zyrtare: për datat, emrat e subjekteve, vlerësimin e
shumës së kapitalit dhe përqindjet e bartura në subjektet e Serbisë. Këtu, nuk do
ta japim tabelën, për shkak të vëllimit të këtij shkrimi.
Për ata që e kanë përjetuar dhe e dijnë atë situatë, le të jetë një rikujtim, ndërsa
për të tjerët – le të jetë njoftim. (A.F.)