Ahmet Qeriqi: Shpërthime të eksplozivit nëpër vendbanimet shqiptare. Një pjesë e delegacionit shqiptar nga Aeroporti i Prishtinës niset për në Rambuje (13 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Shpërthime të eksplozivit nëpër vendbanimet shqiptare. Një pjesë e delegacionit shqiptar nga Aeroporti i Prishtinës niset për në Rambuje (13 mars, 1999)

Rreth orës tetë të mëngjesit  kanë filluar granatimet e forcave serbe mbi disa fshatra të Drenicës Qendrore në relacion Gllogoc-Skënderaj. Pak më vonë janë dëgjuar disa detonime tejet të fuqishme, intensiteti i shpërthimeve është hetuar edhe te ne të Rrafshnaltë. Si duket sot serbët kanë ndërmarrë veprime ushtarake në shkallë të gjerë.

Në kohën kur ishte lajmëruar se një pjesë e delegacionit shqiptar që udhëton sot për në Rambuje, ishte nisur nga Aeroporti i Prishtinës, bëhet e ditur për një kurdisje të një sasie të eksplozivit,( ashtu sikurse disa ditë më parë në Ferizaj), në Tregun e Mitrovicës. Nga shpërthimi i eksplozivit janë vrarë disa shqiptarë. Tani për tani nuk kemi informacione të sakta për  të vrarët dhe të plagosurit. Shpërthime të tilla në vende publike janë shënuar edhe në Podujevë.

Veprime të tilla fashiste në vende publike serbët kanë ndërmarrë edhe gjatë luftës, në Bosnje dhe në Kroaci. Me rastin e shpërthimit të eksplozivit në një vend publik në Sarajevë atëbotë kanë qenë vrarë afër dyqind veta. Si duket serbët e kanë ndërmend që edhe këtu te ne të bëjnë vepra të tilla monstruoze, me qëllim që popullata të ikë nga Kosova. Ata po bëjnë përpjekje që  shqiptarëve në çdo vend t` ua bëjnë të pasigurt jetën dhe qëndrimin në trojet e tyre në Kosovë.

Fillimi i sulmeve dhe i kurdisjeve të eksplozivit që po ndërmarrin forcat okupatore nëpër qytete, tregon se serbët nuk do ta nënshkruajnë Marrëveshjen e Rambujesë. Ata, nuk po japin asnjë sinjal se do ta përfillin faktorin ndërkombëtar.

Edhe emisionin e sotëm e kemi përgatitur dhe e kemi transmetuar me kohë, në vend-transmetimin  në Bajrak apo Kungullar, jo larg vendqëndrimit tonë në Berishë.

Në mbrëmje, meqë sonte nuk ka shkuar në Krojmir, përmes telefonit në Spitalin e luftës, Elez Durmishi më tregon se Syla dhe Faruku kanë pasur një konflikt verbal me disa ushtarë të Shalës. Sipas fjalëve të Elezit njëri prej atyre ushtarëve e ka provokuar Sylën dhe Faruku ia ka drejtuar armën, pastaj kanë ndërhyrë disa ushtarë të tjerë. Aksidenti ka kaluar pa pasoja,

(9 rreshta të koduar)

Në selinë tonë në Berishë në orët e mbrëmjes kanë ardhur Hilmi Ramadani dhe mjeku Fatmir Xhelili, si dhe disa ushtarë të tjerë të shtabit lokal të Berishës.

Natën vonë në seli ka ardhur edhe Elez Durmishi. Ai më zbulon hollësi nga zënka në Shalë dhe më tregon se rastin ia ka bërë të ditur vetë shefit të Shtabit, komandantit Bislim Zyrapi dhe majorit Salih Veseli. Sipas të gjitha gjasave aksidenti ka qenë kurdisje e një segmenti tanimë të njohur në radhët e policisë ushtarake.

Elezi ka qëndruar në selinë tonë dhe kemi biseduar deri në orët e vona të natës.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Riorganizimi në disa nivele po i lë anash meritorët (E hënë 23 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Ndodhi dhe lëvizje të përditshmërisë. (E martë 17 nëntor, 1998)

Vazhdon avazi i pritjes. Berati shpreson se së shpejti do ta aktivizojmë agjencinë, ndërsa unë …