Ahmet Qeriqi: Anëtarët e delegacionit të Konferencës së Rambujesë janë kthyer në Aeroportin e Prishtinës, pa pjesëtarët e UÇK-së (25 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Anëtarët e delegacionit të Konferencës së Rambujesë janë kthyer në Aeroportin e Prishtinës, pa pjesëtarët e UÇK-së (25 shkurt, 1999)

Ky dimër për shumëçka do të mbahet mend. Edhe gjatë natës së mbrëmshme ka rënë dëborë. Së bashku me Nezirin e kemi çelur rrugën prej Grykës së Kizharekës deri në Berishë, meqë para nesh nuk kishte kaluar askush. Për shkak të acarit vishemi trash dhe  djersa na del mbi rroba. Ka rrezik për ndonjë ftohje të rëndë. Asnjëri prej nesh nuk i kushton më rëndësi shëndetit, meqë asnjëri nuk e kemi të sigurt jetën në këto kushte dhe rrethana kur fare papritur mund të përplasesh për tokë nga ndonjë predhë e armikut.

Më mesditë kemi marrë informacion se ka ateruar në Prishtinë aeroplani francez, me të cilin është kthyer në Kosovë një pjesë e delegacionit shqiptar. Pjesa tjetër e delegacionit, përbërja e UÇK-së ka mbetur në Francë dhe së shpejti do të udhëtojë fillimisht në Shqipëri, pastaj si gjithnjë nëpër alpet shqiptare  deri në Rrafshnaltë.

Burimet tona nga terreni bëjnë të ditur se sot po zhvillohen luftime në zonën Operative të Shalës dhe të Drenicës, sidomos në rajonin e Mitrovicës dhe të Vushtrrisë.

Pas dite, më mori në telefon Selatin Novosella, të cilin nuk e kam parë qysh prej majit të vitit të kaluar. Më erdhi krejt i papritur zëri i tij e veçmas interesimi i tij për të mësuar se si është shprehur në Shtab deklarata e Adem Demaçit. Selatinit i them se ne nuk jemi pjesë e Shtabit, ndërsa unë personalisht mendoj se veprimi i bacit Adem është jo vetëm i ngutshëm. Selatini më bën me dije se atje ndodhet edhe një djalë i Novosellëve, mbase djali i Sabriut, vëllait të tij.

Më vonë kam biseduar edhe me Shaban Shalën. Ai më mori me telefon pa ndonjë punë të veçantë vetëm pyet se si jemi me shëndet dhe a kemi vështirësi në punë/

Në mbrëmje nga Drenica ku ka shkuar një javë më parë është kthyer Berat Luzha dhe dy ushtarë të Zonës së Drenicës. Po ashtu në mbrëmje ka ardhur edhe Ilir Novosella, të cilin nuk e kam parë as e njoh por dikush i ka folur për mua, sigurisht Selatini ose Hilmi Ramadani. Si duket Iliri ka  ardhur me punë të tjera. Sidoqoftë sonte në seli jemi tubuar 14 vetë dhe e kemi vështirë t`iu bëjmë vend të gjithëve meqë nuk kemi mbuloja të mjaftueshme…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …