Beqir Elshani: BETOVENI DHE SIMFONIA HEROIKE

(Me rastin e përvjetorit të lindjes  së Ludvig van Betovenit)

Pianisti dhe kompozitori gjerman, Ludvig van Betoven, u lind në Bon më 16 dhjetor 1770 dhe konsiderohet një ndër kompozitorët më të mëdhenj të epokës së klasicizmit dhe romantizmit në artin e muzikës. Babai e dërgoi tek Jozef Hajdni në Vjenë, që ishte qendër e muzikës klasike për të studiuar Mocartin. Qysh në moshën tetëvjeçare u paraqit me koncertin e tij para publikut të madh, kurse në moshën 13-vjeçare u zgjodh muzikant kryesor dhe shkroi kompozimet e tij të para. Muzikanti arriti të bëhet një pianist virtuoz, tastierën e pianos e qëllonte aq shumë, saqë tërë shtëpia e tij ushtonte. Kalimtarët e dinin se në rrugë dëgjohet muzika e një mjeshtri të madh që po kompozonte. Në vitin 1808 Betoveni e shkroi Simfoninë e 5-të (Simfonia e fatit), kurse në vitin 1823 shkroi Simfoninë e 9 sipas lirikës së Fridrih Shilerit, e cila sot si himn evropian është një mesazh për bashkimin e gjithë njerëzve. ”Për mua nuk ka gëzim më të madh se të kultivoj dhe të shfaq artin tim”, shkruante Betoveni në testamentin e tij. Duket qartë që këtë aftësi krijuese Betoveni e ka fituar falë punës së tij qysh si fëmijë, të cilin babai i tij muzikant shpeshherë e zgjonte natën për të ushtruar në violinë dhe piano. Ai e nxiste Ludvigun, në mënyrë që i biri të bëhet një Mocart i ri, i cili në atë kohë ishte bërë sinonim i muzikës klasike. Po ndodhi që i biri të argëtohej pa nota muzikore në piano, babai e qortonte. Kështu ashpërsia e babait alkoolist dhe nëna e sëmurë ndikuan në psikologjinë e kompozitorit të madh, gjëra të cilat jehojnë edhe në veprat e tij muzikore. Prandaj sa më shumë që ushtronte Ludvigu, aq më shumë bëhej kureshtar i muzikës.
Idetë filozofike dhe vargjet poetike të bashkëkohësve të vet, siç ishin Imanuel Kanti, Fridrih Shileri dhe Johan V. Gëte, Betoveni i zbërthente në tinguj muzikor dhe që shkrimtari ynë Fan S. Noli do t’i quaj tinguj të revolucionit. “Muzika është zbulimi më i madh se çdo urtësi tjetër filozofike”, thoshte kompozitori. Lind pyetja, pse Noli shkroi pikërisht për mjeshtrin e ashpër për nga dukja, por i madh për nga shpirti?! Sepse vetë Noli ishte demokrat, prandaj popullit shqiptar i dhuroi veprën e tij madhështore “Betoveni dhe Revolucioni Francez”. Rreth vitit 1810 dëgjimi i tij keqësohet edhe më shumë, tani pianon e dëgjonte me ndihmën e kufjes. Prandaj veprat e tij muzikore janë të fuqishme si pasojë e shqetësimit për shkak të shurdhimit të tij, atij i mjaftonte të dëgjonte vetëm gjysmën e nivelit të tingujve të pianos, pjesën tjetër të padëgjuar do ta plotësonte truri i tij gjenial. Betoveni qante kur nuk mund t’i dëgjonte varietet e kompozimit të tij në premierë, mendonte se mundi i tij kishte shkuar dëm. Padyshim që krijimtaria e tij muzikore është përjetimi i tij, ku zakonisht paraqitet lufta dhe fitorja. Kështu muzikanti për një kohë shumë të shpejtë fitoi profesionin e pianistit, sidomos për krijimtarinë e tij, për të cilin u quajt mjeshtër monumental.

Karakteri artistik i Betovenit

Betoveni trashëgoi Hajdnin dhe Mocartin, dhe konsiderohet si kompozitor i treti me radhë në Klasicizmin e Madh të Vjenës, që janë themelues të romantizmit muzikor. Hajdni kishte filluar me simfoninë e tij bashkëkohore, pastaj gjeniu Mocart e pasuroi me të gjitha llojet e muzikës dhe në fund Betoveni e miratoi me simfonitë e tij revolucionare. Stili i tij klasik është me një personalitet të fuqishëm, me ritëm të gjallë dhe me dinamizëm të zjarrtë. Kur për herë të parë Betoveni u takua me klasikun vjenez (Mocartin), Mocarti kishte thënë “Ai djalosh një ditë do të bëj zhurmë të madhe në botë”. Vlen të përmendet se organo është një piano, që në kohën e barokut është zbuluar nga mjeshtri, Gottfried Silberman, në vitin 1700 në Firencë të Italisë, mirëpo është dashur të kalojë një shekull që mjeshtrit e artit të muzikës klasike prej Bahut, Mozartit dhe Betovenit ta shtrydhin këtë instrument.
Ndonëse Betoveni ishte fetar, megjithatë e urrente okultizmin që udhëhiqej nga reaksioni shtetëror dhe kishtar, botëkuptim mesjetar që kishte mbetur qysh nga koha e feudalizmit. Shpeshherë kisha e kritikonte për veprat muzikore, të cilat i konsideronte si krijimtari kundër-kristiane. Si rezultat i mbrojtjes së integritetit vetjak ka dalë letra e tij, të cilën ia dërgoi princit të Austrisë, Karl Lihnovskit: “Princ! Çdo gjë që keni bërë ju, mund t’ia detyroni origjinës suaj, çdo gjë që kam bërë unë ia detyroj vetvetes. Princër ka pasur dhe do të ketë me mijëra, por Betoven ka vetëm një!” Filozofia e letrës, me pak fjalë thuhet se mbretërit e stolisur shkojnë e vijnë, kurse arti mbetet i përjetshëm. Me anën e revoltës mjeshtri i madh i muzikës, i cili pianon e ngriti në piedestal, arriti të rrëzojë kullat mbretërore dhe në vend të tyre të vendosë mjeshtërit e mëdhenj të artit. Derisa populli Betovenin e donte për krijimtarinë e tij artistike, princin e donte për nder të autoriteti në pushtet. Prandaj kur vdes princi, vdes edhe autoriteti, ndërkaq krijimtaria artistike mbetet e përjetshme, vepra vazhdon të jetojë për shumë shekuj. Të kemi parasysh se asnjë mbret i Greqisë antike nuk adhurohet më shumë se Eskili i vuajtur dhe i shtypur si skllav.

Betoveni përkrahës i revolucionit francez

Betoveni ishte përkrahës i flaktë i revolucionit francez, që është frymëzuar me patos të lartë për liri dhe drejtësi. ”Diçka revolucionare fshihet në muzikë”, kishte thënë mbreti austriak Franz I, duke flakur muzikën e Betovenit. Në mbarë Evropën ushtria franceze pritej si çlirimtare vendit, e cila në luftë kundër feudalizmit do të përmirësonte kushtet sociale dhe ekonomike të popujve. Revolta e tij shihet me rastin e kompozimit të simfonisë së tretë -“Heroika”(Eroica), të cilën në fillim ia kushtoi Napoleonit si luftëtar i lirisë. Kjo simfoni ishte një kompozim madhështor që ia kushtonte Napoleonit të ri, të cilën e kishte përgatitur një kohë të gjatë, që me të drejtë konsiderohet simfonia e parë luftarake në fushën e muzikës. Mirëpo kur në vitin 1804 Napoleoni shpallet perandor i Francës, që si një tiran do të shkelë idealet dhe të drejtat e njeriut, Betoveni e grisi kushtimin ”Simfonia grande intitolata Bonaparte” dhe në vend të tij shkroi ”Simfonia heroike kompozuar për nder të njeriut të lavdishëm”. Këtu shihet se edhe Napoleoni si Jul Qesari e kishte nisur luftën si gjeneral e konsull, mirëpo mbaroi si tiran e autokrat për shtypjen e popullit. Në kushtimin e tij shihet se njeriu i lavdishëm mund të jetë jo vetëm luftëtari me pushkë, por edhe shkrimtari, edhe piktori, edhe muzikanti, që vepron në shërbim të revolucionit. Ngjashëm porsi Emanuel Kanti, që i ngjethej trupi kur mendonte skllavërinë, revoltohej edhe Betoveni për lirinë e mendimit. Prandaj Betoveni duke parë se Napoleoni i hodhi poshtë idetë e revolucionit francez, iu bashkëngjitë grupit përparimtarë gjermanë (siç ishin Shileri, Klopstok dhe Helderlin), të cilët ishin kundër degjenerimit të revolucionit francez.

Krijimtaria dhe personaliteti i kompozitorit

Veprat më të njohura të tij muzikore janë Simfonia e 5-të dhe e 8-të, atje ku lufta përfundon me një fitore triumfale mbi jetën e errët të pushtetit. Muzika e Betovenit është e pasur me gjallëri dhe me ndjenja të zjarrta për liri dhe barazi. Kurse pianosonatat e tij të mëvonshme kanë një atmosferë fisnike me tingëllimë të çuditshme prodhuese. Kompozitori i madh shkroi nëntë simfoni, prej të cilëve më të njohura janë Simfonia e Heroikës (nr. 3);simfonia e Fatit (nr. 5); simfonia nr. 4 në B-dur dhe nr. 8 në F-dur. Pastaj shkroi 32 sonata për piano, siç janë: (Pathetique, Sonata e hënës, Valdstein, Appassionata, operën me frymë revolucionare Fidelio, baletin Prometeu dhe ritualin fetar Mesha solemne, por që ka edhe përmbajtje poetike.
Personaliteti më i qartë i kompozitorit shihet në simfoninë Pastorale (Baritore): “Kujtimet e jetës së fshatit”, përmbajtja e së cilës është me prehje, mbarësi dhe kujdesin ndaj natyrës. Vepra e tij është një shprehje poetike për gëzimin ndaj jehonës, të cilën njeriu e gjen midis maleve: lisave dhe shkëmbinjve duke angazhuar harabelat, bilbilat dhe qyqet profetike, siç shkruan poeti dhe bashkëkohësi i tij – Gëte, në poezinë “Orakulli i Pranverës”. Ai me ton patetik e riprodhoi muzikën e natyrës duke e futur në dhomë. Është një muzikë fantastike dhe mbinjerëzore”. Prandaj atë që bëri Virgjili me bukoliket në letërsi, e bëri Betoveni me pastoralet në muzikë.

 

Vdekja e gjeniut të muzikës klasike

Të njëjtin fat tragjik të shurdhimit artistik porsi piktori spanjoll, Francisko Goja, kishte edhe Betoveni. Pas vitit 1820 Betoveni komunikohet me anën e shënimit në fletore. Tragjedia më e madhe ishte sepse para vdekjes së tij, nuk ishte në gjendje të dëgjonte kompozimet e veta muzikore që kishte dridhur miliona veshë në botë. Në anën tjetër, shurdhimi i Betovenit ishte më tragjik se i shurdhimi i Gojas; derisa Goja i shurdhër mund të shikonte punimet e veta artistike, njëkohësisht edhe të pikturonte, përkundrazi Betoveni nuk mund të dëgjonte kompozimet e veta. Prandaj si rezultat i shurdhimit është krijuar “Sonata e Hënës”, në të cilën përshkruan përjetimet e dhimbjes së tij.
Ludvig Bethoveni ishte i lidhur me pianon tij, trembej nëse gjatë kompozimit ndokush e prekte me dorë në shpinë sa për ta ftuar në drekë. Çasti më emocionues ishte kur gjatë shfaqjes së koncertit publiku duartrokiste pa ndërprerje, por që mjeshtri i madh fare nuk i dëgjonte. Prandaj një soliste, në mënyrë madhështore Betovenin e kthen për të parë publikun që tashmë ishte ngritur në këmbë për ta nderuar me ovacione të stuhishme gjeniun e muzikës klasike. Me të drejtë mund të thuhet se Betoveni ishte gjeneral i muzikës klasike, në tokë e në qiell, i tillë mbeti në mbarë botën. Derisa gjenerali i luftës i përket një pjese të vendit, kompozitori i madh (Betoveni) mbeti gjeneral i muzikës që i përket mbarë njerëzimit. Flitet se Betoveni për mikun e tij, Bahun, kishte thënë se është det, prandaj me të drejtë mund të thuhet se Betoveni ishte oqean për nga krijimtaria e tij e madhe, si në fushën e artit të muzikë, ashtu edhe në fushën psikologjike të njeriut.
Ngjashëm porsi skulptori antik Pigmalioni1), që u martua me shtatoren e tij të fildishtë të femrës, kompozitori u martua me pianon e tij; prandaj më 28 mars 1827, në moshën 56-vjeçare, vdes Ludvig van Betoveni, në varrimin e të cilit morën pjesë 30000 veta. Pjesëmarrësit e ngushëlluan jo vetëm si kompozitor, por edhe si një mik të tyre. Kështu zemra dhe muzika e dehur me vrullin e lirisë, me besimin ndaj solemnitetit njerëzor i dhanë fuqi jetës, në mënyrë që të përballohet çdo pengesë dhe çdo vështirësi. Prandaj falë vuajtjes së tij vetjake gjeniu krijoi bukurinë madhështore duke stolisur me miliona veshë të dashamirëve të muzikës në botë.

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …