Erërat që po fryjnë kah jugu kanë filluar ta mundin acarin. Dëbora e madhe ka filluar të shkrihet. Ende jemi larg pranverës, duket se në horizont do të kemi disa ditë pak më të mira.
Martini është kthyer nga Krojmiri. Së bashku me te për të na vizituar kanë ardhur edhe, Teuta, bija e tij dhe bija ime, Rrezarta. Ato kanë qëndruar një kohë në seli, pastaj kanë shkuar në familjen e Asllan Berishës ku janë takuar me Njomzën e Rizah Berishës, nxënëse e klasës së shtatë e cila shpeshherë na viziton dhe na qet kafe si dhe me Vlorën, motrën e Rizës, po ashtu nxënëse në vitin e tetë. Me këtë familje jemi ambientuar sikur të ishim njohur me vjet të tëra. Mikpritja dhe përkushtimi i Rizahut, Milaimit, Mefailit, i cili jeton në Komaran dhe i krejt familjarëve të tjerë nuk përshkruhen. Ndihma e tyre e pakursyer bën që ne të punojmë pa pengesa. Kjo në anën tjetër na shton edhe forcën dhe vullnetin për punë.
Riza ka edhe tre vëllezër që punojnë në Gjermani. Ekonomikisht qëndron mirë. Nuk do të duhej lejuar që t`i bëhemi barrë meqë shumë ndihma po vijnë në emër të luftës. Duhet biseduar me Idriz Hysenin, shef i Logjistikës në Shtab që të interesohet dhe të sjellë miell vaj dhe artikuj të tjerë. Të paktën të mos e rëndojmë edhe në këtë aspekt, meqë familja e tij na përgatisin ushqimin për çdo ditë. Riza nuk e ka shtruar asnjëherë këtë çështje. Edhe kur kemi biseduar ndonjëherë, ai tregohet shumë zemër gjerë dhe thotë:
-Sa të ketë do të ketë për të gjithë. E sjellë Zoti! Vetëm të jemi shëndosh!
…
Programi ditor i Radios tanimë është skematizuar skajshëm. Kam bërë përpjekje për të ndarë programin në njësi të caktuara, mirëpo kjo nuk pranohet. Ende nuk kemi arritur të krijojmë një fizionomi të qartë dhe të qëndrueshme programore. Në kushte dhe rrethana të tilla nuk duhet pritur më shumë, meqë nuk kemi as potencial të duhur të gazetarëve profesionistë. Jemi këta që jemi. Ata që e konsiderojnë veten profesionistë nuk begenisin as edhe të na vizitojnë. Disa syresh raportojnë nga zyrat e tyre në Prishtinë apo në Tiranë.
Në mbrëmje me Teutën e Martin Çunit dhe Rrezartën nisemi drejt Grykës së Kizharekës. Rruga teposhtë është e lehtë për ta kaluar.
Pasi kam pushuar pak në shtëpi ku është edhe zonja, Gjystina, nëna e Martinit, kanë ardhur për të ndenjur dhe për të biseduar për probleme të caktuara, Heset Sahiti, Ismajl Ibushi, apo i njohur edhe me nofkën Mësuesi, eprori nga Banja, Fatmir Shala e të tjerë.
Fatmiri është një ushtar i dalluar dhe qysh moti është angazhuar në Shalë, me vendim të komandant Çelikut. Ai së bashku me Heset Sahitin dhe Fitim Selimin, mjek në ambulancën e fshatit, kanë arritur të konsolidojnë radhët. Ata kanë caktuar një shtëpi shtab, ku kryhen edhe stërvitjet ushtarake dhe shumë punë të tjera organizative që kanë të bëjnë me popullatën dhe me ushtrinë.
Punët edhe pse me vështirës dhe shumë pengesa, po ecin.