leoni

Kuvendi komunal i Skenderajt ka mbajtur seancë solemne në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në 26 vjetorin e luftës heroike të kryekomandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, sot Kuvendi Komunal i komunës së Skenderajt ka mbajtur seancë solemne. Në shenje respekti për sakrificën e Familjes Jashari, seanca filloi me një minutë heshtje, ndërsa kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, mbajti fjalimin kryesor. Fjalimi i plotë i kryetarit Nura: “E nderuara kryesuese e Kuvendit, znj.Spahiu Të nderuar drejtorë komunalë Të nderuar anëtarë të Kuvendit, Të nderuar pjesëmarrës dhe media, Të dashur bashkëqytetarë të Skenderajt,  Mëngjesi i së enjtes së 5 marsit të vitit 1998, kurrë më nuk do të jetë i njëjtë! Ai do të shënojë fillimin e një përfundimi të shpërbërjes përfundimtare të federatës së Jugosllavisë. Nga ky moment zë fill liria e popullit të Kosovës.  Këtu fillon rrugëtimi i gjatë dhe me vuajtje i popullit shqiptar të Kosovës. Pushkët e bacë Shabanit, djemve Hamzës, Ademit e nipave të tij, u nxorën dhe një herë të vihen në shërbim të atdheut dhe lirisë. Burrat në Kullë kishin dhënë besën se më mirë të vdiset me nder, sesa të jetohet i nëpërkëmbur. Por nderi kishte çmimin e lartë. Thonë, një frikacak vdes njëmijë herë, kurse guximtari një herë të vetme.  Adem Jasharit iu deshtë vetëm një herë, që Serbia të kuptojë se poshtërimi dhe robërimi nuk mund të tolerohen më. Në truallin e të parëve të tyre, aty ku linden gjenerata për të mësuar atdhedashurinë, Adem Jashari dhe 57 burra dhe gra, në mesin e tyre 10 fëmijë ranë në emër të lirisë, e cila do të gëzohet nga e gjithë Kosova. Një sakrificë, megjithëse e paparë ndonjëherë më parë, që provokoi një nga mobilizimet më të mëdha të popujve liridashës. Ata i dhanë zemër dhe forcë gjithë popullit shqiptar të Kosovës, që të vazhdohet lufta deri në arritjen e plotë të lirisë. Kryekomandanti kishte rënë në mënyrën me heroike në altar të lirisë. Por Ushtria Çlirimtare e Kosovës vazhdoi të çojë përpara amanetin e Ademit, duke luftuar me guxim e kurajo, për të çliruar tokën e Kosovës nga agresori serb.  Të nderuar anëtarë të Kuvendit,  Sot në këtë 26 vjetor, në Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kujtojmë me respektin më të lartë institucional e njerëzor, kryetrimin e UÇK-së, Adem Jashari, të rënët e familjes Jashari dhe gjithë të tjerët të vrarë ato ditë të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998. U shprehim nderin më të lartë me mirënjohje të thellë, për vetëflijim, sakrificë dhe guxim të pashoq! U jemi përjetësisht falënderues që na dhanë neve mundësinë të jetojmë të lirë dhe të pavarur, si shoqëri e barabartë me gjithë popujt tjerë të lirë gjithandej.  Lavdi e përjetshme kryekomandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij! Lavdi të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Faleminderit!”.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …