Ahmet Qeriqi: Forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe fillojnë të masakrojnë shqiptarë kudo ku i zënë (25 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe fillojnë të masakrojnë shqiptarë kudo ku i zënë (25 mars, 1999)

Sot në mëngjes kanë filluar luftimet. Forcat serbe kanë goditur me të gjitha armët e zjarrit në pikat e luftimeve në Studençan, Reti, Krushë Dobërdelan, Peçan e fshatra të tjera të Anadrinit. Një konvoj i forcave serbe është përqendruar në Grykë të Llapushnikut.

Për shkaqe sigurie, disa pajisje rezervë  dhe stabilimentet i kemi vendosur në bunkerin e vogël te Vorret e Berishëve. Riza dhe Martini kanë ndërmarrë të gjitha masat që teknika të sigurohet edhe nga lagështira, meqë nuk dihet se si do të vejë puna jonë tani e tutje.

Lajmet që na vijnë në zonat e luftimeve bëjnë të ditur se luftime po zhvillohen në të gjitha frontet  e luftës çlirimtare, në Llap, në Shalë e në zona të tjera. Një breshëri sulmesh kanë përshkuar edhe zonën e Dukagjinit dhe të Pashtrikut.

Ushtarët tanë përmbi  Grykë të Llapushnikut kanë goditur me minahedhës forcat e përqendruara të armikut te Lagja Sopi e Llapushnikut.

Ngjarjet po zhvillohen me një ritëm dhe dinamikë të paparë deri tani. Të gjithë ndihemi shumë më të mobilizuar. Sulmi mund të pritet nga çasti në çast. Të gjitha këto i përballojmë me shumë sukses, sepse tanimë kemi një mbështetje morale nga tërë bota përparimtare. Presim që aeroplanët e NATO-s sërish të godasin. Si duket tani për tani NATO-ja do sulmojë vetëm gjatë natës, duke e ruajtur kështu popullatën civile.

Sot në mesditë i morëm  lajmet e para të tejet të dhembshme.

Serbët e çartur si bishat, kanë filluar të pushkatojnë dhe të masakrojnë shqiptarë kudo ku i zënë nëpër lagjet dhe vendbanimet e tyre. Masakra çmeritëse mësohet se kanë ndodhur në Gjakovë, në Krushë, në Podujevë në Celinë e në Prizren.

 Masakruesit serbë kanë vrarë edhe shkrimtarin Latif Berisha në Mitrovicë dhe veprimtarin politik Agim Hajrizi me djalin dhe nënën e tij.

Gjendja është shumë alarmante sidomos në qytete ku popullata ndodhet krejtësisht e pambrojtur.

Paralajmërimi ogurzi i kreut politik dhe ushtarak serb se nëse NATO-ja sulmon, ata do të hakmerren egërsisht kundër shqiptarëve tani filloi të vihet në jetë. Në këtë mënyrë serbët po tregohen më së miri se çfarë niveli të ulët emancipues disponojnë. Ata, nuk dallojnë shumë nga bishat, as në gjykim,  as në veprim.

Programin e radios e kemi transmetuar me kohë. Kemi transmetuar informacione lidhur me zhvillimet më të reja.

Nuk jemi më të sigurt se a do ta fillojmë emisionin e radhës, meqë sulmi pritet nga ora në orë. Megjithatë ne i përmbahemi konceptit tonë redaktues dhe  nuk japim të kuptohet se jemi të rrezikuar. Jemi në luftë dhe kthim prapa nuk ka.

Në mbrëmje jam nisur në drejtim të Krojmirit.

Nga Shtimja kanë ardhur Nusret Gashi dhe bija ime Labëria, e cila ndodhej për disa ditë te gjyshi dhe gjyshja.

Më vonë kanë ardhur edhe Sylë Qeriqi dhe Elez Durmishi. Kemi biseduar për probleme aktuale, sidomos tani pas fillimit të bombardimeve. Në rast të sulmit të parë të forcave serbe drejt fshatrave tona, duhet bërë me dije popullatës që të jetë e gatshme për të depërtuar në Grykën e Shpëtimit, në të cilën mbase do të shpëtojmë edhe kësaj radhe…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …