Ahmet Qeriqi: Një shënim tematik dokumentar në përvjetorin e parë të Masakrës që kanë kryer serbët në Çirez dhe në Likoshan (28 shkurt, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një shënim tematik dokumentar në përvjetorin e parë të Masakrës që kanë kryer serbët në Çirez dhe në Likoshan (28 shkurt, 1999)

Edhe pse i rraskapitur dhe i lodhur nga sëmundja  duhet patjetër të shkoj në Berishë, meqë sot është përvjetori  Masakrës në Çirez dhe në Likoshan.

Kam përgatitur një emision tematik dokumentar dhe duhet ta realizojmë  para fillimit të transmetimit të emisionit ditor.

Sapo kam arritur në Berishë,  iu kam rrekur punëve. Kam shfrytëzuar do shkrime që i kam ndarë nëpër gazeta dhe  një reportazh të Martin Çunit, për hartimin e emisionit. Tekstin e kanë lexuar Ismet Sopi dhe Nusret Pllana, ndërsa në përzgjedhjen e disa efekteve muzikore më ka ndihmuar, Besnik Berisha.

Pasi është incizuar emisioni e kam dëgjuar me vëmendje dhe kam konstatuar se në kushtet dhe rrethanat tona, ka qenë emision i suksesshëm

Është me rëndësi ta shënojmë këtë përvjetor.

Sot e kam ndier mungesën e Nezir Myrtajt. Nuk kam arritur t`i redaktoj disa informata të cilat janë plot me gabime.

Megjithatë programi i ditës së sotme ka qenë i sajuar me kujdes. Kemi transmetuar edhe një reportazh që Martin Çuni e ka hartuar po në Qirez  dy javë më parë me rastin e  vizitës që iu ka bërë disa fshatrave të Drenicës.

Tani po afrohet edhe  njëvjetori i rënies së Legjendarit Adem Jashari dhe i Jasharëve të tjerë. Duhet bërë përpjekje që këtë përvjetor ta shënojmë me emisione më profesionale.

Pasi e kemi transmetuar emisionin për në Divjakë janë nisur po thuajse të gjithë, Berati, Nusreti Qemal Aliu e të tjerë. Edhe Sheqir Zeneli ka dëshirë të takohet me Azem Sylën,  por ai kërkon që ne të shkojmë së bashku. Unë nuk do të shkoj me këtë tollovi.

 Meqë dikush me veturë ka ardhur nga Shtabi për ta marrë Beratin me kompani, kam insistuar që edhe Sheqa të shkojë me ta, meqë ai pas ndonjë dite sërish shkon në Prishtinë.

Në seli kam mbetur pothuajse vetëm, kam filluar të shkruajë përshtypjet dhe ndodhitë e ditës në këtë fletore të kësaj kronike fatkeqe.

Pavarësisht nga të gjitha të metat, imponimet, injorimet dhe përpjekjet e disa trutharëve për të më demoralizuar, nga rruga e filluar nuk ndahem me asnjë çmim, jo për hirin tim as të këtij stafi, por për hir të luftëtarëve që janë në pikat e fronit në tëra zonat e luftimeve, për hir të gjakut të derdhur për liri dhe për hir të kujtimit për ta.

Duhet luftuar me mish e shpirt për ta nxjerrë këtë popull në dritë. Duhet luftuar për ta liruar përgjithmonë nga barbaria serbe. Duhet dhënë gjakun e shpirtin për të mos lejuar që të kthehemi sërish nën hirin e zi të robërisë dhe të rrojtjes si urithi. I besoj fitores dhe ardhmërisë së lirë, sepse njerëzit e përkushtuar dhe të njëmendë iu kanë rrekur punës, ndërsa rrogëzat dhe trutharët nuk mund të na pengojnë.

Lufta ka nxjerrë në shesh anët më të skajshme të temperamentit të njerëzve dhe nuk duhet bërë përpjekje me çdo kusht për ta vënë në vend të drejtën tënde individuale,  sepse ajo bie ndesh me interesin e dikujt që ka zënë post pa meritë, por me djallëzi.

Ndasitë, përçarjet, imponimet janë pjesë integrale e këtij kombi nëpër shekuj i robëruar dhe i sakatosur nga skamja, vuajtja dhe terrori. Duhet përballuar me besim në vetvete dhe me besim në ato forca të pastra të cilat janë të gatshme të sakrifikohen.

Po bëj përpjekje që të paktën këto shënime të ruhen dhe një ditë të dalin në dritë, kështu si janë shkruar e përjetuar. Sepse në to i kam shënuar vuajtjet, rëniet e ngritjet dhe besimin në fitore. Po edhe nëse humb kjo histori apo digjet me gjithë mua, kam lënë kujtime të mjaftueshme po ashtu edhe ndikim të mjaftueshëm te familja ime, te njerëzit e mi në Krojmir dhe përgjithësisht në anën tonë.

Kthim prapa nuk ka, kjo është alfa dhe omega e kësaj lufte të mundimshme por edhe heroike, të përgjakshme por edhe krenare…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …