Faton Topalli: A i fali Republika vrasësit e Afrim Abazit?

Faton Topalli: A i fali Republika vrasësit e Afrim Abazit?

Me rastin e 42 vjetorit të vrasjes së Afrim Abazit

42 vite më parë, pasi e kishin vrarë në torturë,  e hodhën të vdekur, nga ndërtesa e sigurimit serb në Ferizaj. “Vetëvrasje” tha pushteti serb. Të dyshuarit për vrasje vazhdojnë të jenë të lirë. Prokuroria e shtetit të Kosovës nuk ka filluar asnjëherë hetimin për vrasjen e tij edhe pse të dyshuarit dihen me emra. Krimi nuk vjetrohet. Gjaku i Afrimit nuk duhet të falet.

Sot, në këtë ditë marsi, 42 vite më parë, dy dit para pranverës, 15 ditë para përvjetorit të demonstratës së 3 Prillit të vitit 1981 në Ferizaj u vra  në zyrat e Sigurimit Serb të Shtetit Afrim Abazi. Afrimi  ishte pjesë e Organizatës PKMLSHJ. Ai mori pjesë në organizimin e Demonstratës së 3 Prillit të vitit 1981në Ferizaj. Afrimi ishte pjesë e aksioneve të shumta dhe të guximshme gjatë aktivitetit të tij ilegal. Ai u arrestua në prag të përvjetorit të parë të demonstratës së 3 Prillit në Ferizaj, si pjesë e organizimit të këtij përvjetori, u torturua mizorisht dhe u hodh nga kati i 5 i  stacionit policor në Ferizaj. Urdhri për arrestimin e tij u dha personalisht nga Sekretari i atëhershëm Krahinor i Punëve të Brendshme. Për aktivitetin e tij dinin një varg shokësh e shoqesh që ishin arrestuar në nëntor të vitit 1981. Ata qëndruan heroikisht para torturave dhe nuk përmendën emrin e tij. Afrimi kishte shumë shembuj të qëndresës para torturave dhe kur u arrestua nuk dha asnjë emër.  Kjo mbase ishte shkaku i vrasjes së tij me torturë. Sigurimi i shtetit lëshoj lajmin se kishte bërë vetëvrasje. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të fshehur krimin e ligë e tinëzar. Punonjësit e sigurimit që u morën në hetime me Afrim Abazin dhe që janë të dyshuarit kryesor, janë të njohur.

Vrasja e  Afrim Abazit nuk është hetuar asnjëherë nga Organet e Republikës së Kosovës edhe pse të dyshuarit, ata që janë marrë me hetimin e tij, janë të njohur. Ata vazhdojnë të jenë të lirë dhe nuk janë ballafaquar kur me drejtësinë. Prokurorët e shtetit e kanë për detyrë të hetojnë, një detyrë që shteti i cili u ndërtua edhe me gjakun e Afrim Abazit duhet ta kryej, nëse nuk donë që të ua fal gjakun kriminelëve.

Sot një shkollë dhe një rrugë në komunën e Ferizajt mbajnë emrin e Afrim Abazit. Afrim Abazi ishte shembull i rezistencës dhe sakrificës. Ai mbante në veten e tij gjakun e rezistencës dhe sakrificës, ashtu si edhe mijëra e mijëra djem e vajza të Kosovës.  Në këtë përvjetor të vrasjes së tij unë dua të ndaj dy kujtime me ju.

«Me tre prill të vitit 1981, në pjesën e demonstratës e cila po zhvillohej skaj stacionit dhe burgut të atëhershëm policor, hymë me Afrim Abazin në një dyqan zanatlinjsh, shtëpia e dikurshme e mallrave, për të marr një flamur.  Pronari i dyqanit nuk kundërshtoi dhe na e dha. Derisa Afrimi dhe unë po mbanim flamurin, u afrua nëna Ajshe, nëna e Afrimit, një grua e dashur dhe e guximshme. Ajo ishte në dijeni për terrorin në Prishtinë, për vrasjet e demonstruesve dhe për dhunën policore në rrugë. Kishte shumë arsye për tu frikësuar për djalin e saj. Afrimi i tha, unë do rri këtu deri në fund nënë. Ajo i kapi krahun Afrimit dhe eci me të në ballë të demonstratës duke brohoritur «Republikë, Republikë!» Nëna Ajshe është një prej shembujve të guximit, atdhedashurisë dhe vuajtjeve të nënave të Kosovës. Mua më kanë mbetur të ngulitura fjalët e Afrimit «..deri në fund»: Dhe fundi i jetës së tij ishte angazhimi për Kosovë:

Afrimi ishte një djalë shumë i guximshëm. “Në vitin 1981 në rrugën e Gjilanit në Ferizaj familja jonë kishte një dyqan, në të cilën shisnim xhemperë që i thurte nëna ime. Shpesh, pas orarit të mësimit, më binte të punoja në dyqan. Aty mund të kamuflonim mirë edhe takimet tona, pa ra në sy të organeve të ndjekjes. Një ditë tek sa bisedoja në shitore me Afrimin për situatën dhe detyrat që na prisnin, mes tjerash më tha: – Po pate nevojë për dike që duhet të ngrejë gishtin, më thirr mua. Afrimi, nuk pati kohë ta ngrejë gishtin, sepse pushteti serb i mori jetën. Gishtin e ngrehu edhe në emër të tij, shoku i organizatës Sejdi Sejdiu, i cili ra dëshmor në Luftën e UÇK-së në Ferizaj. Ndër shokët më të afërt të organizuar të Afrim Abazit ishin Ymri Ilazi, Naim Ramadani, Sejdi Sejdiu, Fehmi Hajrullahu, Fatmir Bajrami e shumë shokë e shoqe të tjera të cilët nuk ishin të organizuar në rezistencë, por që vepronin të organizuar jo formalisht nga Afrimi. Të gjithë këta u dënuan me shumë vite burg.

Afrim Abazi u lind më 7 qershor 1963 në fshatin Slivovë, komuna e Ferizajt. Këtë vit ai do të behej 62 vjeçar. Babai i Afrimit, Kadriu, ishte mësues i dalluar dhe këtë profesion e ushtroi me dashuri dhe përkushtim plot 40 vjet. Nënë Ajshja ishte një nënë shembullore, e cila gjithnjë ishte pranë të birit, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e saj aktive në demonstratat e Ferizajt, më 3 prill 1981.

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …