Edhe sot serbët kanë sulmuar në shumë vende në Drenicë dhe në Dukagjin. Forcat tona të njësive speciale kanë sulmuar një patrullë të policisë serbe brenda në Blinajë. Sulmi është kryer ne afërsi dhe janë shkatërruar tërësisht dy pizguaerë. Mendohet se kanë pësuar 12 policë serbë. Në shenjë hakmarrjeje serbët kanë ndaluar autobusin që qarkullon në relacion Shalë Magurë, i kanë rrahur dhe i kanë maltretuar të gjithë udhëtarët. E kanë rrahur edhe shoferin e autobusit, ndërsa një udhëtar e kanë rrëmbyer. Për fatin e tij ende nuk dihet.
Serbët në shenjë hakmarrjeje kanë granatur fshatrat Vërshev, Leletiq dhe Qylagë.
Sot sërish në orën 10.30 minuta forcat e motorizuara serbe kanë sulmuar fshatin Gjergjicë. Banorët kanë ikur tutje drejt malve, ndërsa forcat tona iu kanë kundërpërgjigjur zjarri të armikut. Edhe sot Besnik Berisha nga pika jonë në Kungullar, me kamerë ka bërë incizimin e luftimeve. Ai ka depërtuar edhe në pozicionet e ushtarëve tanë prej nga i ka incizuar këto luftime. Si pasojë e këtyre sulmeve të papritura banorët e fshatrave Gjergjicë, Arllat dhe Llapushnik janë zhvendosur në drejtime të ndryshme, nëpër acar dhe dëborë.
Sulmi i forcave tona afër Hotelit në Blinajë i ka çartur serbët. Si duket ata kanë pësuar humbje të rëndë, edhe pse burimet serbe bëjnë të ditur se janë plagosur 14 policë, në mesin e tyre pesë kanë marrë plagë të rënda.
Burimet e lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se sot në Prekaz është mbajtur tubim përkujtimor me rastin e njëvjetorit të rënies së Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Edhe ne me rastin e këtij përvjetori historik kemi përgatitur një emision tematik. Tekstin për këtë emision e ka shkruar Nezir Myrtaj, ndërsa e ka lexuar Nusret Pllana.
Në mbrëmje burimet tona nga terreni në Blinajë kanë bërë të ditur se nga sulmi i luftëtarëve tanë të Njësive speciale të Shtabit të Përgjithshëm janë vrarë 11 kriminelë serbë dhe janë shkatërruar tërësisht dy pizgauerë.
Sulmi është kryer në një distancë 30 metra, ballë për ballë forcave armike. Këto burime i ka konfirmuar përmes telefonit edhe Reshat Gashi nga Spitali i luftës në Krojmir.
Agjencitë e huaja të lajmeve kanë dhënë pamje nga vendi ku ka ndodhur përleshja. Pamjet tregojnë se në dy pizguaerët e shkatërruar nuk ka mundur të shpëtojë asnjë i gjallë.