Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë krijuar një potencial të madh ekonomik e ushtarak në tërë rruzullin tokësor. Sot Amerika është e pranishme në të gjitha mekanizmat vendimmarrës në botë dhe pa dyshim se ka ndikimin më të madh, meqë është superfuqia botërore, e cila së bashku me Anglinë dhe disa shtete ka në dispozicion edhe Aleancën më të madhe dhe më të fuqishme ushtarake të botës, -NATO-n. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dhe po japin një ndihmesë të madhe në demokratizimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike kudo në botë. Amerika ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për ruajtjen e Shqipërisë nga gllabërimi grek e serb, në vitin 1920, dhe në kuadër të NATO-s ka ndihmuar ushtarakisht në çlirimin e Kosovës nga regjimi kriminal i Serbisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër shtetet e para që e kanë njohur dhe e kanë pranuar pavarësisë e Kosovës.
Populli shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Greqi, në Turqi, dhe në vende të ndryshme të Evropës e botës, është populli më pro amerikan në rruzullin tokësor. Prania e disa shqiptarëve në luftërat në Siri dhe në Irak nuk e ka zbehur as e zbeh dot këtë miqësi, meqë rastet individuale dhe të veçanta janë të pranishme kudo në botë. Edhe pse me shumicë besimtarë të fesë islame, shqiptarët, dashurinë e tyre për Amerikën nuk e kanë vënë kurrë në dyshim dhe kanë qenë e janë të gatshëm që atë përkushtim ta tregojnë kurdoherë edhe me vepër, po të jetë nevoja. (RKL)