Sot, anëtarët e stafit të Radios-Kosova e Lirë dhe të TV-Diellit, Jeton Syla, Arbanë Qeriqi-Gashi dhe Zamir Qeriqi, qëndruan në zyrën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, në Prishtinë, me ç’ rast kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj i ndau Mirënjohjen, “Me besim në Zot atdhe e Shtet”, drejtorit të Radios Kosova e Lirë, z. Ahmet Qeriqit, për kontributin e veçantë dhe meritat e jashtëzakonshme në avancimin e çështjes sonë kombëtare. Mirënjohjen e pranoi kryeredaktorja e Radios, Arbanë Qeriqi-Gashi, pasi drejtori i Radios nuk ishte i pranishëm për shkaqe shëndetësore.
Ramush Haradinaj vlerësoi lartë kontributin e Radios Kosova e Lirë, të udhëhequr nga profesor, Ahmet Qeriqi, qe 25 vite. Po ashtu, në këtë takim ai shpreh një falënderim të veçantë për përpjekjet dhe angazhimin e palodhur të profesorit Qeriqi, dhe ekipit të tij në kryerjen e detyrave të shumta me përkushtim dhe ndershmëri, duke e cilësuar si një faktor të rëndësishëm në afirmimin e të vërtetës kombëtare.