leoni

Nimon Muçaj   FESTIVALI “ESHKË E NDEZUR MBI SHKELZEN”

Nimon Muçaj: FESTIVALI “ESHKË E NDEZUR MBI SHKELZEN”

Kur Komuna e Deçanit e nisi Festivalin Folklorik “Eshkë e ndezur mbi Shkelzen” iu bëri nderë gjithë rapsodëve të kësaj ane, të cilët e kishin  frymzuar rininë me këngët e tyre dhe idenë e luftës për luftën për liri, e cila u kurorizua me 1999-të me çlirimin e plotë të Kosovës nga UÇK-ja dhe forcat e Nato-s. Pra, rapsodët Dervish Shaqa dhe Demush Neziri do të mbesin eshkë e ndezur mbi Shkelzen me artin e këngës. Ata janë sinonim i një qëndrese dhe ikja e tyre nga Kosova, sikur zgjoi autoritetet ndërkombëtare, se këtu në Kosovë po bëhej terror. Pra, ata ikën nga represalijet e UDB-së së ish Jugosllavisë. Ata ishin pas ardhsit e Demë Ali Trakut, Rrahman Imerit. Vazhdës së tyre iu bashkuan Lan Dobra, Hysen Uka, Shaqë Avdia dhe shumë rapsodëve të tjerë të kësaj ane. Ky Festival për vite me radhë solli në Deçan rapsodë nga gjithë hapësira shqiptare, të cilët me artin e tyre performuan këngët dhe vallet e tyre që sot njihen si pasuri kulturore të trashigimisë sonë kombëtare. Skena e festivalit “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen” thuaja është e hapur për rapsodët dhe për gjeneratat e reja të cilët me artin e tyre do të ndjekin trashigimin tone kulturore e kombëtare, e cila rrënjët e veta i ka në lashtësi, kur nisën këngët e para majekrahu, pastaj në bishtin e lahutës dhe të çiftelisë dhe sharkisë. Festivali paraqet një arritje të madhe kulturore. Pra, prej vitit në vit Festzivali po bëhet gjithnjë e më i pasur me shumë llojshmërinë e grupeve dhe temave, që po zhvillohen në skenën e festivalit në Deçan.

E nisa këtë shkrim duke kujtuar Shaqë Avdinë dhe Lan Dobrën, sepse ata i vrau policia dhe ushtria serbe në mënyrën më çnjerzore. “Kush asht shqiptar e bjen shahadet, ai i qon gushtat përpjetë… Qohet Sava gishtat ua pret…”. Sa e sa herë kishin kënduar dhe tani po e provonin qëndresën e popullit të Dukagjinit…

Mbaj mend këtë takim që kam pas me rapsodin e madh. I kishte do vjet baca Lan, në vitin 1995, kur u takuam në një odën, se kishim interes të dëgjonim fjalët dhe këngën e tij. Baca Lan, pas u err erdhi me shkarki në dorë. “Eh”, foli pasi u ul në odë. “I kam ba do vjet dhe me erdhi keq me me pa dikush me sharki në dorë, prandej u vonova pak. Pasi pushoi na këndoi këngën “Prej Prokuplej deri në Nish, na u mbush fusha plot dervish!” Në një cep të letrës, që e kisha në xhep shkrova: Ti puthsha telat e sharkisë, o Lan Dobra! 

Baca Lan tregoi se kishte mësuar të këndonte nga rapsodi Dervish Shaqa. Demushi Neziri ishte i pari, që këngët i ka shoqëruar me fizarmonikë. Kam ndëgjue prej Dervishit, kur hoshte se “asht mjeshtri me e shti zanin në telin e çiftelisë apo të sharkisë”. Pastaj baca Lan më ka pyetur për takimet që kisha pasur dikur me Derish Shaqën e Demush Nezirin në vitet 1978 dhe 1979, sepse unë në Shqipëri isha në turne me Teatrin Popullor të Gjakovës. Unë i flas bacës Lan për rapsodin Dervish Shaqa ai me flet për Demë Ali Tarakun, poashtu këngëtar i këtyre anëve. 

Si e njoha Dervish Shaqën? Në një radio tipit “Kosmai” në vitet ‘60  e kam dëgjuar në valët e radio Kukesit apo radio Tiranës. U njoha me te në hollin e hotel “Arbëria” qershor të vitit 1978, kur unë isha me Teatrin Popullor të Gjakovës në një turne teatrore në Shqipëri. Isha në drekë te hotel “Arbëria”. Kamarieri më tha, dil në koridor se po të thërret një i njour yti. Kush mund të jetë? Dola. Ai ma thotë emrin tim. E shoh një njeri me qeleshe të bardhë mbi kokë. Rrobat solemne. Ky duhet të jetë rapsodi, Dervish Shaqa, flas me vete. Përshendetem me te dhe ai me ngushëllon për të afërmit e mi dhe për pleqët e katundit Lluka e Epërme rend me rend. Këtu në turizëm e kemi edhe Demush Nezirin. Po rrija me dy rapsodë duke i shikuar herë njërin herë tjetrin. Kemi shprush zjarrin e tyre të brendshëm për Kosovën, që e kishin lënë prapa të okupuar nga serbi. Baca më flet  për Demë Ali Pozharin, kur qe fshehur nga çetat partizane në Përroin e Qelisë. Më flet për Vekun e Kralicës, për Gjeravicën, Majën e Strellcit, për Rrasën e Zogut. Takimi ka qenë i shkurtër, se ne po ktheheshim pa përfunduar turneun e teatrit për shkak se Enver Hoxha e kishte sharë Titon, në një fletushkë partie…

Takimin tjetër. Isha në turne me teatrin Popullor të Gjakovës në maj të vitit 1979. U shkëputa nga grupi dhe shkova në Reshbull. Aty kemi ndejtur gjithë ditën. Ai më kanë pyetur për gurët e sokakut dhe për blinin e Llukës, që e shihte në ëndërr. Më ka përmend Pishen Shekullore të Llukës së Poshtme. Ka treguar për sharkinë me dymbëdhjet tela, që e kishte bërë dikur me Qamilin e Vogël në Gjakovë. E kishte bërë një të ngjashme në Shqipëri, por nuk kishte mundur ta ndonte në dyzen. Fjalët nuk i mbaronin. E ka marrë sharkinë. Kënga e tij e shoqërohej me lot në telat e sharkisë…

Dervish Shaqes i ka mbet peng që nuk e ka puthur edhe një herë tokën e Kosovës, pas kaq viteve qëndrimi në Shqipëri. Por këtë peng ia ka kryer Osman Mulliqi i cili kishte qenë për shumë vjet pranë rapsodit në Shqipëri Ishte korriku të vitin 1999. Në Deçan po mbahej një koncert kushtuar UÇK-së dhe luftës për liri. Osmani publikisht doli në shesh. Puthi tokën dhe tregoi, se amanetin e Dervish Shaqës e kreva. “Më ka porositë, se nese ke jetë më shumë se unë dhe nese unë Dervish Shaqa nuk jam më, kryje këtë amanet”. Të gjithë sa kanë qenë në sheshin e Deçanit kanë qa me lot dhe kanë duartrokitur. 

Pra, “Eshkë e ndezur mbi Shkelzen” është një feastival që duhet ta pasurojmë me forma të reja dhe artistike, duke angazhuar njerëz të profesioneve artistike në lëminë etno-muzikës dhe kulturës sonë kombëtare…

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …