Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri „Aleksandër Moisiu“, Vjenë, në bashkëpunim me ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri dhe me rastin e 17 shkurtit, ditës së pavarësisë së Republikës së Kosovës, organizuan një pasdite letrare-kulturore, ku artdashësve dhe dashamirëve të librit iu ofrua një program i pasur dhe i larmishëm kulturor.
Në hapësirat e ambasadës së Kosovës në Vjenë, të premten e 16 shkurtit 2024, në praninë e një numri të madh bashkatdhetarësh, u mbajt një orë letrare dhe përurim librash. Ky program i ndarë në tri pika, ku në pjesën e parë u bë përurimi i veprave të disa autorëve, në pjesën e dytë disa autorë të pranishëm lexuan poezi të ndryshme nga opusi i tyre krijues dhe në pjesën e tretë, e ftuara e nderit znj. Alketa Gashi-Fazliu, shkrimtare dhe gazetare në RTK (Radiotelevizionin e Kosovës), prezantoi trilogjinë e saj “Ato gdhendin dhimbjen”, një libër në të cilin përfshihen rrëfimet e 15 nënave, bijtë e të cilave ranë dëshmorë në luftën e fundit në Kosovë, mbushi pritshmërinë e të ftuarve, të cilët u kthyen në shtëpitë e tyre me mbresa të ngrohta dhe fytyra të buzëqeshura. Me praninë e saj e pasuroi këtë aktivitet Dr. Manjolla Zaçellari nga Universiteti i Durrësit, e cila prezantoi kumtesën e saj “Kadareja dhe proza e tij”, me theks të veçantë mbi vizionin dhe angazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës.
Në emër të LSHKSHA “Aleksandër Moisiu” të pranishmit i përshëndeti shkrimtari Anton Marku, i cili në fjalën e tij e falënderoi ambasadën e Kosovës për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme karshi krijuesve shqiptarë në Austri dhe të pranishmëve ua uroi 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Kaltrina Ademi-Oruqi, këshilltare e ambasadës, i falënderoi të pranishmit duke iu uruar mirëseardhje dhe gjitha të mirat për festën. Ajo tha se gjithnjë është një kënaqësi bashkëpunimi me krijuesit. Nga ambasada e Shqipërisë në Austri përshëndeti Artan Canaj, zv. Ambasador. Ai tha se ndjehet tepër i gëzuar që një ëndërr siç ishte Kosova e lirë u bë realitet.
Pas përshëndetjeve u bë përurimi i vëllimit poetik “Pranverë e thyer”, i autores Kimete Krasniqi Prebreza dhe autori Gjergj Jozef Kola paraqiti një shkëputje nga romani i tij “Diaspora e shqipeve”. Më pas me poezitë e tyre u paraqitën autorët Gabriela Mujaj, Violeta Allmuça, Angjelina Marku dhe Zaim Toska. Me tinguj të bukur në violonçel e shoqëroi këtë aktivitet znj. Marigona Komani. Për mbarëvajtjen dhe udhëheqjen e këtij organizimi kulturor u kujdes si gjithmonë me shumë shije drejtuese znj. Kaltrina Durmishi.