Stavileci prezanton të arriturat e ekonomisë dhe energjisë në Samitin e Parisit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci po merr pjesë në Forumin e Biznesit, që zhvillohet në kuadër të Samitit të Parisit për Ballkanin Perëndimor, “Paris, Ballkan 2016”, që po mbahet në kryeqytetin francez, ku  marrin pjesë edhe ministrat e linjës nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Mali i Zi, Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe  Fqinjësi, Johannes Hahn, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe mekanizmave financiare ndërkombëtare.

Në kuadër të Samitit të Parisit, Ministri Stavileci do të marrë pjesë edhe në pritjen që Presidenti i Francës, Francois Hollande do të organizojë për delegacionet e vendeve të Ballkanit në Pallatin Elysse, me ç’rast do të nënshkruhet marrëveshja ‘RYCO’ nga Kryeministrat.

Temë kyçe në Forumin e Biznesit, nikoqir i të cilit është Michel Sapin, Ministri francez  i Financave dhe Thesarit do të jetë prezantimi i reformave në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për klimën e biznesit me fokus në sektorët: Transporti dhe Infrastruktura, Energjia dhe Mjedisi, Digjitalizimi etj.

Forumi zhvillohet në sesione sektoriale, ku Ministri Stavileci do të referojë në sesionin Energjia dhe Mjedisi, në të cilin diskutohet çështjet si Burimet e Ripërtërishme të Energjisë, Rrjetat Smart, Efiçienca e Energjisë, Trajtimit e ujërave dhe mbeturinave.

Stavileci do të prezantojë të arriturat e Kosovës në këta sektorë që nga Samiti i fundit, duke nënvizuar të arriturat sidomos në fushën e energjisë, ku hyn përfundimi i interkoneksionit 400kV Kosovë-Shqipëri, tregu i përbashkët, projektet ndërkufitare në fushën e energjisë në të cilat synohet të përfshihen vendet fqinje, e që janë në harmoni me orientimet e BE-së, respektivisht nismës së Berlinit.

Ndryshe, në kuadër të Forumit do të diskutohen edhe projektet e nënshkruar në vitin 2015 dhe bashkë-financuar nga Komisioni Evropian, paraqitja e programeve të projekteve të financimit në Ballkan dhe sfidat aktuale etj.

Në ditën e dytë të vizitës në Paris, Ministri Stavileci do të zhvillojë takime të ndara me drejtues të kompanive të ndryshme franceze të sektorit të TIK-ut dhe Inovacionit, si Finance Innovation, Cap Digital, La Paillasse dhe La Ruche, ku do të njihet për së afërmi me përvojën e tyre dhe mundësitë e bashkëpunimit me kompani nga Kosova.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …