Stavileci: Strategjia Afatgjate e Energjisë e gatshme

Strategjia dhjetë vjeçare e Energjisë do të jetë e gatshme deri në fund të këtij muaji, ka paralajmëruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, dhe bëri të ditur se në të përfshihen shtatë alternativa për furnizim me energji elektrike, por gjithnjë duke pasur parasysh përballueshmërinë e tarifave, respektivisht çmimeve për konsumatorët.

Këto komente Ministri Stavileci i bëri gjatë një diskutimi në tryezën me temë vizioni energjetik i Kosovës 2040, organizuar nga KFOS dhe Riinvest, me ç’rast tha se mozaiku i miksit energjetik në vendin tonë i ka shtatë pjesë të mëdha dhe shtatë kritere.

 “E kemi Kosovën e Re, Kosovën B, Kosovën A, Efiçiencën, Burimet e Ripërtërishme, Interkoneksionin si dhe Masat e Buta, andaj  kjo shtatëshe nuk ka alternativë”, tha Stavileci duke shtuar se ndryshimet janë të vazhdueshme andaj edhe njeriu, edhe shteti, shoqëria duhet të ju përshtatet këtyre ndryshimeve duke i balancuar interesat.

Ministri Stavileci para të pranishmëve tha se me rëndësi të veçantë dhe prioritet i Qeverisë është përballimi i faturave nga qytetarët e Kosovës dhe në këtë rrafsh, sipas tij Qeveria po zgjedh rrugët më të mira për jetën e qytetarëve të vendit.

“Para se të nënshkruajmë Marrëveshjen për TC ”Kosova e Re”, ne kemi bërë 11 përjashtime, të cilat i kemi përkufizuar si vija të kuqe dhe nga këto kemi nxjerrë tri kryesoret; siguria e furnizimit, përballueshmëria e çmimeve dhe kriteret ambientaliste”, ka thënë ministri Stavileci, duke shtuar se më pas alternativat janë vënë në bazën e këtyre tri kritereve.

Kreu i MZHE-së tha se në Paris kryeministrat e Kosovës dhe Shqipërisë kanë miratuar dy dokumente relevante për sektorin, njëri që është ‘Sustainable Charter’ që lidhet me energjinë, ku thuhet në mesin e synimeve që duhet t’i kemi dhe gjërave që duhet t’i bëjmë janë; bashkimi i tregjeve me së paku një vend të rajonit, krijimi i Bursave Energjetike, ku në tetor do të bëhet prezantimi i bursës që do ta ketë Shqipëria ku Kosova është bashkëthemeluese e saj.

Nga ana tjetër Luan Shllaku nga KFOS, tha se Kosova ka nevojë të madhe për një strategji energjetike afatgjate së paku 40 vjeçare për të pasur zhvillim në këtë sektor. Shllaku, po ashtu ka insistuar që Qeveria ta drejtojë drejt Dukagjinit nxjerrjen e linjitit në mënyrë që Obiliqi të mos jetë vendi i vetëm nga ku nxirret linjiti.

Ndërsa, shefi i seksionit për bashkëpunim në Komisionin Evropian, Libor Chlad tha se është me rëndësi që Kosova të ketë një strategji me vizion kredibil me një afatgjatë, e cila pa dyshim se do të gjejë përkrahje nga Komisioni Evropian.

Nga ana tjetër Drejtori i hulumtimeve në Institutin Riinvest, Alban Hashani tha se Kosova ka probleme me rritje të ekonomisë, ku sipas tij kjo rritje nuk mund të bëhet pa u përmirësuar konkurrenca dhe kjo e fundit nuk mund të bëhet pa e përmirësuar sektorin energjetik.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …