Gjeneral-Major Shaban Veli Shala u lind në fshatin Negrovc, të Drenasit, më 13 maj 1958. Në fshatin e lindjes kreu shkollën fillore, kurse shkollimin e mesëm e kreu në Klinë e Kijevë. Shabani, ka kryer fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës. Rrjedh nga një familje me tradita të atdhetarisë, bujarisë, trimërisë e besës shqiptare. Drenica, kjo vatër e kreshnikëve shqiptarë, ka dhënë trima për atdhe e për bashkim kombëtar me shekuj. Hasan Prishtina, Ahmet Delija, Azem e Shote Galica, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Fazli Greiqevci, Tahir Meha e shumë e shumë trima të tjerë do të jenë emra që përkujtohen e nderohen si shembull heroizmi dhe do të ndiqet rruga e tyre për çlirim kundër pushtuesve dhe regjimeve serbe. Kështu, kjo rrugë çlirimtare, do do të ndiqet edhe nga bijtë e bijat më të mira të Kosovës me vise tjera shqiptare të okupuara nga Serbia, e ish –Jugosllavia.
Babai i Shabanit, Veli Xheladin Shala ka qenë një njeri punëtor i ndershëm i cili kishte punuar disa vite në Gjermani për te rritur pesë djemtë e dy vajzat e tij. Nëna, Taibe Shala, një nënë bujare e cila mbahet e fortë, e lindur në fshatin Korreticë të Drenasit. Babai i tij vdiq nga një sëmundje në vitin 1990, një vit para se Shabani të lirohej nga burgu. Kjo familje dha gjithçka nga vetja për atdheun. Nëna Taibe Shala, me bujari e përkushtim u dha djemve e vajzave të saj dashurinë për liri e atdhe, e kjo i kushtoi familjes Shala dhe Deshmorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vellain e katërt të Shabanit, Bedri Shalen, i cili ra heroikisht në betejat e bëra ndaj armikut serb në Junik të Deçanit. Bashkëshortja, Zyrafete Zekaj- Shala, rrjedh nga familje me tradita të hershme patriotike. Bija e veteranit të arsimit Kosovar, njëkohësisht dhe veteranit të luftës çlirimtare Qazim Zekes. Motra e aktivistëve të hershëm e të mirënjohur të çeshtjes kombëtare Xhevat e Azem Zekes nga fshati Mojstir i komunës së Burimit, ish-Istog. Shabani ishte babai i tre djemve e një vajze, tre prej të cileve i la ende në moshe të hershme.
Shaban V. Shala, ishte njëri nga veprimtarët më të devotshëm të çështjes sonë kombëtare. Ai, qysh nga mosha e hershme rinore u aktivizua në organizatat ilegale që luftonin për çlirim e ribashkim kombëtar, duke qenë njëri nga udhëheqësit më të merituar të strukturave drejtuese të këtyre organizatave. Pjekurinë organizative e arriti në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare. I ndikuar nga literatura e Shqipërisë Socialiste e nga programet e Televizionit Shtetëror të Shqiperise, ai kishte fituar njohuri të madhe të historisë kombëtare.
Një ndikim të fuqishëm për ngritjen e vetëdijes kombëtare te ky atdhetar kishin lënë edhe profesorët e gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Kijevë. Ndikim në edukatën patriotike kishte pasur edhe nga arsimtarët e shkollës fillore e të mesme , si nga Prend Buzhala, Azem Syla, Halil Kuliqi etj, aty ku dhe filloi aktivitetin propagandistik duke shpërndarë literaturë të ndaluar të Shqiperisë.
Një nga bashkëveprimtarët e oreve të para të Shaban Shales, njohur që në bankat e gjimnazit, bashkë me Elmi Zeken e shokë e shoqe të tjera, ishte dhe atdhetari e dëshmori sypatrembur Abedin Balaj, i dënuar me 9 vite burg të rëndë per veprimtarinë e tij në çeshtjen kombëtare,i cili ra heroikisht në përleshje me gardianet e njësisë speciale të armatës jugosllave në Slloveni.
Gjyqi Ushtarak në Lubjanë, bashkë me Abedin Balajn, ua shqiptoi dënimin edhe patriotëve të tjerë me sa vijon: Hasan Kurti, Selman Fetaj, Abedin Balaj, Feriz Veliqi, Fekri Sejfullahu, Tafil Beqiri, Halit Ibrahimi, Adem Agaj, Shaban Aliu, Imri Adili, Miftar Ahmeti, Isuf Dragaqina, Murat Babaliu, Ram Sopaj e Shtjefën Mirëdita, me thuajse 200 vjet burgim!
Shaban Shala, do të ishte njëri nga bartësit kryesor të bashkimit të organizatave ilegale, bashkim pa dallim ideje, feje a krahine, ashtu siç e kishin filluar Metush Krasniqi, Adem Demaçi, Zeqir Gërvalla, Hyrije Hana, Mulla Ramë Govori, Ahmet Haxhiu etj, në shtator të vitit 1974 në Dajkovc të Dardanës, duke projektuar Lëvizjen Nacional-Çlirimtare të Kosovës. Gjithashtu do ta mbartte vazhdimësinë e unitetit të Lëvizjes gjithëkombëtare të nisur nga Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla.
Në vlugun më të madh të veprimtarisë së vet patriotike u njoh dhe bashkëpunoi me Fehmi e Ramiz Lladrovcin, Xhavit Hazirin, Ali Ahmetin, Adem Krasniqin, Azem Sylen, Xhevat Zekën, Mejreme Krasniqin, Mihrije Krasniqin, Ali Elshanin, Idriz Hisenin, Tahir Hanin, Milaim Zekën, Ramiz Krasniqin, Kasim Haxhimuratin e shumë të tjerë. Në korrik të vitit 1983 do të njihej me dy nga figurat e lavdishme të historisë së Qëndresës Shqiptare, me heronjtë e popullit Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën, me të cilët do të vazhdojë luftën e përbashkët, për liri e bashkim kombëtar, deri në vrasjen e tyre nga policia speciale jugosllave, në natën e 11 janarit 1984 në nje lagje në Prishtinë. Me Rexhep Malen e Nuhi Berishën në nëntor të vitit 1983 forcuan projektin e Shtabeve Rajonale dhe lokale të Partisë së Luftës të Kosovës, ku formuan SHOL për Drenicë së bashku me Elmi Zekën dhe Idriz Hisenin. Këtë parti e kishin formuar Kadri Osmani, Rexhep Mala, Nuhi Berisha etj. Rexhep Mala kishte lidhje të fshehta edhe me veprimtarin e orëve të para të ilegales sonë kombëtare, me Metush Krasniqin.Takimet i mbanin në Rrugën “Hasan Prishtina” në një shtëpi në Prishtinë, ku Shaban Shala dhe Elmi Zeka kishin dy banesa që i ndante një mur për shkaqe sigurie. Në atë banesë Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Shaban Shala priten Vitin e Ri 1984, kurse Elmiu shkoi në fshat për ta lajmëruar familjen e Shabanit, që kishin tre javë pa dëgjuar gjë prej tij, se ai nuk do vinte për festë. Rënia heroike e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, në përleshje të pabarabartë me njësitë speciale të policisë jugosllave, e dëmtoi shumë Lëvizjen ilegale…
Shaban Shala, në vitin 1985, do jetë njëri ndër protagonistët kyç në bashkimin e të gjitha grupeve ilegale që vepronin në Kosovë dhe viset e tjera Shqiptare në ish-Jugosllavi duke i mbledhur nën një qendër organizative. Mu për këtë, ai me shokë, në fillim të vitit 1985 mbajten mbledhjen e bashkimit të organizatave ilegale, si hap të parë drejt një Lëvizje gjithëkombëtare duke bërë Këshillin Organizativ, formuan organizatën Marksiste-Leninistët e Kosovës, ku edhe zgjodhën udhëheqësinë e vet me veprimtarët: Xhabir Morina, sekretar politik, Xhavit Haziri, sekretar për propagandë, Fehmi Lladovci, sekretar për çështje ushtarake , Bashkim Mazreku, sekretar organizativ, Bajram Limani, sekretar për sigurimin e bazave etj. Në këtë grup të bashkuar, veprimtarë të dalluar do të ishin edhe Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Nuhi Ahmeti, Abdullah Dërguti, Hilmi Reçica, Hajdin Abazi, Sadik Halitjaha, Elmi Zeka etj. Këshilli Organizativ në përbërje të Xhavit Hazirit, Xhabir Morinës, Bashkim Mazrekut, Ali Ahmetit e Shaban Shalës në prill të vitit 1985 formuan Komitetin Organizativ të Marksistë -Leninistët e Kosovës MLK. Komiteti i MLK-së ishte pararojë e LPRK-së. Shaban Shala e Fehmi Lladrovci formuan Komitetin e Rrethit të MLK-së në Drenas, ish-Gllogoc. Gjatë vitit 1985, u formua Komiteti i OMLK-së, në Prizren, Suharekë, në Prishtinë, Ferizaj, në Kaçanik, Vushtrri, Tetovë, Kërçovë, Strugë, Bujanovc, Klinë, Pejë etj.
Në fillim të nëntorit të vitit 1985 u arrestuan disa aktivistë të LPRK-së dhe të grupeve tjera. Ky vit do të ishte poashtu një kohë e vështirë e organizimit të këtyre grupeve atdhetare. Shaban Shala, u arrestua nga policia jugosllave shqipfolëse së bashku me 56 bashkëveprimtarë të tjerë, nga te gjitha trojet etnike të ish Jugosllavisë.
Shabani, u denua burgim të rendë, megjithatë ai do të tregonte shembullin e heroit të vërtetë me qëndrimin e tij, si gjatë hetimeve ashtu dhe gjatë gjykimit e vuajtjes së dënimit.
Në vitin 1986 grupi i MLK-së do të dënohet në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, Shaban Shala, u dënua me 7 vite burg, Xhabir Morina, me 13 vite burg, Elmi Reçica, me 11 vite burg, Xhavit Haziri, me 9 vite burg, Fehmi Lladrovci, me 9 vite burg, , Agron Morina, me 11 vite burg, Idriz Hyseni, me 6 vite burg, Ali Elshani, me 6 vite burg, Nuhi Ahmeti, me 6 vite burg, Sabit Tahiri, me 6 vite burg, Nysret Pllana, me 6 vite burg, Xhevat Ukshini, me 8 vite burg, Skënder Luzha, me 3 vite burg, Fatmir Sulejmani, me 5 vite burg, Fatmir Thaçi, me 5 vite burg, Abdullah Dërguti, me 9 vite burg, Rexhep Dugolli, me 6 vite burg, Elez Zogu, me 2 vite burg. Kurse, Gjykata e Qarkut të Mitrovicës do ta dënoj Elmi Zekën, me 7 vite burg, Abdullah Zhegrovën me 7 vite burg, Xhavit Zhegrovën me 5 vite burg, Abdurrahim Maxhunin, me 5 vite burg, Ramadan Behramin, me 5 vite burg, Sylë Sylën, me 3 vite burg, Osman Krasniqin, me 3 vite burg, Murat Dautin, me 3 vite burg, Vezire Malokun, me 1 vit burg, dhe Izet Zekën, me 1 vit burg.
Shaban Shala, ka qëndruar në burgjet serbo-jugosllave gjashtë vite, në Prishtinë, Zrenjanin e Novi Sad, u lirua nga Burgu i Novi Sadit, me 21 korrik të vitit 1991, së bashku me Jakup Krasniqin dhe shumë veprimtarë të tjerë që kishin ndarë një qeli burgu. Ai, e vazhdoi veprimtarinë e tij për çlirim e bashkim kombëtar, aty ku e kishin lënë shokët që kishin rënë heroikisht në janar të vitit 1984, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, dhe në nëntor të vitit 1989, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, dhe pas arratisjes të disa shokëve jashtë vendit.
Roli i Shaban Shalës në mobilizim dhe në armatim të UÇK-së
– Dita e sotme, për zonën tonë, Drenicën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, padyshim është ditë historike, ngase Ushtrisë sonë, përkrah armës, organizimit,, rreshtimit, strukturimit e guximit, po i shtohet edhe një armë e fortë- oficeri i ri shqiptar, i cilido të bëhet krah i fuqishëm i luftëtarëve të Ushtrisë sonë në realizimin e qëllimit gjithëpopullor – çlirimin definitiv të Kosovës. ( Gjeneral-major Shaban V. Shala, me rastin e dorëzimit të diplomave oficerëve të parë të Shkollës Ushtarake “Hamëz Jashari”, më 11 shkurt 1999, në lokalet e Shtabit të ZO të Drenicës, në Likofc.)
Me kërkesën time për t’më ndihmuar në plotësimin e biografisë së Gjeneral-major Shaban Shalës më kanë ndihmuar, me një përkushtim të madh e respekt për heroin e këtij artikulli, Elmi Zeka, njëri nga bashkëveprimtarët më të ngushtë të Shabanit, Azem Zeka, mik familjar dhe bashkëveprimtar i gjeneralit, si dhe Xhemajl Pllana, vëllau im, njëri nga shokët dhe bashkëveprimtarët e Shabanit. Unë i falenderoj të gjithë publikisht duke qenë shumë mirënjohës për informatat që m’i kanë dhënë. Poashtu e falenderoj edhe ish nxënsin tim, Bekim Shytin, një luftëtar sypatrembur, për bashkëpunim në këtë artikull, pastaj shokun e mikun tim, Rexhep Ahmetin, i cili ma ka dërguar një shkrim për Ajet Ukën, nga Zhabari i Mitrovicës, një hero i gjallë, i cili ishte i lidhur me dy heronjt e pavdekshëm UÇK-së, me Bekim Berishën- « Abejën » dhe me Bedri Shalën, vëllaun e protogonistit të këtij shkrimi.
Në vazhdim, po e jap vetëm një pjesë për biografinë e heroit tonë që ma ka dërguar Azem Zeka :
SHABAN SHALA
…I kyçur qysh i ri në celulat organizimet atdhetare të kohës, Shaban Shala do të jetë pjesë e shumë zhvillimeve që shënuan vazhdimesinë e luftës sonë për liri dhe nismat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shaban Shala, do të jetë pjesë e grupit të atdhetarëve, Nuhi Berisha, Rexhep Mala, Fehmi Lladrovci, Ali Ahmeti e shumë të tjerve te cilët në fillim të vitit 1983 formuan platformën mbi Partinë e Luftës së Kosovës.
Ai, dhe bashkveprimtaret e tij, pas rënjes së Rexhep Malës dhe Nuhi Berishes u goditen rëndë, por nuk u zbrapsën kurrë.
Në vitin 1985, Shabani do jetë njëri ndër protagonistët kyç në bashkimin e të gjitha grupeve ilegale që vepronin në Kosovë dhe viset e tjera Shqiptare në ish Jugollavi.
Nëntori i vitit 1985, ishte poashtu viti tjetër i vështirë i organizimit të këtyre grupeve atdhetare. Shaban Shala do të arrestohet së bashku me 56 bahkveprimtarë të tjerë, nga të gjitha trojet etnike në ish -Jugosllavi.
Shabani dënohet me shumë vite burg im të rendë, megjithate ai do të tregojë shembullin e heroit të vërtetë me qëndrimin e tij, si gjatë hetimeve ashtu dhe gjatë gjykimit e vuajtjës së denimit.
Ndërkaq, 5 muaj pas daljes nga burgu, Shaban Shala do të njihet në rrethana te jashtëzakonshme me Komandantin Legjendar të UCK-së, Adem Jashari dhe bashkëluftetarët e tij.
Jo rastësisht, njëzet vite më parë, pikërisht më 31 Dhjetor 1990, tek Shaban Shala do të gjenin strehë, mikëpritje, Besë dhe gadishmëri për flijim, Adem Jashari, Hamëz Jashari dhe luftëtarët e tjerë, të cilët pasi kishin çarë rrethimin, kështu kishin nisur Luftën për Kosovën.
Nga ajo kohë Shaban Shala do të jetë i pandarë me angazhimet dhe veprimtarit e Komandant Adem Jashari. Komunikimi i tij me Komandantin Legjendar do të jetë i rregullt në secilin hap të aktivitetit, deri në rënje të tij, në mars të vitit 1998.
Njoftimi i parë origjinal për betejën e Rezallës së Re, me 26 Nëntor 1997, u bë pikërisht nga Shaban Shala.
Letra për ngjarjen e asaj dite, e shkruar nga Hamëz Jashari, e diktuar nga Komandanti Legjendar Adem Jahari dhe nëshkruar nga të gjithë bashëkluftëtarët, njoftonte mbi rrjedhën e betejës dhe humbjet e shkatuara armikut.
Origjinali i saj ruhet dhe sot në arkivat e Shtetit Shqiptar.
Shaban Shala, ishte ai që kishte marrë guximin që ta përcjellë atë jashtë vendit, në adresë të Kryesisë së LPK-së.
Roli i Shaban Shalës do të jetë rol i një kordinatori të vërtetë të luftës për liri, kurse shtëpia dhe familia e tij, do të jenë bazë dhe shtëpi e UÇK-së, deri në Çlirim të vendit.
Shaban Shala, punoi dhe veproi edhe me gjeneratën e re e cila, u formua dhe kalit nga veprimet dhe idetë e Shaban Shales, siç ishin Hashim Thaçi, Sylejman Selimi, Ilaz Derguti, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Rasim Kiçina dhe shumë e shumë të rinj që e drejtuan dhe udhëhoqën luftën e UCK-së drejt lirisë së vendit.
Nuk është vetëm një betejë e UÇK-së që mban emrin e Shaban Shalës, Ato janë të shumta, por veçohen beteja e grykës se Llapushnikut, e Bardhit të Madh, e Likocit, e Rezallës dhe shumë e shumë beteja të tjera ku u shqua guximi dhe sakrifica e tij.
ISHTE TEPËR MODEST DHE I PALODHUR!
Askush se ka ndëgjuar Shaban Shalën të thoshte se u lodha, se bëra mjaft, askush nuk e ka parë të ndalet në rrugën e tij, edhe kur e kishte dhimbjen e madhe se armiku i vrau vëllain e tij, të paharruar Komandant Brigade, Bedri Shalën i cili ra heroikisht bashkë me Bekim Berishën, Elton Zherkën e Përmet Vulën, në njerën nga betejat ballë për perballë me armikun në Junik.
Ai, ishte prej të parëve që publikoi i pamaskuar uniformën e UÇK-së, duke pasur përvojën paraprake, si nënkrytar i KMDLNJ-së; Shaban Shala dha kontributin e tij të jashtëzakonshem në radhët e UÇK-së, për komunikimin me Mediat e huaja dhe mekanizmave Ndërkombëtare, janë të njohura kontakten e tij në emër të UÇK-së me ekipet e gazetarëve të BBC-së, CNN-it, ZDF-it etj.
Pas çlirimit të vendit Shabani luajti një rol të veçantë për strukturimin e TMK-së dhe më pas të FSK-së, mbajti përgjegjësi të larta komanduese në keto struktura në kuadër të hierarkisë së TMK-së.
Shabani, krahas kësaj, për asnjë moment si harroi ata që dhanë më të shtrenjtën për Kosovën, ishte pjesë e shumë përkujtimeve te dëshmorve të kombit, e kishte në rend dite t´i vizitonte vendet e rënies së tyre dhe Familjet e tyre, bashëkndjeu dhimbje për ´ta dhe kujtimet për ´ta dhe familiet e tyre. Ramadan Pllana
Ahmet Qeriqi: Në përvjetorin e ndarjes nga Jeta të gjeneral, Shaban Shalës
Më 5 janar të vitit 2012, u nda nga jeta veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, i burgosuri politik i viteve 80, pjesëtari i bërthamave të para të UÇK-së, në Drenicë, si dhe gjenerali i kësaj lufte, Shaban Veli Shala.
Shaban Shala ka lindur më 1 dhjetor të vitit 1958 në fshatin Gjergjicë të Drenasit.
Ka qenë anëtar i ilegales patriotike qysh nga shkolla e mesme dhe ka marrë pjesë aktive në demonstratat e vitit 1981.
Për veprimtari atdhetare kundër regjimit kriminal ka qenë i dënuar 10 vjet burg. Pas lirimit nga burgu ka zhvilluar aktivitete të shumta në dobi të kombit e Atdheut.
Ka qenë anëtar i Kryesisë së Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë. Në vitet 90, edhe pse mjekët kishin identifikuar një sëmundje në zemër, ai nuk pati kohë, as kushte të trajtohej në një spital të zemrës, ndërkohë që ishte angazhuar në radhët e luftës së UÇK-së.
Gjatë kohës së kësaj lufte Shaban Shala ishte caktuar shef i i Drejtorisë si Informimit Publik të SHP të UÇK-së.
Në verë të vitit 1998 ka qenë i sistemuar në shtabin ushtarak të Likocit ku për një jonë ka qenë i vendosur SHP i UÇK-së dhe Shtabi i Zonës Operative të Drenicës.
Me nismën e Shaban Shalës janë themeluar shkollat ushtarake të UÇK-së, në Drenicë.
Ka qenë i angazhuar në sjelljen e një shtypshkronje për nevojat e luftës. Ka ndihmuar Radion-Kosova e Lirë dhe Agjencinë Kosova pres gjatë dhe pas luftës.
Gjatë tërë kohës së luftës së bashku me Shtabin e Zonës Operative të Drenicës ka qëndruar në frontet e luftës çlirimtare.
Edhe pse me shëndet të rënduar, ai nuk e reshti punën dhe aktivitetin e tij as pas luftës së UÇK-së.
Me rastin e themelimit të TMK-së, oficeri i lartë i UÇK-së, Shaban Shala, caktohet komandant i Logjistikës së këtë Shtab ku kryen punë me shumë profesionalizëm dhe përgjegjësi.
Pas shuarjes së TMK-së dhe themelimit të FSK-së, Shaban Shala caktohet përgjegjës i Zyrës për Çështjet e Trashëgimisë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Ishte vëlla i dëshmorit të kombit, Bedri Shala.
Duke qenë se gjatë tërë jetës kishte jetuar si spartan, duke u kujdesur për të gjithë dhe gati aspak për veten, më 5 janar, në moshën 53-vjeçare, në vendin e punës ndahet nga jeta.
Jeta dhe vepra e tij është e mbushur me shembuj burrërie, trimërie e maturie.
Ai ka lënë bashkëshorten dhe bijtë, të cilët me krenari e pitet e përkujtojnë familjarin dhe babanë e tyre të dashur e të respektuar nga të gjithë ata që e kanë njohur dhe me të cilët ka bashkëpunuar.