Ahmet Qeriqi: Një këngë patriotike për Komandant Kumanovën (26 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një këngë patriotike për Komandant Kumanovën (26 shkurt, 1999)

Kemi  kaluar një natë të ftohtë të këtij acari dimëror. Disa prej punëtorëve sidomos Fatmir Dugolli dhe Valdet Hoti kanë rënë me rroba dhe janë mbuluar vetëm me batanie. Unë, meqë jam ftohur kam rënë më herët, mirëpo më zgjoi nga gjumi Nusret Pllana, meqë gabimisht isha mbuluar me jorganin e tij. Ai, tha se i vinte keq që duhej të ma merrte jorganin, meqë është mësuar dhe nuk mund të mbulohet me jorgan tjetër. Unë për veten time nuk i kam bërë shenjë asnjë jorgani, meqë në kushte dhe rrethana ekzistuese jam larg komoditetit dhe gjumit të rehatshëm…

Në mëngjes pasi kemi ngrënë bukë, kemi filluar punët dhe lëvizjet.

Berati dhe Ilir Novosella kanë shkuar në Shtab. Unë, Neziri, Sheqir Zeneli i cili ka ardhur sërish dy ditë më parë, si dhe Martini, kemi filluar t`i përgatisim emisionet që duhet të transmetohen sot.

Nga Spitali i luftës në Krojmir për mes telefonit kam biseduar me Arbanën. Ajo më ka treguar se ditë më parë nga Shtimja ka ardhur baba dhe pyet se a do të kthehem sonte në shtëpi. Ajo po ashtu më bën me dije se të gjithë  në shtëpi janë mirë. Babai im Aliu me nënën time Xhevahirën ende janë në Shtime. Kam frikë mos po i arrestojn apo po i likuidon policia serbe, por baba nuk pranon ta lë shtëpinë vetëm, Aty janë edhe familja e vëllait  tim Isufit, të ndjerë dhe  e vëllait tjetër Salimit, i cili ndodhet në Gjermani.

Rrethe mesditës ka ardhur edhe eprori Haxhi Shala, komandanti i Operativës i Brigadës 121, Ismet Jasshari-Kumanova, i njohur me emrin e luftës Komandant Topi, si  dhe tre vëllezër këngëtarë nga Lladrocvi. Këngëtarët e kanë hartuar një këngë për komandant Kumanovën, të cilën e kemi incizuar në odë. Është kjo një këngë me tekst të thurur mjeshtërisht dhe vëllezërit Krasniqi e kanë këndur me përkushtim. Këngën do të fillojmë ta emetojmë qysh sot sepse i përmbush të gjitha kriteret, si në përmbajtje të tekstit ashtu edhe në interpretim.

Edhe sot kemi transmetuar një orë program. Martini, gjatë qëndrimit të tij në Drenicën Qendrore ka incizuar biseda me eprorë dhe ushtarë, të cilat i transmetojmë sapo të përgatiten teknikisht.

Fatmir Dugolli ka përparuar në teknikë. At tanimë transmeton program pa vështirësi.

Duke qenë se ndodhemi ngushtë dhe nuk kemi mbuloja të mjaftueshme në mbrëmje kam shkuar në orën e Kadri Mehmet Berishës, dajë i një kushëririt tim, që jeton në Amerikë. Atje kam biseduar gjerë e gjatë me mixhën Kadri, i cili ka memorie të mirë dhe është mjaft vital për moshën e pleqërisë së thellë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …