Ahmet Qeriqi: Filloi sulmi mbi fshatrat e Drenicës jugore. Qindra ushtarë të lodhur e të dërrmuar kalojnë nga Zona e Pashtrikut në Rrafshnaltë. Kanë rënë dëshmorë Xhavit Kelmendi dhe Vezir Kolshi. (1 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Filloi sulmi mbi fshatrat e Drenicës jugore. Qindra ushtarë të lodhur e të dërrmuar kalojnë nga Zona e Pashtrikut në Rrafshnaltë. Kanë rënë dëshmorë Xhavit Kelmendi dhe Vezir Kolshi. (1 prill, 1999)

Në mëngjes herët nisemi në rrugën tonë të caktuar. Ditëve të fundit kemi udhëtuar vetëm unë dhe Nezir Myrtaj. Aliu na ka lënë në vendin e caktuar meqë vetura nuk bën më tutje. Edhe qindra të zhvendosur të tjerë dynden drejt Grykës së Gashit. Sa më afër Rrafshnaltës dëgjohen shpërthime predhash  të minahedhësve të armikut që sulmojnë nga ana perëndimore, nga Llazet dhe Smonicat. Që në mëngjes ka filluar sulmi i armikut me qëllim të depërtimit në Rrafshnaltë kah Lagja e Bytyçve të Arllatit dhe në drejtim të Tërpezës. Forcat tona po rezistojnë trimërisht.

Nga kalimtarë të rastit mësojmë se në radhët tona ka ushtarë të rënë dhe të plagosur. Edhe pse serbët kanë vënë në përdorim tërë armatimin e tyre, ata nuk do të kalojnë. Shtigjet për të depërtuar nga kjo anë janë zënë me kohë dhe janë fortifikuar në të gjitha vend-përqendrimet.

Në rrugë për të depërtuar në Seli, takojmë Idriz Hysenin, i cili na tregon se nga atje janë tërhequr të gjithë anëtarët e stafit të Agjencisë. Disa janë nisur drejt Berishës disa të tjerë kanë biseduar për t`u larguar drejt Zonës së Neredimës.

Kjo nuk më habit fare sepse e marr me mend se Qemali dhe Berati mezi kanë pritur të ikin nga rreziku. Së bashku me Idriz Hysenin kthejmë në shtab. Rrugës takojmë qindra ushtarë të cilët gjatë natës kanë depërtuar nga pozicionet në Anadrin, të cilat si duket janë thyer keq.

Ushtarët dy tri ditë nuk kanë ngrënë dhe duke luftuar fyta-fyt kundër armikut mezi kanë arritur në Rrafshnaltë. I shohim se si marrin dushk dhe lëshohen për të pushuar. Disa shtrojnë ndonjë batanije mbi borë. Disa të tjerë janë futur në zonën e Shtabit. Ata tanimë janë të rraskapitur dhe nuk bëjnë dot tutje. Janë më shumë se 1000 dhe nuk ka kurrfarë mundësish për t`i ushqyer. Në mesin e tyre janë gjashtëdhjetë të plagosur. Ata janë vendosur në dhomat e shtabit tani të boshatisura, disa nga të plagosurit i kanë dërguar në Spitalin Ushtarak të Divjakës.

Duke biseduar me Idriz Hysenin dhe Hilmi Ramadanin arrijmë në përfundim se duhet depërtuar sa më parë në mesin e popullatës për të marrë bukë të gatshme nga magjet dhe jo për të pritur që ajo të gatuhet. Në këtë mënyrë për dy tri orë do të mund të depërtonin në Rrafshnaltë disa qindra kilogramë bukë. Në përpjekje për ta vënë në jetë këtë propozim së bashku me Hilmi Ramadanin dhe Nezir Myrtajn pa humbur kohë nisemi në drejtim të Grykës së Thatë, e cila po ashtu është mbushur përplot me të zhvendosur. Pas një rruge të gjatë arrijmë në Fshatin Nekoc.

Në hyrje të fshatit, në gjendje gatishmërie e takojmë ushtarakun, Ismet Hoxha të cilit i tregoj se si do të duhej të vepronte. Ismeti me disa ushtarë nisen pa humbur kohë dhe premtojnë se më së largu për dy orë buka e krejt çka do të gjendet nëpër shtëpi të fshatarëve të Nekovcit do të arrijë në Divjakë. Ali Mullinin nuk e takojmë meqë sikur mësojmë nga një ushtar që bën vëzhgim, ai ka shkuar për t`i marrë disa ushtarë tanë të plagosur. Edhe pse bie shi pa pushuar të tre nisemi këmbë nëpër baltë në drejtim të Baicës dhe të Shalës për të kryer porosinë dhe për të çuar sa më parë bukë për ushtarët që kanë mbetur të shtrirë mbi dëborë.

Me ta dhënë lajmin, në Baicë mësojmë se në Lagjen e Bytyqve në Arllat kanë rënë dëshmorë Vezir Hazir Kolshi i fshatit Baicë, dhe Xhavit Kelmendi, vëllai i Shaip Kelmendit nga fshati Karaçicë. Tani e kuptoj se Ali mullini ka shkuar për t`i marrë ushtarët e rënë të cilët janë tërhequr nga fushëbeteja nga bashkëluftëtarët e tyre. Pas shtatë orë rrugëtimi të asaj dite arrijmë në Shalë për ta dhënë lajmin për bukë. Aty mësojmë se buka një orë më parë është nisur në drejtim të Rrafshnaltës. Bëjmë tutje gjithnjë këmbë dhe pas një kohe  arrijmë në Krojmir. Edhe atje na tregojnë se qindra bukë të gatshme janë dhuruar nga familjet dhe me një traktor i kanë çuar në Divjakë.

Sapo arrijmë të dërrmuar e të lodhur nga rruga e gjatë nëpër baltë dhe këmbë, në vendqëndrimin tonë në Krojmir na presin: Elez Durmishi, Sejdi Elezi dhe Shaip Kalemendi, vëllai i Xhavitit. E ngushëllojmë Shaipin, ndërsa ai kërkon që trupi i vëllait të tij dëshmor të varroset sonte në Karaçicë, te Varrezat e fshatit, edhe pse aktualisht në fshatin e djegur nuk jeton asnjë familje. Pa hezitim e mbështes vendimin e tij.

Pa pushuar fare nisemi në drejtim të grykës, te Shtabi i cili tani për tani është tërhequr në shtëpi të Ragip Sylës. Atje kanë sjellë edhe shumë ushtarë të plagosur të cilët i kanë tërhequr nga vend-luftimet  bashkëluftëtarët e tyre. Disa prej të plagosurve janë vendosur në Spitalin ushtarak të Divjakës, ndërsa shumë të tjerë këtu, në spitalin e Krojmirit.

Janë angazhuar tërë ekipi ushtarak për t` iu ardhur në ndihmë të plagosurve. Atje është vendosur edhe trupi i dëshmorit, Xhavit Kelmendi.

Prej Krojmirit, nisemi në drejtim të Grykës. Trupin e shkallmuar nga predha armike të dëshmorit Xhavit Kelmendi e kanë vendosur në një qerre klasike të cilën e ka siguruar Rrahim Qeriqi. Prapa qerres i zvarrisim këmbët unë, Nezir Myrtaj, Ali Kelmendi (babai i Sejdiut), pastaj Syla, Elezi, dhe dy bashkëluftëtarë të dëshmorit.

Rruga nga duhet të kalojmë është thikë përpjetë, nëpër anën e përmbysur të Mysit. Bëjmë tutje. Shaipi tregohet i fortë. Dëshmori Xhavit Kelmendi ka qenë luftëtar i dalluar në radhët e njësive speciale të Shtabit të Përgjithshëm. Në fillim të nëntorit të viti të kaluar në një pritë në Karaçicë, ai me bashkëluftëtar disa policë serbë.

Vetëm një ditë më parë është kthyer së bashku me Milaim Behën dhe Vezir Kolshin nga një  detyrë speciale në Drenicë, ku iu kanë shkuar në ndihmë disa eprorëve.

Edhe pse qerrja nuk është gjithaq e rëndë, kali është lodhur dhe mezi ecë. Ndalojmë në çdo 50 apo 100 metra. Më në fund pas një rrugëtimi afër dy orë arrijmë në vendin ku bashkëluftëtarët dhe banorët e fshatit e kanë hapur varrin për luftëtarin 23 vjeçar, dëshmorin e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Kelmendi. Në varrim marrin pjesë edhe shumë ushtarë të Batalionit tonë. Varrimi bëhet me nderime ushtarake dhe është përgatitur me kujdes nga ushtarakët, Naim Ismajli dhe Selatin Rizani.

Me komandë pas zbrazjes së rafalëve të nderimit ndahemi nga trupi i dëshmorit, i cili tani e tutje do të prehet në përjetësi. Në momentin kur dëshmorit ia japim lamtumirën e fundit, vëllai i tij, Shaip Kelmendi  papritmas ulet në këndin e një lisi dhe fillon të qajë duke dënesur dhe duke bërë përpjekje për të mos nxjerrë lot. Tërë ditën kishte qëndruar si i mpirë dhe më në fund pas tërë asaj odesejade e lodhjeje ai nuk u përmbajt. Lotët na shkonin rrëke edhe shumë të tjerëve, por ishte  terr dhe nuk shihej…

Pas ceremonisë së varrimit lëshohemi grykës së rrezikshme dhe tejet të thepisur të Pjetërshticës. Depërtojmë nga një dhiare në tjetrën, me frikë mos po përplaseshim në mysin tërë shkëmbenj.

Në orën 21. me Nezir Myrtajn dhe të tjerë arrijmë në shtëpinë tonë në Krojmir. Sipas llogarisë që kemi bërë derisa po hanim bukë, doli se kemi ecur pandalur 13 orë. Këmbët më janë mpirë. Nga lodhja jam shtanguar dhe nuk arrij dot të shlodhem.

Pak më vonë ka ardhur sërish Elez Durmishi. Ai më tregon se në orët e natës në Krojmir janë vendosur edhe 2000 të zhvendosur të tjerë nga fshatrat rreth Malishevës. Nga 1000 ushtarët që sot kanë depërtuar në Rrafshnaltë 300 janë caktuar të mbesin në pikat tona ushtarake. Disa të tjerë do të depërtojnë në Zonën e Neredimës.

Të gjithë kanë rënë për të pushuar ndërsa unë me atomin e fundit të energjisë i i hedh në letër këto ngjarje të kësaj dite tejet të mundimshme, ndoshta dita ime më e mundimshme deri tani prej fillimit të luftës.

A thua çka do të sjellë dita në vijim?

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …