leoni

Shaip Halil Miftari (1914-1946)

Shaipi Halili, nga  Krojmiri i Drenicë, rrjedh nga një familje e cila kishte rezistuar në çdo kohë kundër sundimtarëve të huaj, si në kohën e turkut ashtu edhe në kohën e sundimit serb.

Ishte i biri i Halil Miftarit. Babai, Halili, ka qenë një burrë i njohur për besë e trimëri. Gjyshi i Shaipit, Miftar Shema kishte qenë luftëtar popullor. Ka qenë i burgosur në kohën e LSHP prej vitit 1881 deri më 1887. Burgun e ka vuajtur në Shkup, Selanik dhe në Qystendil të Bullgarisë. I përshkruhen shumë vepra të trimërisë por edhe vrasje e hakmarrje.

       Shaipi ka qenë i rekrutuar dhunshëm në shërbimin ushtarak e MSKS. Ka qenë ushtar i “kralit”  në Banja Llukë të Bosnjës, së bashku me Arif Shalën, i njohur si Hoxhë Avdia dhe Halil Graiçevcin nga fshati Sankovc. Pas lirimit nga shërbimi ushtarak ka mbajtur kontakte ilegaliteti me Hoxhë Avdinë ( Arif Shala) dhe ka ndihmuar në shpërndarjen e librave shqip. Ka mbajtur kontakte ilegaliteti edhe me Vesel Pagarushën, Mulla Rexhep Tërpezën e të tjerë.

Ka bashkëvepruar në shpërndarjen dhe fshehjen e librave shqip me kushëririn e vet, Ali Emin Miftari, dhe nuk është zbuluar asnjëherë.

Shaipi merrte libra dhe nga daja i tij,  Tahir Berisha, “i cili librat shqip i merrte në Shkup dhe i shpërndante në Kosovë, në familje të besuara e patriotike ( me qëllim që ata) t’i mësonin fëmijët e tyre. Kjo punë ishte ilegale, sepse po të kapej një libër shqip,  shqiptari i Kosovës dënohej me 18 vjet burg, njësoj si për krimin e vrasjes” ( Shaban Braha, “ Rifat Berisha, figurë e shquar kombëtare, Tiranë, 1998, f.37.).

Në kohën e luftës së Dytë Botërore, i ndikuar nga daja i tij, Rifat Berisha, ai mban lidhje me veprimtarë ilegalë. Gjatë asaj kohe nuk ka marrë pjesë në aksione të armatosura. Ka mbajtur kontakte ilegaliteti edhe me Hoxhë Avdiun, Arif Shalën e Sankovcit e të tjerë. Ka marrë pjesë në formacionet vullnetare nën komandën e Shefqet Kapetanit të Baicës në trojet e Kosovës Lindore, në luftë kundër forcave bullgare dhe forcave çetnike e partizane.

Në dimër të vitit 1945, së bashku me Mahmut Imerin, Hamdi Brahimin, Muharrem Ukën, Xhemë Mehmetin e të tjerë, mobilizohet dhunshëm dhe dërgohet në brigadat partizane në drejtim të Sanxhakut dhe Bosnjës. Ndërkohë  është sistemuar në radhët  e Brigadës së Gjashtë të Malit të Zi, ndërsa ka vepruar në radhët e partizanëve në Foqë të Bosnjes dhe Hercegovinës.

Isak Zabeli, një i mobilizuar po ashtu  dhunshëm, nga fshati Zabel i Drenicës ka qenë i mobilizuar së bashku me Shaip Miftarin qysh në fillim të inkuadrimit në brigadat vullnetare. Isaku, më vonë mësues  në fshatin Krojmir, ka shpjeguar rrethana e vrasjes së Shaip Halil Miftarit.

Ai ka treguar se Shaipi kishte rënë në sy si shenjëtar i dalluar  dhe luftëtar i aftë e i zhdërvjelltë. Për këto cilësi ë  kishte e mbante pranë vetes një epror i lartë, i cili e  trajtonte edhe si trup-roje dhe vazhdimisht e mbante pranë.

Në të gjitha aksionet për likuidimin e çetnikëve, Shaipi ishte treguar i suksesshëm. Në një rrethim të forcave çetnike në Bosnje, eprori, kishte vrarë pabesisht dhe prapa shpine, Shaip Halil Miftarin, ndërkohë që edhe  kishte dezertuar. Më vonë partizanët shpartallojnë  forcat çetnike, ndërsa dezertori kapet gjallë. Ai kishte pranuar se kishte vrarë Shaip Miftarin, për shkak se ai ishte shenjëtar i mirë dhe me snajperin e tij vriste çetnikët. Për shkak të dezertimit ishte dënuar me vdekje-pushkatim. Disa eprorë partizanë kishin kërkuar nga ushtarët shqiptarë që ta vrisnin dezertorin, në shenj hakmarrje për vrasjen e Shaipit, por askush nuk kishte pranuar të implikohej në një veprim të tillë, meqë, vrasësi serb edhe ashtu priste pushkatimin sipas vendimit për dezertim.

Pas një kohe, trupin e Shaip Halil Miftarit, njësitë e Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë e kanë sjellë në familje, në Krojmir, ku edhe është varrosur thjesht, pa asnjë ceremoni.

Duke qenë nip i familjes së Rifat Berishës, dhe për shkak se ishte vrarë nga një dezertor, Shaipin e kishin shpallur dëshmor të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, edhe pse ai qe mobilizuar dhunshëm dhe ishte vrarë pabesisht, prapa shpine, nga forcat çetnike partizane.

Shaipi ka qenë i martuar, por nuk ka lënë trashëgimtarë. Ai kishte lënë pas vëllezërit, Idrizin, i cili kishte vdekur i ri, pastaj Musanë si dhe motrat: Elmazen, Zymryten dhe Mejremen.

 Nga fshati Krojmir, gjatë Luftës së Dytë Botërore janë vrarë: Mulla Hazir Meta, Sabit Hyseni, Hysen Bajrami. Në Brigadat partizane janë vrarë, pas shpine, shumica  në rrethana enigmatike: Shaip Halil Miftari, Abdullah Ajet Ademi, Muharrem Ukë Çollaku dhe Rrustem Seferi. Në burgun e Nishit, gjatë kohës sa ka qenë duke vuajtur dënimin 15 vjet burg ka vdekur, Osman Jetullahu. Në rrethana të pasqaruara zyrtarisht, në dimër të vitit 1948, në Krojmir, në një mulli, OZN-a ka likuiduar tinëzisht, Rrahim Rexhë Limanin. Ka mbajtur dënimin 16-vjet burg, Rrahman Jetullahu, luftëtar i NDSH-së.

Literatura:

  1. A. Qeriqi, Krojmiri (1455-1999) Prishtinë 2007.
  2. Shaban Braha, “ Rifat Berisha, figurë e shquar kombëtare”, Tiranë, 1998, f.37.).

Dëshmi gojore:

  1. Ali Emin Miftari,
  2. Isak Zabeli,
  3. Mahmut Imeri,
  4. Xhemë Mehmeti.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …