Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të armikut godasin në Rrafshnaltë. Ata nuk kanë arritur të godasin në pikën e caktuar (26 mars, 1999)

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të armikut godasin në Rrafshnaltë. Ata nuk kanë arritur të godasin në pikën e caktuar (26 mars, 1999)

Në mëngjes jam nisur për në Berishë. Ali Mullini me veturën e tij  depërton deri thellë në Grykë pasi që akulli është shkrirë.

Nga lajmet që kanë arritur në redaksi dhe nga burimet e huaja të cilat i përcjellin në vazhdimësi, bëhet e ditur se forcat serbe e kanë intensifikuar terrorin shtetëror. Flitet për qindra të vrarë, të masakruar dhe të sakatosur në shumë vende të Kosovës. Shifrat janë ndër më të ndryshmet, dhe askush nuk është më i sigurt në to.

Në orën 12, radistët tanë kanë depërtuar në valët e radiolidhjeve të forcave armike, me ç rast kanë deshifruar lajmin se pritet që aeroplanët ushtarakë bombardojnë selitë e Shtabeve të UÇK-së në Rrafshnaltë. Lajmi sado që ndokujt i duket  pabesueshëm është më shumë se i mundshëm.

Për shkaqe sigurie disa nga ne kemi vendosur që të largohemi përkohësisht nga selia. Rizah Berisha tanimë i ka rregulluar tendat për familjen te Zabeli dhe këtu vetëm kthejnë kohë pas kohe. Atje janë gratë dhe fëmijët. Shumica e banorëve të Berishës janë evakuar me kohë, meqë kanë hetuar se Rrafshnalta është në qendër të sulmit të forcave armike.

Lajmet nga terreni bëjnë të ditur për shumë të masakruar e të vrarë, por asnjë burim nuk është i verifikuar. Masakra të tmerrshme serbët  kanë kryer mos në disa fshatra të Rahovecit, të Prizrenit dhe të Llapit. Nuk dihet se ç po ndodh në Drenicë, edhe pse qindra shtëpi po digjen në Krajkovë, në Baicë, në Domanek e fshatra të tjera rreth maleve të Kozmaqit.

Lajmin për sulmin e mundshëm të aerpolanëve të armikut e solli Hilmi Ramadani. Pasi e kemi transmetuar emisionin kemi qëndruar një kohë në natyrë.

Pikërisht në orën 17.20 minuta dy aeroplanë bombardues të armikut kanë goditur në drejtim të Kleçkës. Nga detonimi dridhjet janë hetuar edhe në Berishë. Lajmi për sulmin kundër shtabeve të UÇK-së  doli i vërtetë.

Pak më vonë mësuam me  bombat e armikut  nuk kanë goditur në cak. Në vendin ku kanë rënë bombat është hapur një humnerë nga fuqia shpërthyese e eksplozivit. Goditja ka ndodhur në një vend në mes të Kleçkës dhe Divjakës.

Në orën 18. 00 të lodhur nga sorollatjet e ditës futemi në podrumin e shtëpisë së Rizah Berishës. Për shkaqe sigurie kemi caktuar roje afër selisë, edhe pse dikujt, po i duket e panevojshme. Kam hartuar një orar të qëndrimit dy orësh në roje, duke filluar në radhë të parë nga vetja. Mendoj se tani e tutje duhet t`i lëmë anash nopranitë dhe mosmarrëveshjet. Koha nuk pret dhe duhet vepruar me shumë përgjegjësi, sepse fare lehtë mund të biem viktimë e neglizhencës apo të paragjykimeve të papërgjegjshme.

Gjatë natës, shumë banorë të fshatrave rreth Kozmaqit kanë depërtuar në Rrafshnaltë. Ata vijnë të lodhur, të sfilitur, të uritur dhe mezi qëndrojnë në këmbë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …