Jemi zgjuar të gjithë në orën 5 të mëngjesit. Me transmetimin e emisionit të djeshëm, forcave serbe iu kemi dhënë të kuptojnë se jemi dhe këtu do të jemi. Pikërisht për këtë duhet të largohemi sa më parë nga shtëpia, meqë aeroplanët mund të na vizitojnë sërish.
Vazhdimisht po bën një mot i lig me mjegull dhe lagështirë.
Edhe sot kemi mbetur në natyrë. Ende nuk kemi vendosur se si do t`ia bëjmë. Do të qëndrojmë këtu apo për shkaqe taktike të ndërrojmë vendin.
Martini propozon të rregullojmë një bunker në majën e Pallanikut. Berati mendon se duhet të ikim nga këtej. Si duket po troket koha e ndarjes. Tani për tani jemi këtu, në vendin e quajtur te Zabeli, apo te varret. Jam mbështetur për një lis të madh ahu dhe kam filluar të evidentoj rrjedhën e ngjarjeve sidomos të ditës së djeshme, meqë gjatë natës nuk kam arritur të shënoj asnjë rresht.
…
Isë Krasniqi po kujdestaron te telefoni satelitor. Ai i ka montuar një pllakë për grumbullimin e rrezeve. Këtu ka valë të mjaftueshme për komunikim.
Martin Çuni, Rizah Berisha dhe Fatmir Dugolli kanë depërtuar në një luginë në drejtim të Gradinës, për të caktuar një vend ku do ta ngrehim tendën e najlonit, meqë gjatë tërë ditës nuk mund të qëndrojmë këmbë.
Neziri po i përgatitë lajmet, ndërsa Nusreti i përshkruan, në mënyrë që të mos habitet gjatë leximit.
Popullata e zhvendosur e fshatit Berishë është këtu afër nesh. Dëgjohen zëra fëmijësh dhe zëra nënash të shqetësuara për fatin e fëmijëve të tyre.
Popullata e fshatit Kizharekë po ashtu është dyndur në brendësi të Grykës, te Mrizet e Berishës, pikërisht nëpër tendat ku ka mbijetuar gjatë verës së vitit të kaluar.
Lajmet nga Tirana bëjnë me dije se në kufirin shqiptar të Vermicës kanë arritur dhjetëra mijëra të dëbuar. Afër 20 mijë kanë kaluar tanimë kufirin.
Gjatë kalimit në kufi serbët iu marrin të gjitha dokumentet dhe të hollat. Në disa raste ata i ndajnë anëtarët e familjeve dhe nga mesi i tyre i marrin sidomos të rinjtë.
Pritet një fluks tjetër, që tanimë është nisur nga Suhareka, Rahoveci Prizreni dhe fshatrat përreth. Nuk kemi informacione se si ka vajtur halli i dhjetëra mijëra vetave të dyndur nga rajoni i Drenicës.
Nga Prizreni bëhet e ditur se barbarët serbë e kanë shkatërruar dhe djegur shtëpinë muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Sodomistët serbë kanë kryer masakra shtazarake në Celinë, Në Suharekë, në Krushë, në Gjakovë, në Prizren dhe kudo ku kanë arritur. Ata po i fshehin gjurmët e krimeve meqë kufomat po i djegin dhe po i asgjësojnë. Në Izbicë apo Skënderaj druhet me të drejtë se është ripërsëritur Srebernica e Bosnjes. Nga Zona e Drenicës nuk arrijmë të marrim informacione.
Edhe pse kemi pak informacione, megjithatë e kemi përgatitur një emision me lajme dhe komente të caktuara që kemi filluar t`iu bëjmë disa informacioneve. Pasi e kemi transmetuar emisionin, me Nezirin kemi depërtuar në vendin ku Riza dhe Martini e kanë caktuar për ta ngritur tendën. Shumica pajtohemi se duhet të vendosemi sa më afër antenave me qëllim që të mos rrezikohemi gjatë vajtje ardhjeve. Berati e sidomos Qemal Aliu i cili i rri prore pranë nuk pajtohen që të jetojmë në tenda. Ata si duket po përgatitën për të ikur nga kjo zonë.
Në mbrëmje me Nezir Myrtajn kemi depërtuar në Kizharekë dhe prej andej me Sylë Qeriqin dhe Elez Durmishin kemi shkuar në Krojmir.
Në orën 21, së bashku me Nezën, Sylën, Elezin e të tjerë kemi dalë te Varrezat e Lagjes Qeriqi, për të përcjellë bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe. Kanë dalë për ta parë këtë spektakel edhe shumë të rinj. Disa prej tyre kanë depërtuar në maje të Grapit, meqë nga atje shihet edhe rrafshi i Kosovës.
Ndërkohë kemi parë sulmin në afërsi të Blinajës në ndonjë bazë ushtarake të papërcaktuar serbe në fshatrat e Lipjanit. Hetohet edhe kundërpërgjigjja e armëve raketore dhe kundërajrore të forcave armike. Mirëpo aeroplanët bombardues të NATO-s nuk lëshohen në rreze të veprimit deri ku i arrin raketa e armikut. Serbët megjithatë po mundohen të qëndrojnë…