leoni

Në fshatin Berishë filloi hapja dhe zgjerimi i rrugës, e cila shkon në vendin, ku në 3 muajt e fundit të luftës, ka transmetuar program Radio-Kosova e Lirë

Sot në fshatin Berishë në Komunën e Malishevës, filloi hapja dhe zgjerimi i rrugës, e cila është edhe rruga që shkon vendit, ku gjatë luftës në tre  muajt e fundit   ka qenë e vendosur Radio “Kosova e Lirë”. Në fillimin e punimeve në hapjen e kësaj rruge, mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, drejtori i urbanizimit, Avdi Morina dhe mbikëqyrësi i projektit, Ahmet Morina. Hapja e kësaj rruge ka rëndësi shumëdimensionale, e mbi të gjitha ka rëndësi historike, sepse nga këtu u dëgjua zëri i parë i lirisë dhe ne si institucion, e kemi obligim, që të ndërtojmë infrastrukturën e nevojshme dhe të rregullojmë apo mirëmbajmë të gjitha rrugët e lirisë, të cilat lidhen ngushtë me luftën tonë çlirimtare”, tha mes tjera nënkryetari Krasniqi, me rastin e fillimit të punimeve në këtë rrugë, e të cilën e ka quajtur edhe si “rruga e zërit të lirisë së Kosovës”. Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Avdi Morina, ka bërë të ditur se në këtë fazë, do të bëhet hapja e rrugës, zgjerimi dhe krijimi i bazës së rrugës. Punëkryes është kompania “BURIMI-A”, pronari i cilës është zotuar se punimet do të realizohen sipas projektit dhe dinamikës së paraparë.

Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë, falënderon në përgjithësi komunën e Malishevës, veçmas stafin e saj, e cila prej mbarimit të luftës e deri tani për këto afër 25 vjet  qenë mbështetja kryesore e kësaj Radioje, për dallim nga komuna e Drenasit,  në territorin e së cilës është pikërisht” Maja e Pallanikut” ku në muajt prill-maj-qershor të vitit 1999, në bunkerin e fortifikuar,  ka transmetuar program Radioja e vetme e zërit të çlirimtarëve, e jehonës së armëve të Legjendarit Adem Jashari dhe përgjithësisht e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për hir  të informimit të drejtë dhe korrekt,  Drejtoria e Radios-Kosova e lirë sqaron se Bunkeri në Majën e Pallanikut, nuk është më  pronë e Radios, meqë na u ka refuzuar kërkesa nga Komuna e Drenasit, dhe Agjencia e Pyjeve të Kosovës, për dhënien në shfrytëzim, 10 ari vend gurinor,   sikur e kemi lejen e pronës në fshatin Berishë,  ku ndodhet Shtëpia Muze,  dhe nga ku transmeton programin e saj ditor Radio-Kosova e Lirë.

 Pavarësisht rrethanave, mosmarrëveshje, në disa raste edhe injorimeve të panjerëzishme, nga individë dhe zyrtarë të caktuar, na gëzon fakti se Komuna e Malishevës, lokaliteti  ku përherë të parë edhe u publikua nevoja e  themelimit të medieve të luftës,  qysh në qershor të vitit 1998 nga zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ka qenë dhe po mbetet mbështetësja institucionale e vlerave të luftës, sepse ishte dhe mbeti bastion i saj, në të gjitha segmentet.

Drejtoria e Radios-Kosova e lirë, edhe njëherë uron e përgëzon drejtuesit e komunës së Malishevës për këtë ndërmarrje me rëndësi, për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të historisë sonë kombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …