leoni

74.6% e maturantëve malishevas e kanë kaluar testin e maturës

Rezultatet e maturantëve malishevas, në testin shtetëror të maturës, kanë qenë të mira, pasi 74.6 % të maturantëve, e kanë kaluar me sukses testin. Kështu ka konfirmuar drejtori komunal për arsim, Avdi Morina, në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve. Po ashtu në këtë mbledhje u bë e ditur se kanë filluar përgatitjet për festivalin “Oda e Llapushës”.

Në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, drejtorët e drejtorive, kanë raportuar për punën dhe aktivitetet e tyre, para kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Sipas drejtorit të arsimit, Avdi Morina, rezultati i maturantëve ka qenë i mirë, pasi shumica e maturantëve, suksesshëm e kanë kaluar testin e maturës. Në këtë mbledhje, drejtori Morina, në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor, tha se duhet disa ndërhyrje në disa shkolla, sidomos në kulme, pasi kanë dëmtime dhe duhet të rregullohen, para fillimit të vitit shkollor.

E kur jemi tek shkollat, gjatë paraqitjes së aktiviteteve të zyrës së prokurimit, udhëheqësi i këtij sektori, Ekrem Kastrati, ka bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha procedurat për ndërtimin e shkollës në Berishë, dhe menjëherë pas nënshkrimit të kontratës, do të fillohet me ndërtimin e objektit të ri shkollor.

Në këtë mbledhje, drejtoresha për kulturë, Blerta Krasniqi, ka njoftuar se janë duke u bërë përgatitjet për mbajtjen e festivalit tradicional “Oda e Llapushës”.

Sa i përket gjendjes epidemiologjike, drejtori për shëndetësi Hajdin Berisha, ka bërë të ditur, se kjo situatë është e qetë, ndërsa numri i thumbimeve ka filluar të shënoj rënie, çdo ditë e më tepër.

Kurse drejtori i urbanizimit, Ahmet Morina, ka njoftuar se janë duke u realizuar disa projekte me rëndësi, në disa vendbanime të Komunës së Malishevës, si rrugë, kanalizime, rrethoja të oborreve të shkollave, në Malishevë, Balincë, Gurishtë, dhe vende tjera, ndërsa në procedurë janë edhe disa projekte që shpejt do të fillohet me realizimin e tyre.

Edhe drejtori për mbrojtje dhe shpëtim, Sejdi Paçarizi, tha se gjatë javës së kaluar, nuk ka pasur incidente të zjarreve dhe situata e sigurisë ka qenë në nivel.

Kurse shërbimet publike dhe inspektorati, kanë raportuar për disa probleme me rrjetet e kanalizimeve, por edhe me probleme me ujë pije. Sipas drejtorit të shërbimeve publike, Milazim Morina, kanë filluar të shtohen kërkesat për ujë për pije dhe ankesat për probleme me gypin kryesor të kanalizimit, sidomos në pjesë mes Damanekut dhe Bublit.

Përgatitjet për korrje shirje, janë pothuajse në përfundim dhe shtabi komunal, është duke u marrë me këtë fushatë, tha drejtori i bujqësisë Haxhi Krasniqi, sipas të cilit vende vende edhe kanë filluar me korrjen e grurit.

Edhe shërbimet komunale, përkatësisht pajisja me dokumente për qytetarët, po ecën mirë dhe nuk kemi vonesa në kryerjen e këtyre shërbimeve. Drejtori i administratës, Hajrullah Mazreku, ka bërë të ditur se drejtoria i ka marrë të gjitha masat për ofrimin e shërbimeve sa më të shpejta për të gjithë qytetarët, e në veçanti për mërgimtarët. “Nëse paraqitet nevoja, ne do të punojmë edhe jashtë orarit, në mënyrë që të gjithë qytetarët ti marrin shërbimet që kanë nevojë”, tha drejtori Mazreku.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …