Fronti Europian: Fitorja më e madhe në histori na pret më 24 prill

Sot në Tetovë, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti bashkë me kryetarin e PDSH Menduh Thaçi, të Lëvizjes Populli Skender Rexhepi Zejd dhe atë të PDE Arjanit Hoxha kanë nënshkruar marrëveshje koalicioni për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në kuadër të Frontit Europian.

“Unë nuk dyshoj fare në fitore madhështore që asnjëherë nuk e kanë bërë shqiptarët e Maqedonisë, do të jetë fitorja më e madhe në historinë e paspavarsisë të këtij shteti, unë nuk kam pasur asnjë problem sepse kjo çështje ka nis tash e dy vite duke u përpunuar me qetësinë më të madhe, me arsyet më të mëdha dhe ky ishte momenti kulminant që ne të bëhemi bashkë në një front, dhe ky front do të jetë i pamposhtur dhe jo i përkohshëm deri në realizimet e qëllimeve tona, deri në anëtarsimin në BE, dhe këtij fronti duhet t’i bashkohen edhe bashkëqytetarët tanë maqedonas sepse, më të arsyeshëm, më të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm se sa për ardhmërinë e këtij shteti se sa subjektet politike shqiptare unë nuk kam parë për 24 vite me rradhë një përkushtim kaq serioz dhe të madh”, ka deklaruar kështu kryetari i BDI Ahmeti.

Më tej, kryetari i PDSH Menduh Thaçi ftoi gjithë duhet të bashkohen në këtë front.

“Më vjen keq që opozita e sheh këtë fushatë si garë mes neve dhe atyre dhe jo me parimin kryesor siç e shohim ne, pro BE dhe kundër Rusisë. Jo vetëm sondazhet por edhe fëmijët e vegjël e dinë se ato do të humbin në këto zgjedhje bindshem, vetëm prej BDI-së. Ndikimi rus është i shtrirë në vendet e rajonit, ndaj ne me 30 deputetë parandalojmë ndikimin rus në vendin tonë. Ju na njihni që shumë vite, e dini që në nuk bëjmë kompromise me vijat e kuqe, me interesin tonë madhor kombëtar, sepse shqiptarët dhe Maqedonia e ka vendin në mes të civilizimit europian, Ndaj, Opozitës i them se ne nuk merremi me ju, sepse ka kohë të merremi me ju, këtë sfidë e kemi me Rusinë. Ndaj ju ftoj që bashkarisht të reshtohmi në këtë front. Unë e di që opozita maqedonase mund ta ndërroj fjalorin pas zgjedhjeve, por mund të jetë vonë për ato”, u shpreh Thaçi.

Kryetari i Lëvizjes Populli, Rexhepi shtoi se gjurmët e këtij fronti do të mbahen mend gjatë në histori.

“Ky Front është model i suksesit, është jo veç ligë por super-ligë. Është i bukur zyrtarizimi i këtij fronti, sepse qytetarëve po përfitojnë të gjithë të mirat, standardet dhe mirësitë sociale. Me zgjedhjet presidenciale e vulosim thellë edhe fitoren e zgjedhjeve parlamentare. Është një nisëm e mirë që ne kemi thënë se Fronti Europian do të përbëhet prej shumë etnive, për të dëshmuar se një front i tillë që na sjellë të gjitha begatitë që gjeneratat që do të vijnë do jenë kryekëput të siguruara nga miqësia jonë me SHBA-të dhe BE-në sepse alternativë tjetër nuk kemi përpos Frontit Europian. Gjurmët tona do mbahet mend gjatë në histori. Uroj mbarësi dhe suksese për të gjithë, të vulosim fitoren me 24 prill e pastaj me 8 maj të kemi fitore dhe më të thellë”, theksoi Rexhepi.

Kryetari i PDE Hoxha vlerësoi nënshkrimin me dy me dy njerëz si Ahmeti dhe Thaçi që në rrugëtimin e tyre politik mbajnë mbi supe procese të rëndësishme për vendin.

“Në momente të mëdha historike njerëzit e vegjël gjejnë arsye për t’u ndarë, e njerëzit e mëdhenjë krijojnë mundësi për t’u bashkuar dhe prosperuar. Bashkërendimi jonë sot është i barazvlefshëm me rëndësinë e historinë që ka lidhje e Lezhës ku heroi jonë Gjerg Kastriot Skëndërbeu bashkoi të gjitha fistet shqiptare. Ashtu si atëherë ne sot po bashkohemi sepse kemi një qëllim më madhor, ky front do të sjellë heqjen e kufijve, dhe të bashkuar në BE do të jemi pjesë e civilizimit perëndimor që të parët tonë e kanë nënshkruar. Nënshkrimi për mua me dy me dy njerëz si z.Ahmeti dhe Thaçi ka vlerë, që në rrugëtimin e tyre politik mbajnë mbi supe procese të rëndësishme për vendin. Përderisa të tjerët presin fitore lëmoshë nga VMRO-ja, ne presim fitore nga shqiptarët, më mbështetje nga Kosova dhe Shqipëria”, tha për fund Hoxha.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …