Sot ndihem më mirë, meqë kam fjetur mirë dhe më ka kaluar temperatura.
Këtu ende nuk kemi krijuar ndonjë orar pune as pushimi dhe secili i pengojmë njëri tjetrit, por në kushte dhe rrethana të tilla tolerohen edhe këto.
Situata në terren sot ka qenë më e qetë, apo një qetësi e nderë para furtunës. Kërcënimet deklarative të NATO-së regjimit kriminel të Beogradit nuk po i bëjnë përshtypje. Kreu politik dhe ushtarak serb me siguri se ka hartuar platformë për një sulm definitiv kundër shqiptarëve. Ata, e kanë kuptuar mirëfilli se Marrëveshja e Rambujesë megjithatë paraqet një lëshim në drejtim të realizimit të disa të drejtave për shqiptarët. Sado që ajo marrëveshje në asnjë pikë nuk e konteston sovranitetin e Serbisë dhe të Jugosllavisë në Kosovë, megjithatë kreu aktual politik dhe ushtarak serb pretendon ta shuajë rezistencën tonë, për të pasur pozicion më të fortë negociues.
Mendoj se forcat tona politike dhe ushtarake në këto çaste vendimtare nuk janë sa duhet të kthjellëta, meqë secili mundohet të ruajë të drejtën dhe qëllim e grupit apo të partisë së vet. Përçarja në radhët tona në raste të tilla tregon se sa larg kemi nga pjekuria dhe përgjegjësia politike, me të cilën po na sfidon koha.
E kemi përgatitur me kohë emisionin për transmetim. Përveç informatave nga terreni dhe ato ndërkombëtare kemi transmetuar edhe një reportazh nga manifestimi në Prekaz, një shënim për këtë përvjetor të mbajtur në Likoc dhe disa materiale të tjera.
Në mbrëmje me Fatmir Dugollin jemi nisur drejt vendit ku na pret Ali Mullini.
Sonte kanë ardhur në vendqëndrimin tim në Krojmir, Fatmir Xhelili, Hilmi Ramadani dhe Naim Imeri, një tezak i im.
Kemi biseduar gjerë e gjatë për shumë probleme aktuale, ndërsa Naimi ka bërë me dije se ka informacione që puna dhe aktiviteti i tij janë dekonspiruar nga policia vendore serbe në Lipjan. Qarkullimi i mëtejmë në ato pika mund të jetë fatal. Naimi propozon që tani e tutje të sistemohet në zonën tonë ose në Zonën Operative të Neredimës.
Aktiviteti dhe angazhimi i deritanishëm i Naim Imerit nuk përshkruhen dot. Ndihma që ai së bashku me Vehbi Zeqirin i kanë dhënë luftës, janë të pakrahasueshme. Deri tani kanë pasur fat falë punës dhe aktivitetit konspirativ. Mendoj se Naimi është kuadër që meriton një vend në radhët e para organizative, meqë është shumë punëtor dhe luftëtar konsekuent i çështjes kombëtare.