Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: 17 shkurti dita e shpalljes të pavarësisë së Kosovës

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk zbriti nga qielli, për më shumë ishte kurorëzimi më sublim i një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm për qytetarët tanë. Rrugëtim ky me vuajtje, sakrifica e gjak për vite me radhë deri tek fitorja e popullit tonë prirë nga Ushtria jonë e lavdishme Çlirimtare, mbështetur fuqishëm nga populli ynë liridashës.
Për vite të tëra, qytetarët tanë vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi fashist serb, deri në përmasa gjenocidi. Pas përfundimit të luftës dhe kapitullimit të Serbisë fashiste, atë botë prirë nga kasapi i Ballkanit Millosheviq, në vazhdim vendosja e trupave ndërkombëtar në Kosovë, në nëntor 2005, filloi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Republikës së Kosovës që po lëngon edhe sot gati pas një çerek shekulli!
Që nga 13 qershorit i vitit 1999, kur forcat okupatore serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova (nënshkruan kapitullimin), vendi ynë administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucioneve demokratike të Kosovës si Kuvendi, Presidenca dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.

Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, potencohej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë. Ndërkaq më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.
Me përpjekje të mëdha, pas disa raunde  bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur vetëm më 17 shkurt 2008. Në vazhdim më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi përmes vendimit këshillëdhënës se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Njohjet nga vendet e BE-së

Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE-së, njoftoi se pas shumë bisedimesh mes ministrave të jashtëm, sqaroi së vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën, me përjashtim të Qipros, Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës, shtete këto që në një farë shkalle kanë edhe probleme e tyre të brendshme ende të pazgjedhura!…
Në vazhdim, Bashkimi Evropian aprovoi vendosjen e një misioni për sundimin e ligjit, të quajtur “EULEX”, për të zhvilluar e mbikëqyrur më tej sektorin e policisë dhe drejtësisë në Kosovë. Të gjitha vendet anëtare të BE-së miratuan mandatin e EULEX-it, duke përfshirë këtu edhe ato pak shtete të Bashkësisë Evropiane, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, filluan edhe njohjet e para. Shteti i parë që njohu pavarësinë e Kosovës ishte Afganistani. Deri tani 115 entitete sovrane kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës. Gjithashtu, shumica e vendeve të Bashkimit Evropian kanë njohur pavarësinë e Kosovën.
24 anëtarë të aleancës së NATOS (nga 28 sa janë), po ashtu kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Shtetet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, janë të ndara sa i përket pavarësisë së Republikës së Kosovës. SHBA, Britania e Madhe dhe Franca, njohën pavarësinë e Kosovës, Rusia e ka kundërshtuar aktin e pavarësisë, ndërsa Kina ka shprehur brengosjen e saj për këtë akt të shpalljes së pavarësisë.
Më 15 maj 2008, Rusia, Kina dhe India, lëshuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën ftojnë palët për negociata të reja mes autoriteteve të Beogradit dhe Prishtinës!…

Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur edhe Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë dhe ajo e Malit të Zi. Pavarësinë e Kosovës e kanë shpallur të bërë në Kuvendin e Kosovës, në bashkërendim dhe koordinim të plotë mes Institucioneve të Kosovës (atë botë me ish Presidentin e Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiun, ish Kryekuvendarin, z. Jakup Krasniqin, ndërkaq Deklaratën e Pavarësisë e ka lexuar ish Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi).
Me këtë akt u shpall e lirë, diku mbi 50% e territoreve shqiptare të uzurpuara nga shtetet invaduese grabitqare fqinje. Deri në pavarësinë dhe bashkimin e plotë të tokave shqiptare, përpjekjet tona nuk do të pushoj së reshturi, duke i përdorur të gjitha mjetet demokratike të njohura me të gjitha konventat ndërkombëtare për te jetuar të lirë e të bashkuar. Pavarësia e Republikës së Kosovës është shpallur në prani të Delegatëve të Kosovës, mysafirëve të shumtë ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve të familjes Jashari.

CH-17-02-2024
Mehmet Bislimi

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …