Pasi Kryeministri, Albin Kurti i kërkoi Agjencisë Kadastrale ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për “pronën” e Manastirit të Deçanit, ka reaguar kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj. Ai tha me këtë rast se Deçani përsëri goditet padrejtësisht, kësaj radhe nga një Urdhër Ekzekutiv i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti!
Deçani së pari është goditur padrejtësisht në vitin 2008, kur u krijua “Zona e Veçantë e Mbrojtur”, e cila bëri ndalimin e plotë dhe kufizimin e pajustifikueshëm në: ndërtimin e rrugës; ndërtimin e shtratit të Lumbardhit; në ndalimin e shfrytëzimit të “Pushimores së Fëmijëve”; e ndaloj plotësisht zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin në prona private brenda kësaj zone. Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” të vitit 2012, i cili e ndaloj dhe kufizoj mundësinë për të jetuar më mirë në këtë qytet, mundësinë e zhvillimit të kësaj komune, implementimin e shumë projekteve strategjike, të cilat tani më është dashur të jenë të përfunduara. Park Nacional i cili është bërë pengesë shtesë e zhvillimit ekonomik. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016, për 24 hektar të pronave, i cili vendim u zbatua sot, nga Agjencioni Kadastral i Kosovës me urdhëresë të Kryeministrit. Qe tri vite po pres që ky Kryeministër të më takoi një herë të vetme, për të diskutuar edhe për këtë temë për të cilën dha Urdhër Ekzekutiv sot, ka thënë mes tjerash, kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.