U asfaltua rruga e Liqenit në Suhadoll

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka mbikëqyrë përfundimin e punëve në asfaltimin e rrugës së Liqenit të qytetit, 1.5 kilometra përgjatë lumit Ibër, në fshatin Suhadoll të Mitrovicës.

Përfaqësuesit e Kompanisë “Bajraktari”, që është përfituese e tenderit për realizmin e projektit për ndërtimin e liqenit artificial në Suhadoll, i tha kryetarit Bahtiri se rruga e liqenit përfundon së asfaltuari gjatë ditës, ndërkohë që kanë mbetur edhe pak punë për tu kryer deri në fund të vitit i tërë projekti.

“Punët kryesore të parapara me projekt kanë përfunduar. Nëse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i alokon edhe mjetet  e mbetura, atëherë jemi të bindur se projekti do të përfundoj  deri në fund të vitit. Por, nëse mjetet, vonohen, atëherë në mungesë të tyre, edhe punët nuk do të mund të kryhen”, thanë përfaqësuesit e Kompanisë “Bajraktari”.

Kryetari Bahtiri pasi falënderoj përfaqësuesit e Kompanisë “Bajraktari”, për punën e mirë që kanë bërë, tha se ky projekt është një nga projektet më të rëndësishëm që është realizua në Mitrovicë.

“Liqeni që do të ndërtohet do të mundësoj që qytetarët e komunës së Mitrovicës, por edhe ata të rajonit, gjatë ditëve me vapë të verës, këtu të gjejnë freski. Liqeni do të ketë një infrastrukturë të rregulluar mirë dhe do të ofroj pamje jashtëzakonisht të bukur. Ndërkaq, rrugët në të dyja anët e liqenit, do të përmirësojnë jetën e qytetarëve që jetojnë përgjatë tyre, në të dyja anët e lumit”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Projekti i ndërtimit të liqenit në Suhadoll, është një projekt i financuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që arrin vlerën në rreth 4.5 milionë euro. Liqeni ka gjatësi prej 1.5 kilometra, gjerësi deri në 150 metra dhe thellësi deri në tri metra.

Ndërkaq, rruga e asfaltuar sot, ka gjatësi prej 1.5 kilometra, gjerësi shtatë metra, me trotuare në të dyja anët në gjerësi prej dy metrash, si dhe në të dyja anët ka një hapësirë me gjelbërim në gjerësi prej 1.5 metra.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …