Fatmir Rexhep Doçi (14.8.1978 – 8.7.1998)

Fatmir Rexhep Doçi (14.8.1978 – 8.7.1998)

Në luftën heroike dhe fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë marrë pjesë aktive shumë luftëtarë nga Shqipëria, nga mesi i tyre edhe disa oficerë të lartë. Në altarin e lirisë kanë rënë oficeri dhe pjesëmarrësi në të tri luftërat çlirimtare të UÇK-së, Tahir Sinani nga Tropoja, Fatmir DOÇI nga Bujani i Malësisë së Gjakovës, Qazim Dautaj e Arif Dautaj po ashtu nga Tropoja, Skerdilajd Llagami, nga Tirana, eprori Indrit Cara nga Kavaja, Astrit Suli, nga Berati, Halit Coka, Arjan Brahimi, Hazir Malaj, Pajtim Roci, Lefter Koxhaj, Mehmet Dizdari, Hysni Hajdarmetaj, Tahir Memiaj, Ramiz Memiaj, Tahir Hoxha, Hysen Mella e shumë të tjerë.

Në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës, fshat i njohur në historinë tonë, më 14 gusht të vitit 1978, në familjen e mjekut të njohur të kësaj ane, Rexhep DOÇI, lindi djali, të cilin e kishte pagëzuar me emrin kuptimplotë, Fatmir.
Shkollën fillore, Fatmiri e kreu në qytetin Bajram Curr, ndërsa mësimet e shkollës së mesme i ka mbaruar në Tropojë.
Në moshën e tij 20 vjeçare, në pranverë të vitit 1998, ndodhej në Tiranë, ku edhe mendonte të vazhdonte studimet. Ndërkohë, duke qenë në korrent me luftën që kishte pëlcitur në Kosovë si dhe vajtjen në këtë luftë të shumë bijve dhe bijave jo vetëm të Kosovës por edhe të të gjitha trevave shqiptare, Fatmir DOÇI, lë Tiranën dhe me dy shokë të tij niset drejt Tropojës, me qëllim për të luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 2 qershor të vitit 1998, Fatmir DOÇI ishte lajmëruar në Shtabin lokal të UÇK-së, në Smolicë, me kërkesë për t’u kyçur në radhët e luftës dhe për të ndihmuar vëllezërit nga Kosova, të çliroheshin një herë e përgjithmonë nga pushtimi i egër dhe barbar serb.
Edhe pse i ri në moshë, Fatmiri tregonte një përkushtim të veçantë për luftën, për shokët që kishte njohur në frontin e luftimeve.
Në fillim të korrikut të po atij viti, atij iu besua edhe detyra e stërvitjeve të disa ushtarëve që nuk kishin njohuritë e nevojshme ushtarake sidomos lidhur me përdorimin e armëve.
Smolica e vogël asokohe kishte bërë emër të madh në mediet e botës. Atje, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që komandoheshin nga komandanti, Naim Maloku dhe ushtarë e eprorë të tjerë të njohur, kishin rezistuar trimërisht e burrërisht për një kohë të gjatë.
Më 8 korrik 1998, Fatmir DOÇI ndodhej në pikën e tij stërvitore, në Smolicë, kur ishte sulmuar nga predhat e forcave armike. Bashkëluftëtarët dhe eprorët e luftës trupin e dëshmorit Fatmir DOÇI e varrosin në “Varrezat e Dëshmorëve” në fshatin Smolicë, ku tashmë qenë varrosur edhe shumë dëshmorë të tjerë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, numër 23 më 27 mars të vitit 2005 Fatmir DOÇI është shpallur dëshmor i Atdheut.
Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …