Korriku i vitit 1998 karakterizohet me luftimet e përgjakshme pothuajse në të gjitha frontet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por veçanërisht në operacionet defansive të Anadrinit, të Malësisë së Vërrinit, të Bardhit të Madh, të Grykës së Llapushnikut, të Radishevës, e të Rrafshit të Dukagjinit; me Qarrabreg e Junik, drejtim ky prej nga depërtonte ”Zjarri i Lirisë”, mirëpo ky është edhe muaji kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës forcohej më së shumti dhe kështu luftimet e korrikut mbetën në analet më të ndritshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këto luftime, duke trashëguar heroizmin dhe trimërinë djalë pas djali e duke kultivuar artin luftarak, përjetësohen: Faik Tahir Jashari, Muhamet Sefer Haxhaj, Feim Morina, Bashkim Kabashi, Avni Avdimetaj, Burim Hamza e Abdyl Hasanaj, Tahir Shala, Daut Pllana, Bashkim Mehmetaj, Nimon Demaj, Nimon Bajraktari e Abaz Ahmetxhekaj, Enver Alaj, Lumni Surdulli, Rrustem Bruçi, Xhavit Qufaj, Ramadan Fazliu, Agim Mazrekaj, Ahmet Pulatani, Arben Ukshini, Nezir Elezaj e Sulejman Abdyli, Ymer Bytyçi, Fekë Durmishi, Shefqet Kerolli, Fatmir Doçi, Isa Peshk Malaj i Zhubit, Muhamet Zenunaj, Kolë Mirdita, Halim Bardhoshi, Albrin Fanaj, Artan e Rexhë Qorraj, Miftar Bajraktari, Nazmi Ukzmajli, Muhamet Krasniqi, Xhemajl Bytyçi, Fetah Krasniqi, Bekim Tovërlani, Abdullah Bugari, Behajdin Hallaqi, Adem Ademi, Visar Thaçi, Gani Paçarizi, Agim Kelmendi, Tafil Zyberaj, Skënder Kastrati, Sadri Krasniqi, Bujar Buzhala, Arton Zogaj, Nazmi Muzlijaj, Ilmi Malushaj, Nimon Demaj, Afrim Krasniqi, Agim Çelaj, Gëzim Mullabazi, Faik Rama, Remzi Ukshini, Sadik Shala, Limon Gegaj, Bajram Veliu, Arian Brahimi, Mizahir e Bekim Isma, Eshrafedin Kastrati, Rexhep Rexhepi, Demë Shala, Hysen Komoni, Sadik Gjocaj, Sadik Ganijaj, Enver Kastrati, Fejsal Hoti, Bashkim Kerolli, Nysret Abazi, Vezir Ademaj, Ali Zogaj, Ymer Alushani, Gëzim Mullabazi, Hamdi e Habib Berisha, Ramadan Morina, Ruzhdi Xhuliqi, Samir e Xhafer Nurkasa, Xhevat Kasapi, Alban Mehmeti, Azem, Beqir e Faik Hajrizi, Sadri Ahmeti, Ruzhdi Salihu, Rrahman Gashi, Ramadan Tahiri, Sylë Morina, Shaban Golaj, Ilaz Javori, Arif Gjocaj, Avdyl Jasiqi, Mirsad Idrizaj, Ramiz, Nazmi e Xhafer Gashi, Rifat Salihaj, Shefqet Hasanaj, Shkëlzen Gacaferi, Xhevat Plava, Beamir Memaj, Nexhat Fanaj, Muharrem Hoxha, Abdullah Morina, Hazir Kryeziu, Muharrem Sadikaj, Alush Berisha, Habib Suhagërlla, Shefqet Shala e në mesin e tyre edhe i pari dëshmor i komunës së Therandës, Kadri Kokollari, i cili së bashku me motrën Gjylferie, veproi me guxim e trimëri në Batalionin e Budakovës heroike të Brigadës 123 të UÇK-së.
Dëshmori i kombit Kadri Kokollari, i xha Sadriut e i nënës Vahide, bijë e Sopëve të Topillës, i vëllai i Shyqriut, Sherinës, Shabanit, Zahrisë, Gjylferisë dhe i Xhevahires, bashkëshort i Zizës e babë i Agronit, Shabanit, Boraldës dhe i Arbenit, është i lindur më 19 gusht të vitit 1965, në Budakovë të Therandës, në trekëndëshin gjeografik, të cilin krahas Budakovës e sajojnë edhe Jezerci me Carralevën. Në këtë vis malor-kodrinor, me një pozitë të rëndësishme strategjike me shekuj kultivohet dhe trashëgohet bujaria, besa dhe trimëria. Këtu ishin zhvilluar kryengritjet më të përgjakshme gjatë veprimtarisë së Lidhjes së Prizrenit, prej vitit 1878 deri më 1881, e më 1908 e deri më 1912, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë së një pjese të kombit këtu vazhdon rezistenca kundër forcave të okupatorit serb, prej vitit 1912 deri më 1945, e këtu kishin lindur edhe trimat si Hasan e Hysen Budakova, Ibrahim Lutfiu, Zenun Kepa, e së këtejmi Budakovës me të drejtë i takoi epiteti “Kala e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Shkollën fillore, Kadriu i frymëzuar prej mësuesve veteranë të mëdhenj në këto vise, Haxhi Zyba e Shefki Muçaj, e kreu në vendlindje, kurse mundësitë për t’i vazhduar studimet nuk i kishte pasi që familja Kokollari ka një pasuri të madhe të veprimtarisë në rrafshin kombëtar, por në rrafshin ekonomik jetonte nën vijën e ekzistencës. Megjithatë, edhe bri skamjes, Sadri Kokollari duke i rrëfyer Kadriut për trimëritë e të parëve, e ushqente me ideal se për Kosovë duhet të jipet çdo gjë. Kështu i frymëzuar, Kadriu merr pjesë në të gjitha protestat që i organizonte rinia e Therandës. Pushtetit serb ky aktivitet ia forconte urrejtjen ndaj shqiptarëve, prandaj edhe Kadriut i vihet në gjurmë; disa herë arrestohet dhe vuan dënime në Lypjan, e si I mitur dhe në Prizren.
Në burgje për shok të idealit e kishte Xhemajl Rexhën, tash dëshmor i kombit, ndërsa si veprimtar organizohet nëpërmes Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku i kishte të organizuar vëllezërit Shyqriun e Shabanin. Vëllezërit dhe motrat e Kadriut, bashkëvepronin me veprimtarin Rexhep Kepa. Këtu Kadriu është në krye të detyrave dhe vepron së bashku me Fadil Vatën, Halil Krasniqin e Nexhmedin Elshanin dhe asnjëherë nuk ra nën ndikimin e politikës pacifiste. Për t’u strehuar prej ndjekjeve të vrazhda merr rrugën e kurbetit dhe vendoset në Zvicër, ku bashkëvepron me veprimtarët më të njohur të Lëvizjes Popullore të Kosovës e të Fondit “Atdheu në rrezik, Vendlindja thërret”.
Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nëpërmes Shefki Muçajt dhe Sadik Halitjahës, kyçet më 5 maj të vitit 1998, kur edhe kishte arritur nga mërgimi, ndërsa në operacionet e para, pasi që nuk kishte nevojë për stërvitje dhe kishte armatim personal, doli më 25 qershor, përgjatë vijës frontale Budakovë-Muhlan ose në pikën e Dardhishtes. Prej kësaj date e deri më 3 korrik, ditë kur përjetësohet, Kadriu nuk ndalet dhe së bashku me motrën Gjylferie, e njohur si “Shota e Budakovës”, e me bashkëluftëtarët: Monin, Ademin, Skënderin, Haxhiun e Shaqir Sallaukën, Sadik Halitjahën, Idriz Hysenin, Besim Baraliun, Muhamet e Rifat Kadrijajn, Ali e Haxhi Kepën dhe Murat Palloshin, merr pjesë në shumë aksione guerile e beteja frontale mbi Biraç, në Grejçec dhe mbi Reçan. Por, më 3 korrik të vitit 1998, në afërsi të fshatit Dardhishtë, mbi Muhlan, përjetësohet në altarin e lirisë, duke e çuar në vend betimin e Besim Ndrecës. Atë ditë luftimet kishin filluar në mbrëmje, pak para muzgut të parë dhe vazhdojnë deri në mesnatë. Në luftim, krahas forcave ushtarake e policore, morën pjesë edhe serbët lokalë të Muhlanit e të Reçanit, por kah mesnata serbët e kuptuan se e kishin humbur këtë betejë dhe ashtu të turpëruar detyrohen t’i braktisin fshatrat rrëzë Budakovës.
Trupin e pajetë, por të përjetësuar në altarin e lirisë në luftimet e përgjakshme të Dardhishtes, nga fushëbeteja e tërhoqi Hazir Kokollari dhe më 4 korrik, Batalioni i Budakovës organizon përcjelljen ushtarake për në amshim të dëshmorit Kadri Kokollari, dëshirë e të cilit ishte që rrugën drejt lirisë deri në bashkimin e trojeve etnike ta vazhdojë e motra Shotë.
Sot, një rrugë e Therandës mban emrin Kadri Kokollari. Trupi I tij pushon në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Therandës, ku pushon edhe trupi i kushëririt të Kadriut, Nezim Kokollari, i rënë në Betejën te “Guri i Bagdashit”, në Reçak, më 15 janar të vitit 1999. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …