Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku prej 27 anëtarësh ka ofruar “ndihmë të vazhdueshme” për Ukrainën në luftën gati dyvjeçare të saj kundër pushtimit rus. Zyrtari i lartë evropian e pranoi se në luftë, kjo ndihmë “kurrë nuk është e mjaftueshme”, por ndihma, veçmas në formë të predhave të artilerisë, do të vazhdojë të dërgohet në Kiev. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 18 shkurt, Borrell tha se BE-ja vitin e kaluar i ka ofruar Ukrainës ndihmë në vlerë prej 28 miliardë eurosh, dhe deri më tani gjatë këtij viti është zotuar për ndihmë në vlerë prej 20 miliardë eurosh. E di, duhet të bëjmë më shumë. Asnjëherë nuk është mjaftueshëm kur jeni duke luftuar. Kurrë nuk është mjaftueshëm”, tha ai, teksa po merrte pjesë në Konferencën vjetore të Sigurisë në Munih.
