Të flasësh sot, për heronjët e gjallë të celulës së parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosoves, para se gjithash është nder dhe krenari, dhe emocion në veçanti. Në emër timin personal por edhe familjes Jashari, dëshiroj të falënderoj oficerët ushtarak të Shqipërisë për përkushtimin dhe stërvitjen e tyre të palodhur të grupit të Adem Jasharit. Ky bashkëpunim i frytshëm dhe angazhimi i tyre i palëkundur përforcon ndjeshëm kuptimin dhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje.
Ishte tetori dhe nentori i vitit 1991, koha kur për Kosovën filloi një ‘Kthesë Historike’ fillimisht pa e ditur se kishte filluar të linde diçka kaq e madhe e kaq legjendare, që më vonë do të quhet Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Kështu në këtë ditë të veçantë, në Surrel, është ngritur një memorial për të kujtuar dhe nderuar ngjarjen e stërvitjes së grupit të parë dhe dytë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kjo ngjarje simbolizon guximin, përkushtimin dhe sakrificën e tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Ne grupin e dytë bënin pjesë Adem Jashari, Sahit Jashari, Fadil e Ilaz Kodra dhe shumë të tjerë, më plotë guxim mund të them se ky grup ka shërbyer si shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm dhe do të mbahet gjithmonë në kujtesë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në historinë tonë kombëtare.